As dorëheqje, as përgjegjësi! Po e vrasin për herë të dytë Jonadën!

0
181

Mbarë opinioni publik u trondit nga ngjarja tragjike e mesditës të së martës në plazhin e Potamit, Himarë, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia , pasi u godit me skaf nga ish-oficeri i policisë, Arjan Tase.

Kjo ka sjellë reagime të shumta nga politikanë, aktivistë, gazetarë dhe qytetarë, ku përgjegjësinë kryesore, ia faturojnë pushtetit për shkak të mungesës së sigurisë publike në plazhe dhe monitorimin e bregdetit nga “skafet vrasëse”.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama në postimet e tij, krahas thirrjes për vendosjen e drejtësisë, u është kthyer me tone të ashpra dhe të gjithë atyre që kanë reaguar për ngjarjen duke i konsideruar ‘vampirë politikë’, të lig dhe të verbër apo edhe mizerje.

Reagimet e Ramës nuk janë të denja për gjuhën kryeministrore, por i shkojnë për shtat atij që mund të konsiderohet bashkëpunëtor në krim.

Pas ngjarjes, është kërkuar menjëherë dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro.

Së pari, Çuçi është përgjegjës për sigurinë kufitare, ndërsa Kumbaro, përgjegjëse për shkak se ngjarja e rëndë u shënua në një prej atraksioneve turistike në vend, si dhe të faktit që mjetet lundruese, licensohen nga dikasteri i saj.

Por Bledi Çuçi nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar lidhur me humbjen e jetës së 7-vjeçares. Të paktën në të 3 profilet zyrtare në rrjete sociale, siç reagojnë të gjithë politikanët, Ministri i Brendshëm e “kalon në heshtje”.

Vetëm në profilin e tij në Twitter, Çuçi ka për “repost” statusin e kryeministrit Edi Rama, një praktikë që ndiqet thuajse nga të gjithë ministrat. Reagime ka pasur nga Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, por asnjë mesazh për familjarët e vogëlushes.

Por pas ‘repost’-it të statusit të Ramës me fyrje dhe sharje ordinere ndaj shqiptarëve, pse i dolën në mbrojtje vogëlushes, për Çuçin reagoi rreth mbrëmjes edhe bashkëjetuesja e tij, Delina Fico. Edhe kjo e fundit ishte brenda linjave të partisë pasi shprehej me po të njëjtat terma që gjatë gjithë ditës kanë përcjellë mesazhe gazetarët që paguhen nga Edi Rama, si Dritan Hila dhe Mira Kazhani.

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka reaguar me vonesë.

Një ditë pas ngjarjes, vetëm në orën 20:19 ajo shkruan në profilin e saj në Twitter, një engjëll humbi jetën e saj për shkak të marrëzisë së një personi që theu ligjin.

Sakaq, kujtojmë se në kabinetin “Rama 3”, është dhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

Edhe pse kur në Parlament erdhën një grup fëmijësh, Muzhaqi i priti me dashamirësi duke i thënë se është “ministrja e kalamajve”, ajo nuk ka bërë reagim në asnjë prej 3 profileve të saj zyrtare në rrjetet sociale për humbjen e vogëlushes Jonada.

Përmasat e kësaj ngjarje janë tronditëse, por po aq tronditëse është edhe përpjekja e qeverisë, veçanërisht e kryeministrit Edi Rama dhe gazetarëve të paguar prej tij, për ta relativizuar si diçka normale, të tipit që: “Ndodh kudo, s’kemi ç’ti bëjmë”.

Shpirtligësia arrin deri aty sa nuk pyesin që vajza vetëm 7-vjeçare u copëtua nga helikat e skafistit polic mu në breg të detit. Nuk duan t’ia dinë që një familje e ka pllakosur zia e as që nuk shqetësohen që ajo nënë, ai baba, nuk do ta shohin më kurrë bijën e tyre, të cilën e sollën nga Kanadaja në Shqipëri për pushime, në vendin e tyre, që në vend të gëzimit iu faturoi hidhërimin e përjetshëm.

Sa kohë në qeveri ka vdekur shpirti human, është e kotë që të analizojmë karakteret dhe sjelljet e tyre psikologjike.

Pavarësisht gjithçkaje shqiptarët kanë vendosur ta shprehin qëndrimin e tyre gjatë protestës së 4 gushtit në orën 19:00, si pikënisje te Ministria e Brendshme, për dorëheqjen e Bledi Çuçit dhe Mirela Kumbaro, si dy funksionarët e ndërlidhur direkt me përgjegjësinë e krimit tronditës së Himarës.

Ndëshkimi ligjor i policit ekzekutor nuk mjafton, ai është pasoja, shkaku është më lart!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here