Ndërtimi, fasoni, call center s’gjejnë punonjës, agropërpunimi po i shkurton, si ndikoi kriza në punësim

0
106

Rritja e kostove të lëndëve të para në aktivitetin prodhues dhe në bujqësi pas luftës në Ukrainë ka zbehur perspektivat e punësimit gjatë vitit 2022 në raport me pritshmëritë e fillimit të vitit.

Gjithsesi, ekonomia e vendit ka nevojë edhe për rreth 45 mijë punonjës shtesë këtë vit, kryesisht në fason, call center, ndërtim dhe turizëm.

Bujqësia dhe industria agropërpunuese do të shkurtojnë numrin e punonjësve, pasi nuk mund të transferojnë totalisht kostot e larta në çmime. Turizmi dhe fasoni po rrezikojnë të zgjerohen më tej nga mungesa e punonjësve, teksa janë drejtuar në tregjet aziatike.

Mungesa e aftësive tek të papunët po pengon mbushjen e hendekut.

Tregu i punës, prej vitesh është bërë pengesë për zgjerimin e mëtejshëm në disa sektorë, por pandemia Covid-19, që shkëputi në mënyrë të menjëhershme marrëdhëniet e punës në shumicën e degëve të ekonomisë, la një hendek që ende nuk është mbushur.

Në fund të vitit 2021 ishin mbi 10 mijë të punësuar më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2019, por lufta në Ukrainë dhe rritja e kostove të lëndëve të para në të gjithë sektorët e prodhimit dhe shërbimeve i ka ndryshuar perspektivat e punësimit këtë vit.

Sektori i turizmit, ndërtimit dhe fabrikat e tekstilit dhe këpucëve, call center parashikojnë të zgjerojnë numrin e punonjësve këtë vit me ritme dyshifrore, ndërsa sektori i bujqësisë dhe industria përpunuese ushqimore do të reduktojnë punonjësit, ose në rastin më të mirë, do të mbajnë kuotat aktuale.

Lufta në Ukrainë i dëmtoi më tej zinxhirët e furnizimit që kishin nisur të shfaqnin probleme që pas pandemisë. Çmimet e lëndëve të para gati janë dyfishuar në një vit.

Rritja e kotove me ritme më të larta se çmimet po frenon zgjerimin në bujqësi dhe industrinë ushqimore, që të dyja së bashku punësojnë më shumë së gjysmën e forcës punëtore në vend. Perspektivat e punësimit janë zbehur pas luftës në Ukrainë, gjithsesi disa sektorë kanë një hendek që shkon në rreth 45 mijë punonjës. Teksa në vend numërohen mbi 160 mijë të papunë, 70% e tyre janë afatgjatë, të dekurajuar dhe të paaftë për t’iu përgjigjur nevojës që ka tregu.

Turizmi, nevojat për punonjës, rreth 20% më shumë këtë vit

Sektori i turizmit dhe shërbimet në përgjithësi kërkojnë të zgjerojnë punësimin me rreth 20-30% këtë vit. Rritja e numrit të vizitorëve nga njëra anë, dhe shtimi i strukturave akomoduese nga ana tjetër, po rrisin kërkesën për punonjës të rinj.

Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik në Tiranë, tha se, pavarësisht problematikave që ka krijuar lufta në Ukrainë në sektorin e turizmit dhe shërbimeve ka një hendek 20-30% që duhet të plotësohet me punonjës. Kërkesa më e madhe për punonjës shtesë është në zonat bregdetare, ku vitet e fundit është rritur turizmi i organizuar me kontrata e oferta paraprake.

Zonat e Durrësit, Vlorës, Velipojës, Shëngjinit dhe Sarandës kanë nevojë të shtojnë stafet këtë sezon, por ndërkohë gjetja e punonjësve të rinj po has në vështirësi prej emigracionit lë lartë.

Sektori i shërbimeve që kontribuoi me rreth 30% të punësimit total ofron punë me sezone dhe paga në këtë sektor është më e ulët se paga mesatare në shkallë vendi.

Megjithëse pagat u rritën me ritme më të shpejta gjatë viteve të fundit, sërish paga mesatare në sektorin e akomodimit, në fund të vitit 2021, ishte 23% më e ulët se paga mesatare në vend.

Paga mesatare zyrtare bruto në sektorin e turizmit arriti në 45,988 lekë në fund të vitit, ndërsa paga mesatare mujore bruto në shkallë vendi arriti në 59,565 lekë.

Në tremujorin e fundit të vitit 2020, paga mesatare në sektorin e turizmit shënoi rritjen vjetore më të lartë me rreth 12%, duke e ngushtuar hendekun me pagën mesatare në shkallë vendi me 2 pikë përqindje në dy vjet.

Sektori i shërbimeve, sidomos akomodimi dhe restorantet, udhëhoqën rritjen e pagave dhe punësimit gjatë viteve të fundit, por nevojat sërish mbeten shumë të larta. Fatos Çerenishti, i cili zotëron FAFA Group, ndër grupet hoteliere më të mëdha në vend, tha se gjetja e punonjësve është shndërruar në një nga problematikat madhore në sektor.

Mungesat e punonjësve nga tregu vendas e kanë bërë z. Çerenishti dhe shumë të tjerë në sektor t’i drejtohen tregut aziatik. “Jemi munduar të bëjmë rritje pagash, pasi na duhet të mbajmë stafin e trajnuar që na mundëson shërbim me standard. Gjithsesi, pavarësisht rritjes së pagave, mjedisi mbetet sfidues, pasi hapen struktura të reja dhe nevoja për staf është e vazhdueshme.

Problemi më i madh këtë vit kanë qenë punonjësit dhe duke qenë se nuk po gjejmë në vend, jemi lidhur me 2-3 agjenci për t’i marrë nga shtete të tjera. Ne shpresojmë që 40 punonjësit e parë të huaj nga vendet e Azisë të vijnë së shpejti, sikurse kemi rënë dakord” – tha Çerenishti.

Turizmi ka qenë në presion të vazhdueshëm dhe shumica e strukturave të mëdha pohojnë se u është dashur të rrisin pagat, për të mbajtur në punë stafin apo për të marrë punonjës të rinj për nevojat që kanë në pozicione specifike.

Pavarësisht realitetit të ri që ka krijuar lufta në Ukrainë, strukturat akomoduese presin më shumë vizitorë këtë vit. Pas gati dy vitesh kufizime të rrepta në lëvizje nga pandemia Covid-19, interesi për udhëtime do të rritet këtë vit, edhe pse kostot e jetesës po ushtrojnë presion mbi shpenzimet që lidhen me argëtimin.

Strukturat e mëdha hoteliere në vend janë shitur që verën e kaluar. Mirëpo fitimet e sektorit kërcënohen nga rritja e kostove të lëndëve të para këtë vit, teksa çmimet e paketave turistike janë negociuar me çmimet e vitit të kaluar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here