Mossssss! Atje ku s’ka dashuri, njerëzit janë barbarë dhe despotët bëjnë kërdinë?!

0
164

“Atje ku nuk ka dashuri, njerëzit janë barbarë dhe despotët bëjnë kërdinë!”

Nga Artan Fuga.

Për pak më tronditi Sokrati. Duke qenë me formim bazë në Filozofi, si prirja ime e zemrës, sigurisht nuk rri të mendoj e të dyshoj ato mësime të mëdha që na ka lënë Sokrati, filozofi grek i lashtësisë.

Nuk e mendoj dot mendimin e Sokratit, sepse mendimi i Sokratit është baza e aftësisë sime modeste për të menduar. Mendimi, nuk e mendon dot mendimin nga i cili ka rrjedhur!

Po qe se Sokrati do kishte shkruar se “fluturon gomari”, fluturon gomari do kisha thënë edhe unë!

Pa Sokratin në filozofi nuk mendohet dot, as në logjikë, askund. Por, duke rilexuar për të njëmijtën herë për qejf veprën e Platonit, “Banketi” apo “Gostia”, për pak u trondita!

Duke folur për dashurinë, në banket Sokrati e merr fjalën dhe thotë se një shoqëri që në vend të dashurisë së pastër, me ndjenjë, me përkushtim, bazuar te lidhjet e shpirtit, që çojnë në lidhjet trupore, të lirë, të virtytshme, lulëzon kënaqësia vetëm trupore, prostitucioni, urrejtja, mizoria, dhuna mes njerëzve, atëhere shoqëria bie nën dhunën e sundimtarëve dhe të parasë së keqe!

Kur dashuria mes njerëzve zbehet, atë duan diktatorët, tiranët!

Dhe Sokrati u thoshte miqve të tij se kështu ndodh te fqinjët tanë, barbarët që jetojnë në Joni! Mosssssssss, thashë, duke menduar se Jonia është krahina buzë Jonit.

E paska pasur për Ilirët, a Epirotët, na paska futur neve aty!

Qysh në tradita sundimtarët tanë na paskan futur mllefin, urrjetjen, keqësinë, zilinë, egoizmin, blerjen e trupit dhe të shpirtit me parà, egoizmin, thatësinë e ndjenjave, në vend të dashurisë! Se Sokrati shkruan se atje ku nuk ka dashuri dhe solidaritet, miqësi, mes njerëzve, atje despotët bëjnë kërdinë!

Çfarë të bëja?! Fluturon gomari – thotë Sokrati, fluturon gomari, do thosha unë! Ku kam këllqe të them të kundërtën!

Me mërzi nisa të hap atlaset e vjetra të gjeografisë dhe u lehtësova.

Në ato kohë të lashta Jonia paskësh kapur kryesisht ishujt e Egjeut, zonë që nuk kishte të bënte me këtë nahijen tonë.

E po shyqyr, thashë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here