“Plakat e Prillit” zbardhin Librazhdin, bie borë në pranverë (Foto)

1
336

Për disa ditë shijuam mot të ngrohtë dhe me diell, duke menduar se pranvera do të ishte e gjitha kështu. Por më sa duket “plakat e Prillit” nuk po duan të largohen kollaj, duke na sjellë ditë me reshje, e temperatura të ulëta.

 

 

Prej fillimit të muajit prill, moti ka qenë i paqëndrueshëm, dhe pas ditëve me kthjellime, kanë pasuar ato me vranësira. Po kështu edhe temperaturat kanë qenë të luhatshme, e padyshim më së shumti janë ndjerë në zonat malore.

Edhe për këtë javë, sinoptikanët parashikojnë mot të paqëndrueshëm, ku reshjet e shiut dhe temperaturat e ulëta do të na shoqërojnë deri në fund të muajit prill.

Reshjet e dendura të natës që lamë pas kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të banuara, ndërsa në zonat malore ka patur reshje dëbore.

Disa foto që vijnë nga Librazhdi, tregojnë se dëbora ka zbardhur pikën turistike të Fushë Studenit, si edhe parkun Kombëtar të Shebenik Jabllanicës.

“Këtë fillim jave i gjithë vendi ynë është ndikuar nga afrimi i masave ajrore të ftohta nga Europa veriore të cilat u pasuan nga reshje shiu, këto edhe në formën e stuhive të lokalizuara. Gjatë ditës së martë parashikohet ndërprerje e përkohshme e reshjeve, duke i rikthyer me intensitet të lartë në mbrëmje deri në orët e para të ditës së mërkurë. Intensitet të lartë të reshjeve parashikohet ne ultësirën perëndimore, pra, në Shkodër, Lezhë, Laç. Ndërsa në zonat malore në orët e para të ditës së enjte parashikohen edhe reshje bore si pasojë e rënies së ndjeshme të temperaturave me 10 gradë celsius. Fundjava do të sjellë përmirësim të motit dhe rritje graduale të temperaturave të mesditës”, thonë sinoptikanët.

Ata shtojnë se situata klimaterike mund të ndryshojë sërish, duke qenë se pranvera njihet edhe si stina ku parashikimet pësojnë luhatje të menjëhershme.

“Plakat që po trazojnë motin”, si lindi gojëdhëna…
Shkurt o im vëlla, me jep tri ditë hua ta ngrij plakën me gjithçka?

Kjo gojëdhëne mbi dymijë vjeçare kujtohet çdo muaj prill sipas kalendarit Alla Turke, pikërisht kur moti pëson ndryshime të dukshme.

Sipas rrëfimeve të transmetuara nga brezi në brez, ndryshimet e motit në fillim apo në fund të muajit Prill lidhen me “mitin e plakave”. “Plakat” përdoren edhe në ditët e sotme, pasi shpesh dëgjojmë të thuhet se “bën ftohtë ngaqë janë plakat”.

Legjenda thotë një herë e një kohë disa plaka u ngjitën në mal dhe thirrën me të madhe: “Lamtumirë Dimër, Vafsh në Djall!”. Ishte Prill, por dimri vendosi të kthehej sërish. Muaji Prill i kërkoi muajit Shkurt t’i jepte disa nga ditët e tija për t’i ngrirë plakat si për t’ju kujtuar që dimri nuk ka ikur dhe është më i fuqishëm se ato, dhe që është një fenomen natyror që duhet respektuar. Plakat vdiqën nga i ftohti dhe më pas erdhi pranvera sërish.Madje gojëdhëna thotë se në atë vend sot gjendet një gur si në formën e një Plake, ku edhe sot e kësaj dite, aty buron ujë, që thuhet se janë lotët e Plakës.

Ndaj gati një javë në muajin Prill kthehet dimri, i cili sjell reshje shiu thuajse në të gjithë Shqipërinë dhe pas shirave vjen pranvera e vërtetë. Kjo javë ka nisur me reshje shiu ndaj kujtoni se kanë ardhur plakat !

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here