Kush është këngëtarja franceze që u shpall e dyta në Eurovision. Nga kamariere në majën e muzikës…

0
94

Nga Mentor Hoxha (Paris )

Me 22 maj u zhvillua në Roterdam të Hollandës nata finale e konkursit të 65 Eurovision Song Contest 2021. Vendin e parë e zuri Italia (529 pikë), të dytin Franca (499 pikë) dhe të tretin shqiptari, Gjon Muharremaj (Gjon’s Tears, 432 pikë), i cili përfaqësonte Zvicrën. Përfaqësuesja e Francës, këngëtarja profesioniste, Barbara Pravi e humbi vendin e parë për vetëm 30 pikë. Ajo mbrojti flamurin trengjyrësh me një interpretim të shkëlqyer me këngën “Voilà”. Kjo këngë e shkruar dhe kompozuar po nga vetë, është historia e saj dhe një pjesë plot emocion në traditën më të pastër të këngës franceze. Autorja e përshkruan veten si “këngëtare në gjysmë të rrugës” dhe këngën “Voilà” si autoportret dhe si një shëtitje harmonike. “Voilà” ishte kënga më e vështirë dhe e dhimbshme për mua. Është një këngë që luan shumë me energjinë dhe emocionet. Ishte një këngë shumë e vështirë për t’u shkruar. Unë kam 15 versione të Voilà në tekst”, -thotë Barbara në RTL. Me krahë hapur, këngëtarja 27 vjeçare e jetoi me intensitet këngën e saj. Duartrokitjet ishin të forta në fund të performancës së saj. Juria profesioniste nga 39 vendet pjesëmarrëse dhe publiku u tronditën dhe e vendosën atë në vendin e dytë, pas rokerëve italianë Måneskin.
Barbara dhe kënga e saj Voilà, shumë Piaf në frymë, nuk i dhuruan Francës fitoren që ka pritur që nga kënga fituese “L’oiseau et l’Enfant” (1977), interpretuar nga Marie Myriam. Nëse interpretuesja e këngës fituese më 1977 kishte sytë e dritës, Barbara Pravi prezantoi në festivalin e sivjetshëm “një vajzë me sy të zinj dhe një ëndërr të çmendur”. Ajo është padyshim ajo për të cilën flet në këtë këngë, e bashkë-shkruar me Igit, ish-kandidat për “The Voice”. Një tekst në të cilin ajo dorëzohet pa make-up. Barbara nuk arriti ta gdhend emrin e saj si fituese e festivalit të sivjetshëm Evropian, megjithëse i pati të gjitha shanset, por kënga e saj ishte dhe vazhdon të jetë një hit në skenën muzikore franceze. Pas vendit të dytë, përfaqësuesja e Francës e mban kokën lart. Franca është krenare për performancën e saj, por edhe e zhgënjyer që nuk u rendit në vendin e parë. Një zhgënjim, por, njëkohësisht edhe një rezultat që nuk ishte arritur që nga viti 1977. Barbara i ofroi Francës renditjen e saj më të mirë që nga Myriam dyzet e katër vjet më parë. Barbara ishte favoritja e konkursit për disa javë. “Ajo që më duket e mrekullueshme është se është një këngë në frëngjisht, e cila është pjesë e një tradite franceze dhe se njerëz nga e gjithë bota e vendosin atë shumë lartë në renditjen e tyre”, -shton ajo. “Kjo do të thotë që unë e fitova bastin tim. Muzika është mbi të gjitha një dozë e mirë emocionesh, nuk ka gjuhë për këtë”, -tha këngëtarja në një intervistë për “20 Minutes”. Ndonëse, kjo ishte eksperienca e saj e parë si interpretuese në Festivalin Evropian, ajo ka qenë disa herë e pranishme në skenën e këtij festivali. Ajo ka nënshkruar dy tituj të zgjedhur për Eurovision Junior: “Bim Bam Toi” nga Carla (Eurovision Junior 2019) dhe “J’imagine” nga Breton Valentina, fituese e Edicionit 2020 të konkursit për fëmijë. Edhe kënga “Bim Bam Toi” e shkruar dhe kompozuar prej saj dhe Igit, me refrenin kokëfortë është më e pëlqyera në rrjetet sociale, veçanërisht në Tik Tok. “Barbara Pravi dhe Igit kanë aktualisht më shumë se 135 million shikime në YouTube me kompozimet e tyre për fëmijë.

Franca ka një bilanc shumë të mirë në Eurosong. Ka fituar pesë herë vendin e parë dhe po pesë herë ka organizuar këtë eveniment të madh muzikor evropian që ndiqet gjithë bota. Ka fituar më 1958 (Hilversum, Netherlands) me “Dons Mon Amour” nga André Claveau, me 1960 (London United Kingdom) me “Tom Fillibi” nga Jacqueline Boyer, me 1962 (Luxembourg) nga Isabelle Aubert, muzik: Claude Henri Vice, Lyrics: Roland Valace, me 1969 (Madrid, Spanjë) me “Un Jour, Un Enfant”, nga Frida Boçara dhe me 1977 (London United Kingdom) me “Loiseau, Et L’enfant” nga Johnny Logan.

Presidenti dhe ministrja e Kulturës inkurajojnë këngëtaren

Gjatë konkurimit, Barbara ka marrë mijra mesazhe nga fansat e saj nga e gjithë bota. Mesazhin më të veçantë e merr disa orë para natës finale. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ndau një koment në një postim në Instagram të këngëtares për ta inkurajuar atë: “E dashur Barbara Pravi, zëri juaj do të jetë ai i Francës sonte”, shkruan Macron. Fjalët tuaja do të jenë ato të grave dhe burrave francezë që si ju, duan të shkruajnë histori, të jenë vetvetja, të prekin zemrat e të tjerëve me ty!”. E impresionuar nga ky mesazh, Barbara thotë në mikrofonin e “20 Minutes”: “U habita shumë. Gjëja e parë që bëra ishte një screenshot që u dërgova miqve të mi dhe prindërve”. Edhe ministrja e Kulturës, Roselyne Bachelot duartrokiti performancën mahnitëse të saj. Ministrja nënvizoi në Twiter: “Çfarë feste e bukur për gjuhën frënge”.

Barbara Pravi u përzgjodh si përfaqësuese e Francës në Eurosong në janar të 2021-ës nga publiku dhe juria e spektaklit “Eurovision France, je ti që vendos”, i transmetuar drejtpërdrejt në “France 2”. Ajo fitoi për interpretimin e saj të shkëlqyer dhe për vargjet drithëruese: “Më dëgjoni mua gjysmë këngëtaren. Flisni për mua. Tregojuni miqve tuaj për këtë vajzë me sy të zinj dhe ëndrrën e saj të çmendur”, -thotë teksti i këngës së saj. Kënga me refrenin dramatik, bazuar në përvojën e saj personale emocionoi jurinë, publikun dhe përloti mjaft njerëz në sallë. Ajo e interpretoi këngën me një zë të thyer, me një gjest jo ndryshe nga ai i Piaf. “Ajo merr shigjetën e lënë nga Edith Piaf ose Barbara dhe e dërgon edhe më tej”, -komentoi një nga anëtarët e jurisë, kompozitori André Manoukian, pas interpretimit të saj. Disa të tjerë kishin lot në sy pas këngës. Barbara Pravi doli e para si nga votat e audiencës, ashtu dhe nga dhjetë anëtarët e jurisë. Kantautorja fillimisht refuzoi të merrte pjesë në Eurovison. Ajo ka refuzuar në të kaluarën të marrë pjesë në “The Voice”. Për konkursin e madh të këngës evropiane, është ndryshe”, -thotë ajo. “Unë e mora vendimin sepse e kisha këtë këngë. Edija se ç’farë ishte kjo këngë dhe doja të ngrihesha edhe përtej Eurovision-it.” Gjer më tani, Barbara ka lëshuar tre disqe nën siglën e Universal. Po përgatit albumin e saj të parë me etiketën Capitol që do ta nxjerrë në shtator dhe zbulon “ndikimin mediatik” të konkursit evropian. Karriera ndërkombëtare e saj tashmë sapo ka nisur.

Kush është kjo parisiene 27-vjeçare “me sy të zinj” dhe gjestet e ‘Edith Piaf?

Barbara Pravi është 27 vjeç, me kombësi franceze. Është kantautore, këngëtare, kompozitore, tekstshkruese, aktore dhe aktiviste e shquar në mbrojtjen e të drejtave të grave. Zhanri i saj artistik janë këngët franceze. Ka sy të zinj dhe gjestet e këngëtares së famshme franceze Edith Piaf. Më 2017 publikoi albumin e saj të parë me emrin e saj. Më 2015 nënshkroi kontratën e parë me Capitol Records. E cilësuar si një Edith Piaff e re. Një zeshkane e vogël, autentike dhe feministe, në traditën e Edith Piaff. Kënga është një mënyrë për të shëruar plagët e mia”, -thotë Barbara. “Është një mënyrë ekzorcizimi. Pasi kemi thënë gjëra, që i kemi shkruar ato, ne fillojmë të shërohemi”. E pamundur të mos mendosh për Edith Piaf kur shohim këtë “vajzë me sy të zinj” duke kënduar historinë e saj, thonë kritikët e njohur të muzikës franceze. “Ngjashmëria e saj me Edith Piaf, si për nga karakteri, ashtu dhe nga tingulli nuk u pëlqen të gjithëve. Barbara u rrit duke dëgjuar Britney Spears dhe Céline Dion, adhuron Selena Gomez dhe ka një admirim të madh për tre emrat e mëdhenj të muzikës franceze: (Barbara, Georges Brassens, Jacques Brel), por dhe për Aznavour, Françoise Hardy. “Projekti im është të martohem me melodi dhe produksione hipermoderne me tekste të bukura”, thotë ajo.

Disa vjet më parë, kjo parisiane e bukur ëndërronte muzikën pas një banaku, derisa u pa më 2015 nga labeli Capitol, ku nënshkroi kontratën e saj të parë. E filloi muzikën kur ishte 20 vjeç. “Isha kamariere, nuk dija ku të shkoja atje, nuk njihja askënd”, -thotë e reja me kaçurrelat në “20 Minuta”. “Kam shpenzuar pagën time të parë për të prodhuar një video muzikore për një këngë që kam bërë me miqtë e mi të kafesë.” Barbara u regjistrua në drejtësi. Për të përballuar shpenzimet punoi si kamariere në një lokal. Me pagën e saj, në vitin 2014 ajo regjistroi një këngë të shoqëruar me një video muzikore, “Amours impolies”. Mos e kërkoni, ajo që atëherë e ka fshirë edhe pse e lejoi atë të pikaset nga Capitole Records, një nga etiketat e Universal.
Interpretoi këngën “On m’appelle Heidi” për kolonën zanore të filmit “Heidi”. Në 2016 ishte pjesë e kastit të muzikalit të njohur “Un été 44”. Shkëlqeu me rolin e Solange Duhamel ku interpretoi tekste të shkruara nga Jean-Jacques Goldman, Charles Aznavour dhe Maxime Le Forestier. Kjo shfaqje e shkruar nga yje që këndojnë si Goldman dhe Aznavour, interpretohet nga një grup prej gjashtë këngëtarësh anonimë, duke treguar historinë e heronjve të zakonshëm të Çlirimit. Paraqitur gjatë krijimit të parë në Memorialin e Caen më 6 qershor 2016. Janë 44 pamje në det të hapur të një skene të madhe me gjashtë këngëtarë të rinj, të moshës 17 deri 26 vjeç. Midis tyre, Barbara Pravi, atëherë 23-vjeç, shfaqi talent dhe emocione të mëdha në të gjitha transmetimet e Winona Ryder të së cilës janë ndërprerë.
Krahas talentit si interpretuese, Barbara është edhe një tekstshkruse brilante. Shumica e këngëve që ka kënduar mbajnë autorësinë e saj. Tekstet e saj janë kryesisht autobiografike, janë një lloj ditari privat. Barbara këndon gëzimet, hidhërimet, betejat e saj në tekste të rrënjosura në realitet dhe kryesisht autobiografike. Ka shkruar dhe kompozuar edhe për disa artistë të tjerë, si Chimène Badi, Yannick Noah, Julie Zenatti, Terrenoire, Jaden Smith, djali i Will Smith. Ne mund të dëgjojmë zërin e bukur të këngëtares në një rep amerikan të kryer nga djali i Will Smith. Në të vërtetë në albumin e parafundit të Jaden Smith, Barbara bën një paraqitje në këngë. Përveç këngës, ka qenë aktore në filmin “La Sainte famille” (2009) nga Marion Sarraut, transmetuar në “France 2”.

Aktiviste e shquar ndaj dhunës në familje. Këngët dhe tekstet e saj, himne për gratë dhe të drejtat e tyre

Barbara Pravi është e njohur në Francë edhe për angazhimin e saj për të drejtat e grave. Ka një angazhim të madh kundër dhunës në familje. Këngët dhe tekstet e saj janë hymne për gratë e dhunuara. Një kauzë që ajo e adreson në këngët e saj, veçanërisht në titullin “Malamour”. Barbara ka qenë edhe vetë viktimë e dhunës në familje dhe nuk e fsheh aspak. Në moshën 17 vjeç, i dashuri i saj në atë kohë e keqtrajtoi. “Kryesisht tregoj për gjëra që kam provuar. I dashuri im do të më godiste kur isha e re”. Në një këngë të saj ajo flet për abortin që përjetoi në moshësn 17 vjeç. Në mars të 2020-ës nënshkroi një dëshmi muzikore shumë të fortë të titulluar” Mishi” ku rrëfen abortin e saj. Që nga ajo kohë, këngëtarja shkruan këngë për dhunën familjare dhe merret me të drejtat e grave. Ka marrë pjesë në Debout les femmes, fitimet e së cilës i dhurohen shoqatës “Maison des Femmes”. Ka shkruar për dhunën në familje (“Le Malamour”) dhe abortin (Chair). Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars 2019, ajo merr pjesën e Orelsan “Notes pour later” duke rishkruar tekstin e këngës: “Dëshiron të bëhesh mbrojtës? Nga 2018 në 2020, në 8 mars të çdo viti, ajo ngarkon një video në të cilën përshtat ose krijon një titull që promovon të drejtat dhe autonominë e grave. Më 2019, reperi Black M, i kërkoi që të ishte zëri i një gruaje të abuzuar nga shoqëruesi i tij në titullin “Narcissistic Pervers”. Në Instagram, ajo ka botuar regullisht Tregime të Grave për të nxjerrë në pah gratë disi të harruara në histori si Rossemary Kennedy, Zelda Sayre-Fitzgerald, Dido Elizabeth Belle etj.
U lind më 10 prill 1993 në Paris. Në Paris zhvilloi pasionin për kulturën dhe muzikën. U rrit në një familje artistësh, e rrethuar me libra dhe muzikë. Përmes babait të saj mëson etikën, kurse përmes nënës, një inspektore kombëtare e arsimit, mëson persishten. Një gjysh i apasionuar pas letërsisë, një tjetër piktor. Një familje artistësh në zemër. Muzika ishte e kudondodhur në shtëpinë e saj, kujton motrën e saj më të vogël, Clémence, me Parisianin. “Mbaj mend mbrëmjet kur babai ishte në violinë, vëllai në piano dhe motra ime po këndonte”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here