Mesazhet/ Berisha: Fuqia ime buron nga ADN e shqiptarëve, nuk e shpalla armik Ramën kur shpifi në DASH

0
152

Kryetari demokrat, Sali Berisha, e vuri theksin disa herë në konferencën e sotme për shtyp te vota e lirë.

Madje ai tha se Edi Rama do të provojë të gjitha format e revolucionit nëse prek votën. Ky mesazh u keqinterpretua disi nga gazetarët, por Berisha tha se votat do mbrohen.

“Unë e kam thënë edhe më parë që nuk ka votë me Edi Ramën. E kam thënë se ai nuk ka asnjë parim. Ai ka ardhur me votën e lirë në pushtet dhe tani nuk do të ikë nga pushteti. Këta që kritikojnë i ftoj që të bashkohen në front dhe të shohin a do dëgjohet zëri i tyre,” tha Berisha.

Disa herë Berisha përsëriti se e shpalli armik Edi Ramën për votën e lirë, pasi mund ta kishte shpallur armik edhe kur ai dërgoi shpifje për të në Departamentin e Shtetit. I pyetur se si do ia dalë tani që Rama dhe Soros po lobojnë në DASH, Berisha tha se fuqia e tij buron nga ADN e shqiptarëve.

“Fuqia e Sali Berishës, e PD-së, nga themelimi i saj deri më sot, do burojë dhe do burojë nga ADN-ja e shqiptarëve. Që nga shtatori deri më sot, unë jam bazuar vetëm te ADN-ja e shqiptarëve. Unë i besoj shumë asaj.

Nga fillimi i shtatorit kur ishim sa jemi sot në këtë sallë deri te sheshi i 7 korrikut, dëshmon se nuk jam gabuar. Unë prapë do të vazhdoj te ADN-ja e shqiptarëve, duke qenë respektues ndaj miqve dhe partnerëve. Por parësore mbetet ADN e shqiptarëve,” tha Berisha.

Në fund, Berisha tha se një mandat i ri i tij si kryeministër do jetë ndryshe.

“Një mandat i ri do i bëjë shqiptarët të harrojnë Berishën e dytë. Një mandat i ri, do rivendosë liritë dhe të drejtat e tyre. Krahas kësaj, do ketë ndryshime substanciale në ekonominë e tyre.

Të marrësh një borxh siç ka marrë Edi Ramën, borxhi është rritur në qeverinë e mëparshme me 4.4 përqind. U dyfishuan rrogat e pensionet. Në këtë qeverisje, borxhi u rrit nga 62 përqind në 107 dhe rrogat janë 30 përqind më të ulëta.

Sali Berisha do i nxirrte shqiptarët nga varfëria, do kishte rritje të pagave dhe pensioneve, do kishte një transformim rrënjësor të sistemit të arsimit, të shëndetësisë, të jetesës së tyre dhe të dinjitetit të tyre. Nuk do prekej vota e tyre,” tha Berisha, duke ftuar shqiptarët që të jenë gati për lëvizje të tjera.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here