Rritja e çmimeve/ Basha nuk le pa përmendur propozimin e tij: Plani ynë prej 7 pikash, shpëton ekonominë shqiptare

0
61

Në fjalën e tij në seancë plenare, ndërsa akuzoi qeverinë për situatën kritike, sipas tij, ku ndodhet vendi sot, kryedemokrati Lulzim Basha rilexoi edhe një herë propozimet e PD si masa emergjente që duhet të merren për të lehtësuar sado pak familjet shqiptare.

“E në këtë pikë kritike ku e keni çuar vendin, si të vetmit përgjegjës të një pushteti që e keni ushtruar vetëm ju, as qytetarët dhe as ne, nuk mund të presim reflektimin tuaj.

Prandaj na lind e drejta të japim propozimet tona për ato që ne mendojmë se janë disa masa emergjente që duhet të merren për të lehtësuar sado pak familjet shqiptare.

E para, është heqja e taksës Rama, prej 240 lekësh për litër karburanti. Erdhe në pushtet me premtimin që do të ulje çmimin e karburantit, bëre të kundërtën. Tani është momenti t’i lehtësosh qytetarët nga kjo taksë që mund të shtojë konsumin e tyre dhe ulë çmimet e prodhimit.

E dyta, është ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ne e kemi depozituar propozimin tonë, si masë emergjente, e shoqëruar me monitorimin e duhur që përfituesit të jenë konsumatorët dhe jo spekulantët, kjo masë do të lehtësoj disi lakun që rritja e çmimeve ka hedhur mbi qafën e drobitur të familjeve shqiptare.

E treta, është nuk mund të quhet as masë, por është vetëm inkurajim që të respektohet ligji, dhe lidhet me faturimin e sasisë dhe të çmimit real të konsumit të energjisë që oligarkët, me të cilit hani e pini nga mëngjesi në darkë, që keni apo ju kanë në patronazhim, konsumojnë të favorizuar na ju, në kurriz të qytetarëve.

E katërta, është një masë që po aplikohet edhe në vendet e BE-së dhe është subvencionimi i çmimit të energjisë për qytetarët.

E pesta, është mirëmenaxhimi dhe ndaja e shpenzimeve të shfrenuara të OSHEE dhe KESH, të cilat janë kthyer në zhvatëse të parave të qytetarëve, dhe e kanë çuar për skrap të ashtuquajturën reformë që ju trumbetuat në fushën e energjetikës, por që vetëm ka rritur çmimin e energjisë duke e bërë më të lartin në rajon, ndërsa humbjet vijojnë sepse këto institucione janë kuvli militantësh që prodhojnë vetëm korrupsion dhe klientelizëm.

E gjashta, ristrukturim i buxhetit për t’u bërë gati për ta vendosur atë në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së tyre, e jo të klientëve tuaj. E di që kjo është pikë ju dhemb, sepse duhet të hiqni dorë nga rrugët e florinjta me 20 milionë euro kilometri, nga koncensionet apo nga shpenzimet e luksit, por në këtë moment nuk ka zgjidhje edhe-edhe, edhe qytetarët edhe oligarkët, jo, ky është një moment ose-ose, ose qytetarët, ose oligarkët dhe pushtetarët e babëzitur që nuk shqiten nga benevrekët e tyre.

E shtata, është më shumë para për shtresat në nevojë.

Sigurisht këto nuk përbëjnë një zgjidhje afatgjatë, sepse Shqipëria kërkon reforma strukturore në fushën e energjisë, e burimeve natyrore, të bujqësisë, të kërkimit dhe dijes, në të gjitha fushat që në 8 vite nuk ditët t’i bëni dhe nuk pres t’i bëni tani, sidomos duke parë mjerimin në të cilin e keni zhytur vendin, duke vrarë konkurrencën, duke asgjësuar shtresën e mesme, duke e varur zhvillimin ekonomik vetëm nga interesat e oligarkëve dhe nga paraja e pisët e korrupsionit dhe drogës që po kriminalizon ekonominë.

Këtë nuk e bëni dot ju, këtë nuk e bën dot ky produkt i masakrës së 25 prillit, që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptar.” tha Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here