Partia Demokratike ka zbuluar dje skemën që, sipas saj, po përdor maxhoranca socialiste për t’i imponuar Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale dhe opozitës dëshirën e saj të hershme për ndarjen e vendit në 4 rajone.
Në një konferencë për mediat nga selia blu, sekretari për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso, u shpreh se PS ka synime të shprehura qartë, ku dëshiron që përmes vendosjes së rajoneve, të prekë Kushtetutën. Sipas tij, qëllimi i vërtetë i maxhorancës është që në ndarjen rajonale ajo të vendosë primin që favorizon partinë e parë. Ai vuri në dukje se kjo gjë nuk mund të lejohet dhe se pushteti pa votë nga zgjedhësit, do të ishte atentati i fundit që do t’i bëhej sistemit.
“Jemi duke monitoruar këtë situatë nga afër, në mënyrë që një dakordësi eventuale apo produkt konsensual për Reformën Territoriale të mos shërbejë si pretekst për të bërë pazar te Reforma Zgjedhore, ku haptazi maxhoranca e ka shprehur preferencën e saj për ta prekur përsëri Kushtetutën. Nuk duam që rajonet e famshme dhe që janë prioritet i tyre në Reformën Territoriale të shndërrohen në kalin e Trojës për të prekur Kushtetutën dhe për t’i dhënë maxhorancës atë që do dhe ka qëllimin e vërtetë: për të vendosur primin, ç’ka do të thotë pushtet pa votë. Do të ishte gjëja më e dëmshme në një demokraci, aq më tepër në Shqipëri, ku maxhoranca ka uzurpuar të gjitha institucionet. Dhënia në tavolinë e primit, pushtetit pa votë nga zgjedhësit, do të ishte atentati i fundit që do t’i bëhej sistemit”, tha Kasa.
Sekretari i PD-së u shpreh se për këtë arsye, janë ngritur dy grupe pune për të monitoruar situatën për dhe pas një procesi të gjerë konsultimi, do të vihet me propozime konkrete për ndarjen e re administrativo-territoriale. Sipas tij, nuk mund të ketë reformë të plotë pa vlerësuar impaktet e saj në terren në të gjitha aspektet. Kaso u shpreh se një nga arsyet që solli dështimin e reformës së 2014-ës ishte se ajo nuk pati në fokus shërbimet për qytetarët, por përfitimin elektoral të momentit.
“Nga njëra anë kemi komisionin e reformës territoriale dhe është e qartë se kur do t’i paraqitet publikut dhe kemi edhe Reformë Zgjedhore që është në stanjacion. S’mund të ketë Reformë Territoriale të plotë që t’u shërbejë qytetarëve, pa vlerësuar të gjitha aspektet dhe implikimet territoriale që do të ketë çfarëdo lloj propozimi për ndarjen e re territoriale-administrative. Mendimin tonë e kemi shprehur dhe pasja në fokus të punës vetëm të impaktit elektoral ishte njëra nga arsyet që solli edhe dështimin e reformës së fundit, pasi nuk u mbajt në fokus shërbimi ndaj qytetarëve, por u mbivlerësuan efektet elektorale të saj dhe qëllimi ishte vetëm përfitimi elektoral i momentit, të cilin e pati qartazi maxhoranca në të gjitha zgjedhjet e fundit. Për këtë themi që janë të lidhura dhe logjika e donte që të ecnin me të njëjtën shpejtësi dhe kjo nuk ka ndodhur kështu. Pranë PD-së është ngritur grupi i punës për Reformën Zgjedhore dhe po zhvillon takime që opozita të ketë gati propozimet dhe zgjidhjet e saj për çfarëdolloj produkti të Reformës Territoriale”, tha Kaso.