Ekspertët flasin për elozhetë ndaj Ramës: Përpiqen të ndërtojnë “kultin e individit”, ky ‘adhurim’ shkon përtej Kuvendit dhe kabinetit qeveritar

0
101

Në fillim të muajit mars, në median online, qarkulloi një deklaratë e Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, ku ajo shprehej se kryeministri Edi Rama ishte në rrugën e duhur për t’u bërë si Zeusi – zoti i qiellit në mitologjinë e lashtë greke.

“Zoti Rama vërtetë nuk është Zeusi, por unë do e perifrazoja nuk është akoma Zeusi, por është në rrugën e duhur, pasi përveç pjesës që ai ka në staf dhe në qeveri është edhe opozita me qëndrimet e ditëpasditshme, është duke dhënë dhe ajo kontributin e vet që me pas një Zeus” – citohet Bilali, në një fjali komplekse dhe logjikisht të trazuar.

Pas publikimit të deklaratës, ministrja sqaroi se ky pohim ishte bërë në vitin 2017, kohë kur ajo militonte në radhët e shoqërisë civile.

Shpjegimi nuk e pengoi krahasimin e pazakontë të bëhej viral, për shkak të ngjashmërisë së pohimit të Bilalit me të tjera deklarata mitizuese nga socialistët për liderin e tyre.

Këto deklarata, sipas ekspertëve, kanë krijuar ndër vite një narrativë komunikimi me publikun që duket se përpiqet të ndërtojë “kultin e individit” – një fenomen që i ka rrënjët në kulturën e regjimeve autoritare.

Edhe pse epitetet dhe krahasimet që vartësit politik i bëjnë Ramës janë hiperbolizuese, vetë kryeministrit i pëlqen t’i përdorë në kontekste të ndryshme.

Gara e elozheve ndaj Ramës u hap në vitin 2017 nga Ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila e krahasoi shefin e saj socialist me heroin tonë kombëtar Skënderbeun – i shpallur nga Papa si ‘Atelet i Krishtit’.

Deklarata e Spiropalit u pasua nga vlerësime të ngjashme të deputetëve dhe ministrave socialistë.

Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi madje i veshi Ramës veti mbinjerëzore gjatë një komunikimi për problemet e pronësisë me fermerët në jug të vendit.

“Katrahurën që është bërë me pronësinë në këtë vend nuk ka tokësor që ta zgjidhi, përveç Edi Ramës…”- tha ai.

Ndërsa një tjetër ministre socialiste, Milva Ikonomi, duke shprehur admirimin e saj për shefin, e cilësoi atë një markë ndërkombëtare.

“Unë shumë shpesh mendoj që nëse ka një ‘brand’ aktual Shqipëria përtej kufirit, unë mendoj që brandi që ka Shqipëria sot quhet Edi Rama”- u shpreh Ikonomi në një takim me studentë në Universitetin Europian të Tiranës disa vite më parë.

“Në çdo takim ndërkombëtar që kemi shkuar, nga diskutimet që bën, tezat që ngre për diskutim, të bën shumë përshtypje, sepse është nga ata njerëzit që globin e ka te koka” – shtoi ajo.

Gjatë fushatës së fundit elektorale për zgjedhjet parlamentare – para se të dorëhiqej nga politika, edhe Gramoz Ruçi iu bashkua kësaj narrative duke e cilësuar Ramën lider të pakonkurrueshëm.

“Nuk ka konkurrent tjetër, është ai i pari e janë shumë vende bosh” – deklaroi Ruçi, i cili nuk njihet si një orator i hollë.

Adhurimi semantik për vetitë e lidershipit të Ramës shkon përtej Kuvendit dhe kabinetit qeveritar.

“Është ndjerë dora e Edi Ramës, si dora e Zotit”- deklaroi kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli, pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019.

Kolegu i tij nga Tepelena, Tërmet Peçi, i drejtohej Ramës gjatë takimeve publike si “komandant”, duke bërë një analogji të dukshme me ish-diktatorin Enver Hoxha – Komandant i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ekspertët e shohin me habi këtë fenomen që sipas tyre mbart ngjashmëri me të shkuarën autoritare të vendit por edhe elementë të komunikimit modern politik.

Për eksperten e komunikimit, Edlira Gjoni, thurja e lavdeve dhe krahasimet publike me figura apo simbole të admiruara, janë baza e ngritjes së kultit të individit në politikë.

“Vjen e trishtë e gjitha kjo përpjekje masive e ministreve për të ushqyer në publik figurën e idhullit, imazhin e heroit e atë të liderit që triumfon, edhe pse sulmohet nga të gjithë”- u shpreh ajo.

Për Ermal Hasimen, ekspert i Shkencave Politike dhe Komunikimit, glorifikimi i liderit politik nga mbështetësit nuk është një proces i padëgjuar për politikën bashkëkohore.

“Qendërzimi i vëmendjes së individit në politikën bashkëkohore është pjesë e një procesi normal thjeshtëzimi në minimumin e nevojshëm të komunikimit dhe përfaqësimit” -shpjegoi ai.

Sipas Hasimes, këto qëndrime janë më tepër për konsum të brendshëm brenda partisë dhe për aq sa i drejtohen publikut synojnë më tepër zgjedhësin e majtë. Ai e sheh këtë fenomen gjithashtu të lidhur me traditën popullore të sjelljes ndaj figurave politike në Shqipëri.

“Udhëheqësit e partive kryesore në Shqipëri kanë këngë në emrin e tyre, të bëra jo nga ministra por nga mbështetës të tyre të thjeshtë”- theksoi ai.

Me mentalitetin shoqëror dhe mungesën e emancipimit politik e lidh këtë fenomen edhe Skënder Minxhozi, analist i politikës, sipas të cilit, krahasimet që i bëhen Ramës nga socialistët janë komike dhe nuk duhen marrë seriozisht.

“I pari që tallet e ironizon me këtë gjë është vetë Rama” – tha Minxhozi duke shtuar se “kemi të bëjmë me një deformim social që e tejkalon këtë rast konkret”.

“Mesa duket duhet edhe shumë kohë që ne shqiptarët të demistifikojmë drejtuesit e vendit dhe ky është një proces emancipimi që do të marrë kohë”- shtoi ai.

Edhe për Gjonin këto deklarata janë në kufijtë e qesharakes, pasi ngjajnë me metodat primitive të propagandës së kohës së diktaturës.

“Ndryshe nga ajo kohë kur mezi kishte radio për të dëgjuar liderët, sot gjithkush i sheh, i dëgjon, i verifikon ato që thotë lideri, ndaj edhe përpjekjet e ministrave për ta bërë Ramën Skënderbe e Zeus, tingëllojnë dëshpërimisht qesharake” – gjykoi ajo.

Shqipëria si një vend ish-komunist ka vuajtur nga “kulti i individit”, ku udhëheqësi nëpërmjet propagandës kishte krijuar një imazh të idealizuar të vetes, ndërsa ushtronte të gjitha pushtetet dhe kontrollonte jetën e qytetarëve.

Profesor Daniel Ursprung, studiues i sistemeve dikatoriale, ngre shqetësimin për rolin që luan media në krijimin e kultit të individit në vendet me të shkuar komuniste.

“Kurrë nuk duhet lënë një lider që të bëhet shumë i fuqishëm. Duhet ushtruar parimi i demokracisë “check and balance” – kontroll dhe ekuilibër. Nuk ka një person apo një institucion të vetëm që të ketë të gjitha pushtetet. Përkundrazi, në demokraci pushtetet nuk i ushtron një njeri i vetëm dhe as një institucion i vetëm. Është shumë i rëndësishëm roli i shoqërisë civile dhe i medias për të vëzhguar se çfarë po bën qeveria, për të kritikuar në kuptimin pozitiv të fjalës kultin e individit. Pikërisht ky ështe mësimi i madh që jep e kaluara” – shprehet Ursprung për radion Deutche Welle.

Sipas Gjonit narrativa e kultit të individit është shumë e rrezikshme në shekullin e XXI. Sipas saj, pikërisht në këtë drejtim, PS-ja në pushtet po përdor teknika që nuk janë aspak demokratike.

“Socialistët përdorin ende teknikat e masmedias, propagandës, gënjeshtrave – pa ua bërë syri tërr, lajmet e rreme, spektaklet, koncertet masive, keqpërdorimin e artit, frikës, të pseudo-dashurisë e kujdesit për njerëzit e për popullin”- tha ajo.

Të gjithë këto teknika të specialistëve socialistë janë metoda që përdoren nga vende si tonat – me vetëm një parti, pa opozitë, me shtet të dominuar nga partia në pushtet, jo nga ligji në fuqi, me tipare totalitarizmi e autokracie”- shtoi Gjoni.

Hasimja thekson se për shqiptarët krijimi i kultit të individit është një dukuri më e hershme se koha e komunizmit.

“Duket sikur vërtetohet ai kompleksi i famshëm i Edipit përmes këtij roli të babait si model i plotfuqisë dhe njëkohësisht babait të urryer që duhet përmbysur”- shpjegoi ai.

Hasimja nënvizoi se në komunizëm kulti i individit mbështetej te frika nga udhëheqësi, ndërsa në ditët e sotme, kulti i individit i shërben më tepër ngjitjes së shkallëve në karrierë. Ai theksoi se ka një dallim kryesor mes imazhit të udhëheqësit në një demokraci normale dhe imazhit të tij në “pothuajse-demokracinë” shqiptare.

“Në Perëndim udhëheqësi përpiqet të duket kryesisht si ‘njëri nga ne’ duke shfaqur aftësi më të arrira se njeriu i zakonshëm, ndërsa në Shqipëri udhëheqësi përpiqet të portretizohet si dikush i jashtëzakonshëm, që herë pas herë i lejon vetes të duket si ‘njëri nga ne’”- tha ai.

Sipas Hasime, kjo kontradiktë me Perëndimin vjen kryesisht nga fakti se udhëheqësi ka një pushtet të jashtëzakonshëm mbi jetën e individit në Shqipëri.

“Shpesh udhëheqësi mund të ndërhyjë për një vend pune a një favor tjetër të ngjashëm që i ndryshon jetën votuesit individual” – tha ai.

“Në një demokraci normale kjo është e pamundur dhe votuesi individual angazhohet për shkak të bindjeve e jo për përfitime personale”- përfundoi Hasimja.

Ndërsa Minxhozi e sheh narrativën që prodhon kultin e individit si një fenomen pa kohë dhe pa sistem ideologjik.

“Natyrisht komunizmi prodhoi një kult individi të skajshëm tek figura e Enver Hoxhës dhe byroistëve të tjerë të kohës, por në përgjithësi gjykoj se servilizmi dhe fetishizimi janë fenomene që i tejkalojnë periudhat e caktuara historike”- tha ai.

Sipas Minxhozit, më shumë sesa e rrezikshme, narrativa e socialistëve tregon “papjekuri dhe mosdalje nga cikli i tranzicionit dhe i demokracisë hibride”.

Minxhozi mendon se ky është një fenomen që dëshmon “nevojën urgjente për rotacionin dhe freskimin e elitës politike në vend”./ BIRN/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here