Siç pritej! KAS rrëzon ankimimin e PD-së së Berishës dhe nuk merr parasysh as atë të Alibeajt. Çfarë ka në dorë tani Celibashi

0
133

Partia opozitare më e madhe në vend rrezikon të mos regjistrohet për zgjedhjet vendore të 14 majit. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk ka pranuar ankimimet e PD-së së drejtuar nga Berisha dhe grupit të Alibeajt që ka vulën nën argumentin se s’kanë kompetencë për të gjykuar vendimet e ndërmjetme.

Pasi kreu i KQZ Ilirjan Celibashi tha se nuk e njeh Berishën si kryetar të PD, të njëjtin argument përdori edhe KAS duke sqaruar se i mungon kompetenca që të regjistrojë në zgjedhjet vendore PD me kryetar Sali Berishën. Po ashtu sqaroi se Sali Berisha nuk mund të ankimohet për një vendim që i përket grupimit të Alibeajt.

“KAS-i konstaton se subjekti ankues nuk legjitimohet në ankimimin kundër vendimit të Komisionerit nr.158, datë 11.03.2023, dhe se KAS-it i mungon kompetenca për të vendosur si instancë fillestare “regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë të përfaqësuar nga kryetari Sali Berisha, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”, sikurse kërkohet nga ankuesi”, thuhet në vendimin për mospranimin e kërkesës ankimore.

 

Ndërsa për kërkesën e PD së Alibeajt thotë se vendimi i ndërmjetëm është procedurial ndaj nuk mund të merret parasysh ankimimi. KAS thotë se duhet të merret vendimi përfundimtar nga Ilirjan Celibashi dhe më pas kanë të drejtën që ta çojnë për ankimim.

“Vendimi i Komisionerit nr.158, datë 11.03.2023 është vendim i ndërmjetëm. Kodi Zgjedhor nuk përmban dispozita të veçanta për vendimet e ndërmjetme që merren nga organet e tij në një procedurë administrative. Duke qenë se Komisioneri vepron gjatë shqyrtimit të kërkesave në cilësinë e përgjithshme të një “organi publik në procedurë administrative”, për të vlejnë dhe janë të zbatueshme dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative që rregullojnë vendimet e ndërmjetme.

Në nenin 67 të Kodit të Procedurave Administrative përcaktohet se vendimet e ndërmjetme merren “kur gjykohet se mosmarrja e masave të caktuara do të shkaktonte një dëm të rëndë e të pariparueshëm mbi interesin publik, apo të drejtave ose interesave të ligjshëm të palëve”. Në gjykimin e Komisionerit, mosplotësimi i dokumentacionit shoqërues të kërkesës nga ana e kërkuesit “Partia Demokratike” me kryetar z. Lulzim Basha do të sillte mosregjistrimin e kërkuesit si subjekt zgjedhor. Në shkronjën“ b” të pikës 1 të nenit 68 të tij përcaktohet se vendimet e ndërmjetme bien nga fuqia kur mbaron afati i caktuar në to. Pika 2 e nenit 130 të KPrA e kategorizon vendimin e ndërmjetëm si veprim procedurial (veprimi procedural është çdo akt, veprim apo mosveprim i organit publik gjatë procedurës administrative, që nuk është një akt administrativ përfundimtar), kurse pika 3 e të njejtit nen përcakton se ndaj vendimit të ndërmjetëm (veprimit procedurial) mund të bëhet ankim i veçantë “vetëm kur ankimi parashikohet shprehimisht nga ligji”. Kodi Zgjedhor nuk ka përcaktime të shprehura për të drejtën e ankimimit të veçantë ndaj vendimeve të ndërmjetme”, sqaron KAS.

 

Kundër këtyre vendimeve mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Administrativ brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij. Nëse s’bëhet ankim, lufta brenda PD do të rikthehet sërish në dorë të kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi i cili do të marrë vendimin përfundimtar për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Në mbledhjen e zhvilluar më 9 mars, KQZ vendosi të mos pranojë asnjë kërkesë të 2 grupimeve. Kërkesa e Rithemelimit nuk u pranua për shkak se Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Berisha. Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe që duhej firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë, por Alibeaj u shpreh se Basha ka dhënë dorëheqjen ndaj dokumenti i dorëzuar është i plotë.

Ndërkohë Berisha kërkon zhbërjen e vendimit të Celibashit, i cili vendosi që ish-kryeministri të mos regjistrohet në zgjedhje me siglën e Partisë Demokratike. Sipas tij, KQZ nuk mund të refuzojë regjistrimin e PD përfaqësuar nga Sali Berisha vetëm bazuar mbi mungesën e shkresës së regjistrit të partive politike, pasi sipas tij në regjistrin e partive politike vijon të mbeten të dhëna të pasakta dhe të vjetëruara.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here