Mashtrimi i Vuçiç: Serbia i njeh dokumentet që nga vitit 2011

0
172

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot tentoi të paraqitet si palë konstruktive në dialog, duke thënë se Serbia do ta pranojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për dokumente.

Por, ai ka vënë një kusht për këtë.

Vuçiq ka theksuar se Serbia është e gatshme të pranojë dokumentet e Kosovës, por duhet që në pikat kufitare të shkruhet në një letër që Serbia nuk e njeh Kosovën.
Ne jemi të gatshëm të pranojmë dokumentet e tyre, por le të nxjerrin një deklaratë që do të jepej në pikat kufitare, ku do të thuhej: Pajisja me karta identiteti nga Prishtina bëhet vetëm për arsye praktike, për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe as nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kosova dhe as nuk e cenon sovranitetin”, deklaroi Vuçiq gjatë një konference.

Por, njohja e dokumenteve nga Serbia ishte bërë më 2 korrik 2011.

Atëkohë në Bruksel ishte arritur marrëveshja për lirinë e lëvizjes. Marrëveshja kishte hyrë në fuqi që nga 26 dhjetori i vitit 2011.

Ndonëse nuk zgjidhi të gjitha problemet, megjithatë u sigurua një rregullim në fushën e lirisë së lëvizjes dhe përfundimisht u zgjidhën disa nga problemet më të mëdha. Më këtë marrëveshje të arritur në Bruksel mes dy shteteve, për herë të parë pas shumë vitesh shtetasve të Republikës se Kosovës u mundësohej lëvizja e lirë drejt Serbisë, duke shfrytëzuar dokumentet e Republikës së Kosovës.

Kjo marrëveshje ishte bazuar në parimin e reciprocitetit dhe angazhimeve për krijim të lehtësirave në qarkullim të lirë sipas standardeve të BE-së, dhe se qytetarët mund të kalonin kufirin mes shteteve përmes lejeve të njoftimit të shoqëruar me një letër për hyrje – dalje, të cilën e japin autoritetet kufitare të të dyja shteteve.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes u nënshkrua nga Beogradi dhe Prishtina në korrik të vitit 2011, si pjesë e një dialogu teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe kishte për qëllim zgjidhjen e çështjeve të lirisë së lëvizjes, respektivisht çështjen e kalimit nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Marrëveshja përcakton një sërë rregullash mbi dokumentet personale (siç janë letërnjoftimet), patentë shoferët, si dhe targat e mjeteve motorike dhe sigurimin e tyre.

Mbi 70 për qind e qytetarëve serbë që jetojnë në katër komunat veriore të Kosovës e kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe janë të pajisur me letërnjoftime zyrtare të Republikës së Kosovës.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, jetojnë rreth 100 mijë serbë. Prej tyre, sipas ASK-së, 27983 serbë jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës. Ndërsa, në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, vlerësohet se jetojnë edhe rreth 70 mijë qytetarë serbë.

Sipas KQZ-së, 57983 qytetarë janë të moshës madhore në katër komunat veriore dhe me të drejtë vote. Atyre, deri më tash u është mundësuar që të votojnë edhe me dokumente të UNMIK-ut, raporton Demokracia.com.

Megjithatë, në tërësi mbi 70 për qind e qytetarëve serbë që jetojnë në katër komunat veriore të Kosovës e kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe janë të pajisur me letërnjoftime zyrtare të Republikës së Kosovës.

Që nga viti 2008 kur Kosova e ka shpallur pavarësinë e Kosovës e deri më tani, për banorët e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe, sipas përgjigjes zyrtare të MPB-së janë prodhuar gjithsej 50281 letërnjoftime të shtetit të Kosovës për qytetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe.

Po ashtu, patentë shoferë për ata janë lëshuar gjithsej 8703 dhe pasaporta gjithsej 6040 copë.

“Dokumente si pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë të RKS-së të prodhuara për komunat veriore të RKS-së janë si në vijim: Pasaporta, total 6040. Letërnjoftime, total 50281. Patentë shoferë, total 8703”, thuhet në përgjigjen kësaj ministrie për Demokracia.com.

Ministria që drejtohet nga Xhelal Sveçla ka sqaruar se nuk mund ta dinë saktë vetëm numrin e dokumenteve për komunitetin serb, pasi që dokumentet nuk janë të ndara në bazë të nacionaliteteve, por ata i marrim si bazë komunat me shumicë serbe.

“Në Regjistër Qendror të Gjendjes Civile, regjistrimi bëhet sipas kërkesës dhe nuk kemi asnjë fushë që përcakton etninë e regjistruesit në Regjistër Qendror të Gjendjes Civile, në mënyrë që t’i ndajmë si statistika”, thuhet në përgjigjen e MPB-së

Të pyetur se në cilat vite ka pasur më së shumti kërkesa prej qytetarëve të komunitetit serb për të marrë dokumente të Republikës së Kosovës, MPB-ja ka treguar se kërkesa që të pajisen me letërnjoftime më shumë kanë pasur në vitin 2014 dhe 2020, për pasaporta në vitet 2018 dhe 2019, si dhe patentë shoferë në vitet 2018 dhe 2019.

Ndërsa, nëse e krahasojmë numrin e qytetarëve të moshës madhore, me të drejtë vote, që në katër komunat veriore me shumicë serbe është 57983 votues, ku prej tyre 50281 janë të pajisur me letërnjoftime të Republikës së Kosovës, atëherë rezulton se afër 90 për qind e tyre e njohin shtetin e Kosovës.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë i bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë Kurti për targat dhe dokumentet serbe.

Por, pasi barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për një muaj.

Vendimi i parë ka të bëjë me ri-regjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ e të ngjashme – që lëshohen nga Serbia, konsiderohen ilegale nga autoritetet kosovare.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here