38 milionë euro për blerjen e energjisë në tregun e lirë vetëm për gjysmën e nëntorit

0
79

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), një nga tre kompanitë pjesë e OSHEE Group, ka arritur të sigurojë energjinë elektrike deri më datë 16 nëntor por çmimet me të cilat është siguruar kjo energji vijojnë të jenë të “kripura”.

Vetëm për këtë periudhë që korrespondon me 3-16 nëntor FTL pjesë e OSHEE Group ka shpenzuar 38 milionë euro, me çmime që luhaten nga 240-280 euro/mwh. Çmimet e çmendura të energjisë që nisën në shtator të këtij viti nuk po duket të kenë ndonjë ulje edhe pse në ditë të caktuara në Bursën e Hungarisë ka nivele relativisht të ulëta në raport me shifrat 360 euro/ MWh që pamë në tetor për oraret e pik.

Aktualisht Furnizuesi i Tregut të Lirë po ble nga kompanitë vendase, teksa shifrat e larta që po paguhen vijnë në një kohë kur prodhimi vendas mbetet i ulët. Situata hidrike aspak favorizuese që fillimisht kishte shpresa se do të përmirësohej me vjeshtën po vijon të mbetet problematike.

Tre kompanitë publike të tregut si OSHEE, KESH dhe OST janë fokusuar tek përballimi i situatës që u cilësua si gjendje e jashtëzakonshme e furnizimit me energji dhe që me një vendim qeveria u vendos se do të zgjatë seri më 15 prill 2022.

Vetëm në tetor, FTL pagoi për të siguruar energjinë e nevojshme për konsum rreth 65 milionë euro, një shumë kjo rekord dhe më e madhja e regjistruar ndonjëherë në një hark të tillë kohor prej më pak se 30 ditësh.

Qeveria parashikoi 100 milionë euro për këtë vit për OSHEE në funksion të sigurimit të energjisë për konsumin në vend teksa 100 milionë të tjera do të jenë në dispozicion për vitin tjetër. Kompania publike e shpërndarjes ka parashikuar që për shkak të krizës energjetike të ketë një vit bilanc negative gjatë këtij viti.

Zgjidhja më e shpejtë që është menduar është ajo e nxjerrjes në treg të lirë e të paktën 7 mijë bizneseve që janë të lidhur në tension të mesëm. Kjo do të ulë koston për OSHEE e cila do të ketë detyrimin të furnizojë vetëm konsumatorët familjare dhe ata në tension të ulët ndërsa ata në treg të lirë do të duhet ta sigurojnë të vetëm këtë energji me çmime tregu.

Konfirmimin për këtë hap e ka deklaruar edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, duke nënvizuar se dalja e këtyre bizneseve në treg të lirë do të jetë në janar 2022.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here