Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi sot nga Lezha se “bashkimi i të rinjve është fuqi bërthamore! Le t’u japim krahë dhe t’i mbështetim sa më shumë në mënyrë që Lezha dhe e gjithë Shqipëria të kenë më shumë gjallëri, më shumë shpresë dhe një të ardhme të shkëlqyer, ashtu siç të rinjtë shqiptarë e meritojnë.”
Deklarata u bë gjatë takimit që Meta pati sot me strukturat e PL në Lezhë. “Nuk ka fuqi më të madhe se sa bashkimi i të rinjve. Shqipëria u përket të rinjve”, ka theksuar ai.
Gjatë takimit, Meta i vuri theks të fortë, problemit të eksodit masiv të rinisë.
Sot dhe Forbes e rendiste Shqipërinë si vendin e tretë në botë sa i takon të larguarve nga vendlindja, si një vend që ka lënë pas Sirinë, Afganistanin e që janë në gjendje lufte.
Shkaqet këtu ishin e janë të qarta, pasiguria e madhe për të ardhmen e korrupsioni i jashtëzakonshëm e mungesa e mundësive për të rinjtë për të pasur një jetë të garantuar me dinjitet me paga që garantojnë dinjitet në shoqëri e mundësi për të ndërtuar të ardhmen.
Ndaj është koha për të bërë gjithcka që t’i japim fund këtij regjimi shpesëvrasës që quhet Rilindje, këtë e kanë të qartë dhe socialistët e ndershëm e të mashtruar pasi e para gjë që bëri Rilindja ishte uzurpimi i PS e tjetërsimi i saj.
E ka braktisur qëllimisht bujqësinë e blegtorinë, kjo është një nga arsyet kryesore të shpopullimit të vendit tonë. Kur bëhet fjalë për të përfituar nga projektet e BE në vend të përfitojnë fermerët, nuk i fitojnë këta por ata që janë të shitur tek inceneratorët.
Në këtë vend nuk po përgjysmohen vetëm njerëzit, por dhe bagëtitë. Ndaj ikin shqiptarët nga mungesa e mbështetjes e perspektivës. Nuk rriten pagat, ikin dhe ata që janë me paga të ulëta.
Nuk rriten pagat se rriten PPP-të, mjeti më gjakpirës ndaj këtij populli që ka instaluar Rilindja. Vetë Ministria e Financave thoshte pak ditë me pare që nga kontratat me PPP nuk kemi arritur të monitorojmë dot te gjitha, merren lekët e qytetarëve e askush nuk jep garanci që kthehen në shërbim për qytetarin.
Projekt buxheti është përgjigja më e gabuar ndaj krizës që mund të japë një qeveri. Qeveria në vend të rrisë pagat e pensionet, ndihmën ekonomike, shton dhe 1 miliardë euro të tjera pagesa për 7 koncensione të reja, nënvizoi Meta.