Kredia e re është rritur me 308 milionë euro ose 37.6 miliard lekë për dy muajt e parë të vitit

0
91

Kreditimi i ekonomisë e ka nisur me ritme të shpejta vitin 2022.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për periudhën janar-shkurt sektori bankar dha hua të reja në vlerën e 37.6 miliardë lekëve ose rreth 308 milionë eurove.

Kredia e re për ekonominë është rritur me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe përfaqëson vlerën më të lartë të këtij treguesi për të paktën gjashtë vitet e fundit. Kreditimi po shfaq një tendencë pozitive në të gjitha segmentet kryesore të tregut.

Kredia për ndërmarrjet private në dy muaj arriti vlerën e 23 miliardë lekëve, në rritje me 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja ka shënuar edhe huaja për kompanitë publike, me një shumë totale prej 3.7 miliardë lekësh, tre herë më shumë krahasuar me një vit më parë.

Prej tremujorit të fundit të vitit të kaluar, kompanitë publike kanë dhënë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e kredisë, për shkak të nevojave të mëdha për blerje të energjisë elektrike nga importi. Segmenti i individëve po shfaq tendencë pozitive edhe këtë vit, me një vlerë të kredisë së re prej 10.8 miliardë lekësh, në rritje me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Madhësia totale e portofolit të kredisë për ekonominë, e shprehur si tepricë, në fund të muajit shkurt arriti vlerën rekord të 674 miliardë lekëve ose 5.5 miliardë eurove. Portofoli i kredisë për ekonominë rezulton në rritje me 10.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja më e lartë vazhdon të jetë në segmentin e individëve, ku portofoli është rritje vjetore me 12.8%, ndërsa për bizneset rritja në fund të shkurtit ishte 7.8%.

Megjithë rreziqet në rritje nga inflacioni, të forcuara më tepër prej luftës në Ukrainë, kreditimi i ekonomisë ka vijuar rritjen me ritme dyshifrore, duke reflektuar një ndikim të pakët negative të situatës së krijuar tek oferta dhe kërkesa për kredi bankare. Megjithatë, shtimi i këtyre rreziqeve dhe ndryshimi i kursit të politikës monetare janë faktorë që potencialisht mund të reflektohen në një shtrëngim të ofertës për kredi nga sektori bankar.

Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit për herë të parë pas 11 vjetësh javën e kaluar, ndërsa pritshmëritë për inflacionin e lartë bëjnë të mundshme rritje të mëtëjeshme në vazhdim.

Kjo pritet të reflektohet në çmime më të larta të huasë bankare dhe ndoshta kushte më të shtrënguara financimi. Normat më të larta të interesit e shtojnë barrën e huave në bilancet e bizneseve dhe familjeve, çka mund ta bëjë më pak të përballueshme financimin e investimeve të reja me kredi bankare, duke konsideruar edhe niveelt në rritje të inflacionit.

Megjithatë, në afatin e shkurtër rritja e çmimeve mund të rrisë kërkesën nga biznesi për kredi për kapital qarkullues. Në mënyrë specifike për bizneset importuese, qeveria ka paralajmëruar çeljen e një fondi të ri të garancisë sovrane për të mundësuar blerjen e sasive më të mëdha të mallrave të konsumit nga importi./E.Shehu


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here