Pse e mohoi Edi Rama kapriçion 3.7 milionë euro në kryeministri

0
108

Që Edi Rama është maniak i arredimit, fasadave dhe gjithçka që lidhet me imazhin, kjo nuk është lajm. Prekja e piktorit u dha ngjyrë korridoreve dhe fasadës së Ministrisë së Kulturës. Nuancat në veshje bënin gjithnjë diferencën me kostumet gri të politikanëve të kohës.

Kurimi i imazhit provokativ i dha formë politikanit kontravers, që e përshtati zyrën e Bashkisë së Tiranës sipas shijes së tij, bojatisi pallatet, mbrojti idenë e mbjelljes së pemëve të shtrenjta në rrugët e kryeqytetit, vendosi “kërpudhën” kuqeblu në oborrin e kryeministrisë, markizën që pulson si në hyrjen e një diskoje, COD-in, mini-kinemanë, pikturat në mure, koshin e basketbollit dhe lapsat e panumërt. Estetika e definon Edi Ramën. Ka qenë kartëvizita e tij si politikan. Dikur ai mburrej me të.

Prandaj mohimi që i bëri instalacionit gjigand, të quajtur “Parku Eden” që do të vendoset në kryeministri, ishte i pazakontë. Në vend të formës, ai theksoi përmbajtjen. Në vend të estetikës, funksionin.

Qeveria ka ndërmarrë një program të energjisë së rinovueshme diellore që do të shtrihet në të gjitha institucionet, nga kryeministria tek ministritë, dhe nuk bëhet fjalë për një vepër arti, por për një projekt energjie të rinovueshme të kombinuar me krijimin e një mikroklime dhe mjediseve të reja të punës që ka nevojë aty dhe nuk është diçka që bëhet për mua apo për ne”, u shpreh kryeministri, kur doli nga mbledhja e kryesisë së PS.

Instalacion 3.7 milionë euro dhe thirrje për kursim

Ndryshe nga çfarë thotë Edi Rama, investimi në oborrin e kryeministrisë është në radhë të parë një atraksion, që merr kuptim vetëm për hir të prejardhjes së Edi Ramës si artist. “Parku Eden” është projekt i studios “Precht” e themeluar nga arkitekti austriak Chris Precht, e specializuar në përdorimin e materialeve natyrale me ndikim të pakët në mjedis.

Mohimi që i bëri Rama si një projekt atraksioni në radhë të parë, vjen si pasojë e krizës ku po kalon vendi. Qeveria ka ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për të nxitur kursimin e energjisë. Në fillim të muajit hyn në fuqi një llogaritje e re e faturimit të energjisë elektrike. Familjet që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë do ta paguajnë 4 herë më shumë pjesën e mbetur.

Në anën tjetër, zv.kryeministrja Balluku ka këshilluar qytetarët të ecin në këmbë dhe të shmangin lëvizjen me makinë, ndërkohë që duhet ta mbajnë sa më pak hapur derën e frigoriferit.

Rritja e çmimeve ka rënduar xhepat e konsumatorëve, që nga ushqimet bazë deri tek karburantet. Kësisoj, kur qytetarëve iu kërkohet të shtrëngojnë rripat se ka luftë në Ukrainë, si mund të justifikohet shpenzimi i 3.7 milion eurove për një kapriçio të kryeministrit?

Në këtë situatë, zgjedhja e Ramës për të shpenzuar miliona euro mbi këtë projekt ngjan me një tekë personale të tij, tipike për politikanët që për nga mënyra e jetesës i ndan me qytetarët një hendek i madh./LAPSI

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here