Kriptovalutat, Kuvendi i kërkon AMF-së të plotësojë rregulloret në zbatim të ligjit

0
76

Hyrja në fuqi në vitin 2020 e ligjit për “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” ngjalli jo pak debate në atë kohë.

Kjo lidhej me faktin se Shqipëria tashmë po rregullonte me ligj tregtimin e kriptovalutave dhe përpara shtrohej dilema nëse do arrinte t’i kontrollonte siç duhet duke evituar kështu pastrimin e parave në këtë kanal të ri.

Kontrolli dhe specifikat më të detajuara do të duhet të rregulloheshin me akte shtesë rregullatorë të cilët ende sot nuk janë të plotësuar tërësisht. Në projektrezolutën e Kuvendit për aktivitetin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, pika dy e saj ndalet pikërisht tek plotësimi i kuadrit ligjor që mundon.

Kuvendi ka kërkuar që AMF “të miratojë brenda vitit 2022, aktet rregullatore në zbatim të ligjit nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë si dhe të intensifikojë bashkëpunimin me autoritetet rregullatore ndërkombëtare për marrjen e eksperiencave më të mira për këtë treg”.

Një kujdes i shtuar në këtë drejtim është theksuar edhe nga Moneyval që në raportin vjetor të tij theksonte se Shqipëria nuk përparoi shumë në drejtim të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe këtu kishte parasysh edhe standardet e reja të aplikuara për asetet virtuale.

“Raporti monitorues i radhës për Shqipërinë doli në përfundimin se ky vend nuk ka përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet e FATF. Ndër çështjet e tjera, raporti ekzaminoi standardet e reja ndërkombëtare të aplikuara për asetet virtuale, duke përfshirë, kriptovalutat dhe ofruesit e këtyre aseteve. MONEYVAL vendosi që Shqipëria të mbetet monitorim të zgjeruar dhe të raportojë më tej mbi progresin e mëtejshëm për të forcuar zbatimin e masave mbi pastrimin e parave dhe luftës ndaj terrorizmit në baza vjetore” do të nënvizonte Moneyval.

Shqipëria do të ishte ndër të paktat vende që në vitin 2020 vendosi të miratonte ligjin për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.

Ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” ka hyrë në fuqi në datën 1 shtator 2020. Megjithatë, zbatimi i plotë i tij ende nuk është i mundur, pikërisht për shkak të mungesës së të gjitha akteve të nevojshme nënligjore.

Ligji ka në objekt rregullimin e emetimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale; licencimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e shpërndarjes, tregtimit dhe ruajtjes së tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale, e agjentit të tokenëve digjitalë, ofruesit të shërbimeve inovative dhe sipërmarrjes së automatizuar të investimeve kolektive.

Vetëm në nëntor të vitit të kaluar, Bordi i AMF miratoi dy rregulloret e para në zbatim të këtij ligji, “Për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” dhe “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si agjent i tokenit digjital”./Monitor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here