Shehu: Bashkëpunimi më i mirë i opozitës të tregojë gjendjen reale të vendit…

0
95

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, tha sot për ATSH-në se gara brenda PD-së ishte një garë normale, racionale, brenda standardeve.

Ndryshe nga “Grupi për PD” që pretendon se procesi ishte i parregullt, Shehu deklaroi se ky proces ishte i rregullt dhe me standarde.

“Ky proces zgjedhor ishte një proces normal, brenda standardeve dhe rregullave me kandidim të lirë të katër kandidatëve, ku gjithsekush shprehu mendimet e tij dhe ku u dallua korrektësia e Bashës i cili iu përmbajt ideve, programeve, mendimeve të tij për të zhvilluar më tej PD, pa hyrë në konflikte, apo debate jo të përshtatshme me kandidatët e tjerë”, tha Shehu.

“Ishte një proces që duhej bërë. Ndoshta dikush mund të thotë se ishte i përshpejtuar dhe kjo është e vërtetë, mund të ketë qenë i përshpejtuar, por që realisht u shpërthye nga kërkesat e menjëhershme që erdhën nga nivele të Këshillit Kombëtar për dorëheqjen e Bashës dhe e dyta nga shpallja e kandidaturës së një anëtari të kryesisë për të qenë kryetari i ardhshëm i PD-së, gjë e cila vuri në lëvizje mekanizmin dhe që ishte një nga shkaqet që imponoi këtë mekanizëm të përshpejtuar. Por procesi u zhvillua brenda standardeve, brenda rregullave të lojës në një garë të brendshme”, tha ai.

Shehu theksoi se gara brenda PD-së ishte një garë normale, racionale, brenda standardeve. “E mira do ishte që kjo garë mund të zhvillohej në një hapësirë kohore tjetër, po u imponua nga ata që pa mbaruar numërimi i votave kërkuan qoftë dorëheqjen e kryetarit dhe shpallën kandidaturën për kryetarin e PD”, vijoi ai.

Si doli PD nga këto zgjedhje dhe me çfarë strategjie do të përballet me mazhorancën?

“Mendoj se Partia Demokratike do të hyjë në një proces tjetër, apo në dy procese të tjera. Procesi i parë është procesi i analizës se rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, masakrës elektorale të kryer nga kjo mazhorancë por dhe të analizës së punës tonë, të atyre elementëve që ne duhet të përmirësojmë, për përcaktimin e formave të reja organizative, përshtatjes organizative apo politikë të situatës tragjike që po kalon vendi. Kjo është njëra anë dhe pastaj caktohet një kongres i PD i cili padyshim do marri mendimet e përgjithshme, analizat dhe më pas do të marri vendimet përkatëse, qoftë në organizmat drejtues të PD-së, qoftë programet apo për përshtatjen në një situatë të re, kaq të vështirë ku është Shqipëria”, tha Shehu.

Në lidhje, se PD nuk heq dorë nga qëndrimi i saj së këto zgjedhje ishin një masakër zgjedhore, por nga ana tjetër thuhet se PD do ti pranojë mandate, Shehu tha se “dua të jem shumë i qartë. E para, që kjo është një masakër zgjedhore dhe një deformim i thellë i procesit zgjedhorë dhe i demokracisë kjo nuk ka diskutim dhe kjo është vërtetuar dhe do të vërtetohet më tej”.

“PD po paraqet një material të plotë të cilin do ta shpërndajë kudo te partnerët ndërkombëtarë, te misionet ndërkombëtare për atë çfarë ndodhi në raport me zgjedhjet e 25 prillit. Por nga ana tjetër PD në mënyrë të padiskutueshme duhet të përdori të gjitha hapësirat politike institucionale që i jep Kushtetuta e vendit për t’u ballafaquar me këtë regjim, ashtu siç do të përdori institucionet do të përdori edhe sheshet, protesta. Kështu që këtu kërkohet koordinim dhe bashkëpunim i tërë hapësirave për të bërë luftën e saj opozitare, duke filluar që nga Kuvendi i ri që do të krijohet, me kontakte ndërkombëtare, me dialogun me publikun shqiptar”, tha Shehu.

Shehu shprehu opinionin e tij edhe për deklaratat e kryeministrit Rama, i cili ka shtrirë dorën e bashkëpunimit. “Bashkëpunimi më i mirë që mund të bëjë opozita është që të ngrejë problemet reale në vend, është të tregojë gjendjen reale ku është vendi”, u shpreh Shehu.

“Bashkëpunimi më i mirë dhe me vlera që opozita mund të bëjë është të bëjë rolin e opozitës së fortë, të qartë, transparente, dinamike, gjithëpërfshirëse, të gjerë duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të bërë opozitë. Veçanërisht në këto momente Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen se a do të jetë opozita e bashkuar pas zgjedhjeve, apo PD do mbajë peshën kryesore, Shehu tha se “peshën më të madhe e ka PD, por kjo nuk mohon domosdoshmërinë e të gjithë faktorëve për të qenë bashkë me të gjithë ata që duan t’i vihen këtij regjimi, me të gjithë ata që duan realisht të luftojnë për demokraci, për integrim për perëndim, për vlera, për zhvillim të këtij vendi”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here