Kushtetuesja pezullon gjykimin dhe çon në Komisionin e Venecias zgjedhjet e 30 qershorit

0
185

Gjykata Kushtetuese pezullon gjykimin dhe vendos ti drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë mendim lidhur me padinë e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershori në 2019.

Trupa gjykuese u ka kërkuar palëve përfaqësuese në çështje të dërgojnë nga një pyetje që ti adresohet Komisionit të Venecias deri në 25 qershor.

Voltana Ademi  duke folur pas seancës maratonë tha se është krenare që Kushtetusja u vu në lëvizje për këtë çështje nga Shoqata e Bashkive e drejtuar prej saj dhe shtoi se shpreson që të kemi sa më shpejt një vendim përfundimtar për 30 qershorin.

Voltana Ademi: Në Gjykatën Kushtetuese sapo ka përfunduar seanca plenare për shqyrtimin e kerkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë lidhur me “zgjedhjet” e 30 qershor 2019. Së pari, dua të falenderoj të gjitha mediat që më kanë ndjekur në këtë betejë për demokracinë dhe pluralizmin vendor.

Së dyti, falenderimi shkon për trupën e Gjykatës Kushtetuese, për kohën dhe përkushtimin e tyre në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe të drejtave të njeriut. Ky proces ka rëndësi madhore për themelet e demokracisë dhe pluralizmit dhe shpresojmë që gjykata të kontribuojë, përmes shqyrtimit të kërkesës sonë, në rregullimin e këtyre themeleve që janë tronditur nga “zgjedhjet” e 30 qershorit dhe mos të përsëriten më të tilla raste.

Jemi krenarë nga ana tjetër, pasi është një arritje me vete që ky proces u konceptua dhe u nis nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, si pjesë e shoqërisë civile që ndërhyn për të bllokuar veprime arbitrare të politikës.

Kam bindjen që pluralizmin nuk do ta asgjësojë asnjë autokraci dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë kthimin në jetë të pluralizmit politik në nivel vendor dhe për rrjedhojë edhe të demokracisë vendore.

Kam bindje që Gjykata Kushtetuese  do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist, drejtësi për çdo institucion aktor dhe faktor që kanë detyrim të zbatojnë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën.

Shpresojmë sa më shpejt të kemi një vendim përfundimtar.

Ademi apo Ndreu, kush drejton Shoqatën e Bashkive?

Ademi nuk nguroi ti përgjigjet edhe përfaqësueses së qeverisë, e cila deklaroi gjatë seancës në Kushtetuese se ajo nuk është më kryetare e Shoqatës së Bashkive.

Voltana Ademi: Unë jam kryetarja e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, jam këtu duke përfaqësuar me të gjitha tagret Shoqatën e Bashkisë dhe procesi e dëshmoi këtë.

Presidenca: A kishte garë në 2019? Kuvendi e Qeveria: Ademi nuk është më kryetare

Gjyqtarët në një seancë maratonë kanë dëgjuar si fillim argumentat e Shoqatës së Bashkive, e cila drejtohet nga demokratja Voltana Ademi që kërkon shpalljen antikushtetues të procesit elektoral të 30 qershorit.

Në themel të padisë së kryetares së bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, është dekreti i presidenti Meta, i cili i shtyu zgjedhjet nga 30 qershori në 13 tetor.

Sipas juristit, Jordan Danci, dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve është në fuqi pasi asnjë organ nuk e ka shfuqizuar, dhe për këtë arsye procesi i 30 qershorit është në shkelje të Kushtetutës.

Një tjetër argument i tij është edhe fakti që në 30 bashki nuk kishte garë, pasi në zgjedhje mori pjesë vetëm 1 kandidat.

Por edhe aty ku kishte kandidatë, procesi sipas juristit Daci është i paligjshëm për faktin se Bindja Demokratike është regjistruar në shkelje të afateve kushtetuese.

Thuajse me të njëjtat argumenta ishte edhe përfaqësuesi ligjor i Presidencës, i cili ngriti pyetjet nëse zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, garantuan garë? I dhanë mundësinë qytetarëve të votojnë për alternativë? Dhe a u garantua fshehtësia e votës apo liria e votuesit?

Juristi Dervishi tha se edhe Komisioni i Venecias ja ka njohur të drejtën Presidentit për dekret e kjo gjatë debatit në Komisionin Hetimor kur u kërkua shkarkimi i tij pikërisht për këtë çështje.

Përfaqësuesi Presidentit, tha se Ilir Meta shmangu një konflikt civil, duke u ofruar palëve mundësine e uljes në diskutime.

Zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019 ishin zgjedhjet e para në 3 dekada që u bojkotuan nga PD dhe LSI, duke bërë që PS të fitonte të gjitha bashkitë në vend.

Përfaqësuesja e qeverisë para trupës kërkoi pezullimin e diskutimit për shkak se Voltana Ademi nuk është më kryetare e shoqatës.

Për shkak se zëvendësimi i saj me Pjerin Ndreun është në gjykatë, Elira Kokona kërkoi që çështja të shtyhet, çka u refuzua nga gjykata.

Madje më tej Kokona kërkoi rrëzimin e padisë për shkak se kushtetuesja nuk ka juridiksion të shqyrtojë kërkesën e shoqatës.

“Nuk mundet një shoqatë që të kryesohet e përfaqësohet nga ish-kryetari. Jemi në kushtet kur shoqata përfaqësohet nga një avokat i autorizuar nga ish-kryetari.Jemi në kushtet e mungesës së përfaqësimit në këtë seancë. Në vitin 2019 është kryer një proces zgjedhor që nuk ka pasur ndalesa ndaj subjekteve zgjedhore dhe votuesve.Kryetari i shoqatës nuk mund të jetë një ish-kryetar. Sot kërkuesi nuk ka tagër të jetë në seancë”.

Me të njëjtin argument u paraqit dhe përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbri, e cila shtoi se Presidenti ka në detyrë të caktojë datën e zgjedhjeve dhe jo anulimin.

Të përfshirë në çështje ishin dhe përfaqësuesit e Partisë Bindja, të cilët sqaruan pozicionin e tyre sa i përket regjistrimit në zgjedhjet vendore të vitit 2019.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here