‘Protesta bashkon demokratët’/ Deputetët e PD: Do të dalim më 7 korrik

0
89

Deputetët demokratë i janë bashkuar protestës së 7 korrikut.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e 7 korrikut dhe ka ftuar të gjithë kolegët deputetët e opozitës që të lënë ndasitë mes tyre dhe t’i bashkohen grupeve të punës së protestës, pasi duhet të përfaqësojnë qytetarët opozitarë që i kanë votuar më 25 prill.

“Më datë 7 korrik, çdo opozitar, çdo qytetar i pakënaqur nga kjo qeverisje, çdo socialist i ndershëm, çdo njeri që i ka ardhur deri në fyt duke i vënë shkelmin kjo lloj qeverisjeje, duhet të vijë në shesh dhe të protestoj. Detyra minimale e çdo deputeti, i cili është përfaqësuesi i popullit që ka marrë votat opozitare është që të jetë organizator dhe pjesëmarrës në protestë”.

Edhe deputeti Xhelal Mziu konfirmoi pjesëmarrjen në protestë.

“E rëndësishme është që në 7 korrik është një betejë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm për demokratët. Nuk besoj se ka një situatë më kritike në familjet shqiptare se sa sot, kemi çmime rekord në botë dhe shumë herë më të larta se vendet e rajonit. Kemi papunësinë më të madhe dhe korrupsionin më galopant që mund të ketë një shtet dhe pak ditë më parë zumë dhe vendin e 7-të në botë për sa i përket hashashit. Nuk është një protestë e Berishës, është një protestë e demokratëve kundër kësaj qeverie, e cila nuk duhet të ishte në pushtet për shkak të vjedhjes së votave më 25 prill. Edhe ata socialistë të ndershëm, që e kanë votuar, janë bërë pishman për shkak të situatës ekonomike”, tha Mziu.

Ndërkohë deputetja Grida Duma bëri thirrje për sa më shumë pjesëmarrje.

“Absolutisht po. Kanë bërë shumë mirë që i kanë përfshirë deputetët kudo. E mira është përveç përfshirjes të kërkonin dhe mendime më tej se sa përfshirja. Duhet të kuptojmë qartë që grupi parlamentar duhet të ketë prestigjin e të respektohet si i votuar nga demokratët dhe nga shqiptarët. Si të tillë nuk është vetëm çështje që të jemi në grupe pune, duhet patjetër të konsultohen të gjithë deputetët sa i takon strategjisë që do të ndiqet. Unë jam pro protestave. Besoj që protesta do bashkojë demokratët pastaj se çfarë do bëjë hierarkia lart është çështje më e madhe se kaq,” tha ajo.

Kurse deputeti Flamur Hoxha, ish-sekretar organizativ në PD gjatë kohës kur drejtohej nga Lulzim Basha ka deklaruar se uron që shqiptarët të protestojnë kundër rritjes së çmimeve ashtu si protestuan pas masakrës së 25 prillit. Ai deklaroi se strukturat e PD janë gjithmonë e më të bashkuara, ndërsa shtoi se bashkimi është detyrim për forcën më të madhe opozitare.

“Uroj që shqiptarët të protestojnë si pas masakrës së zgjedhjeve të 25 prillit në të gjithë qarkun e Kukësit. Ky është një rast që protestohet nga çdo shqiptar jo vetëm nga ata që jetojnë këtu por edhe ata që janë larg dhe që duan që Shqipëria të ndryshojë. Strukturat e PD janë gjthmonë të bashkuara. Dhe ne e kemi për detyrë të bashkohemi edhe me ata që i bashkohen forcës më të madhe opozitare, Partisë Demokratike. Në këtë kundërt kot hyjmë në këtë parlament”, deklaroi ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here