Godet gazeta gjermane/ Suddeutsche Zeitung: Rama po zhduk historinë e Tiranës, Veliaj mashtron për fondet e Teatrit

0
481

Ka goditur dje me lajmin e saj një nga gazetat më të rëndësishme në Gjermani por edhe në Europë duke mbajtur qëndrim në njevjetorin e shembjes së Teatrit Kombëtar. Ajo e ka quajtur shembjen e Teatrit Kombëtar në Shqipëri, skandalin më të madh kulturor që pas rënies së komunizmit. Gazeta Suddeutsche Zeitung shkruan se kryeministri Edi Rama po shkatërron historinë. Ndërsa dje, me qindra aktivistë e qytetarë, njerëz të kulturës kanë shprehur jo vetëm përmes rrjetit social, por dhe në simbolikën e luleve të “vdekjes” në vendin e quajtur skenë krimi për Teatrin

 

 Ka goditur dje me lajmin e saj një nga gazetat më të rëndësishme në Gjermani por edhe në Europë duke mbajtur qëndrim në njevjetorin e shembjes së Teatrit Kombëtar. Ajo e ka quajtur shembjen e Teatrit Kombëtar në Shqipëri, skandalin më të madh kulturor që pas rënies së komunizmit. Gazeta Suddeutsche Zeitung shkruan se kryeministri Edi Rama po shkatërron historinë.

“Nën Edi Ramën, godinat historike po zhduken njëra pas tjetrës nga Tirana, qyteti është mbushur me kulla, pallate dhe qendra tregtare. Të njëjtët kontraktorë si Shkëlqim Fusha po marrin kontratat. Në shkurt të vitit 2018, Fusha, i drejtuar nga ish-ministri i Edi Ramës, Erion Veliaj, propozoi që qyteti të ndërtojë një Teatër të ri Kombëtar- me gjashtë kulla të larta me apartamente dhe dyqane.

Fusha nuk ka në pronësi as 3 përqind të truallit për ndërtim aty, pjesa e luanit është pronë publike- për shembull Teatri Kombëtar. Burokracia shqiptare- që nga bashkia e deri te kreu i qeverisë- dhe parlamenti i kontrolluar nga partia e tij- hartuan raportet, opinionet dhe votuan brenda pak javësh. Ministria e Kulturës ngriti një grup pune me shtatë persona në majin e vitit 2018, pikërisht në ditën kur u miratua projekti i Fushës dhe iu rekomandua parlamentit të kalojë një ligj të posaçëm në mënyrë urgjente. Ligji kaloi më 5 korrik 2018”.

Gazeta nënvizon se skandali më i madh në historinë e pluralizmit shqiptar nuk ka mbaruar.

Dy javë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Banka Europiane e Investimeve ka premtuar se do të financojë një kredi për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. “Në fakt, Banka Europiane e Investimeve, që i përket shteteve anëtare të BE, nuk premton ndonjë kredi,” shkruan gazeta, duke denoncuar mashtrimin e Veliajt.

Ajo vazhdon duke demaskuar një tjetër mashtrim. “Sipas një zëdhënësi të kryebashkiakut, qyteti, që tani do të ndërtojë vetë Teatrin Kombëtar pa biznesmenin e ndërtimit Fusha, kërkon të mbyllë një marrëveshje të mirë me Fondin e Zhvilliit në Abu Dhabi për financimin. Ndërtimi i Teatrit të ri, i projektuar nga firma daneze e arkitekturës, Bjarke Ingels, do të nisë në verë. Megjithatë Fondi i Zhvillimit i Abu Dhabit nuk i konfirmoi gazetës se do japë ndonjë kredi. As firma arkitekturore nuk konfirmoi se ndërtimi do të nisë së shpejti- dhe as që po punojnë për projektin e Fushës, por për qytetin e Tiranës”.

Në fund, gazeta thekson se Tiranës po i zhduken gjurmët e historisë. “Pak hapa më larg Teatrit Kombëtar të shembur gjenden Sarajet e Toptanëve, një vilë prej druri dykatëshe e ndërtuar nga një princ otoman mes viteve 1833-1840, një prej atyre pak që kanë mbijetuar në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj kërkon të shpronësojë pronarët e Sarajeve dhe të një tjetër shtëpie historike fqinje, të cilat deri më tani kanë qenë monumente kulturore. Sipas portalit të respektuar Exit, që ka parë planet e ndërtimit, në atë zonë historike do ngrihet një qiellgërvishtëse me 45 kate. Një zëdhënës i bashkisë e mohoi”.

Reagimet për Teatrin

Lëvizja “Ne jemi Teatri”, dje ka kryer aktin simbolik duke hedhur lule në “vendin e krimit”, në sheshin tashmë të rrafshuar të Teatrit Kombëtar, duke u shprehur se: 17 maj 2020, Teatri Kombëtar u shemb në orët e para të mëngjesit. Edhe pse në kushte pandemie, ndërsa nuk lejohej lëvizja e lirë e qytetarëve, qindra forca policore rrethuan godinën duke shënuar përplasje me qytetarët që kishin më shumë se dy vite në mbrojtje të kësaj kauze”.

Dhjetëra qytetarë vendosën lule e ndezën qirinj në shenjë simbolike në sheshin para ish godinës së Teatrit Kombëtar. Përpara një banderole të shpalosur nën shprehjen “Teatri Krim Shtetëror, i Pandëshkuar nga Drejtësia e Kapur”, disa prej tyre ligjëruan për ndjesitë e një viti pa teatër.

Shkrimtarja Flutura Açka i është bashkuar këti ceremonaili duke u shprehur se “Po flas si qytetare e lirë, që e kam ndjekur, që kam qenë e pranishme shpesh në këtë protestë dhe mendoj një nga protestat më të bukura të rezistencës shqiptare, në demokraci dhe ka qenë një ditë e trishtë. 17 Maji i vitit të kaluar, për mua personalisht, si njeri i rritur me teatrin, që të paktën që nga fundi, mesi i viteve 80, kështu që akoma sot më shkakton, më tremb ideja që të shohësh një godinë me të cilën je lidhur shpirtërisht në rininë tënde, ta shohësh të shembet para syve”,– u shpreh Flutura Açka.  Me shembjen e Teatrit qytetarët kanë prej një viti që kërkojnë drejtësi duke kallzuar në SPAK me dokumente, gjithë shkeljet ligjore që janë bërë nga Bashkia e Tiranës me vendimin për ta shembur, por dhe për të ndërtuar sa më parë një teatër të ri, ku toka prej një viti qëndron bosh. Aktivistja, e arkitektja Doriana Musai është shprehur se “Drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar! Megjithatë drejtësia vonon, por nuk harron. Sigurisht që kanë qenë periudha shumë të vështira. Nëse drejtësia do të kishte funksionuar teatri nuk do të ishte shembur asnjëherë. Ne e kemi konsideruar teatrin viktimën e parë të drejtësisë së re. Dhe sigurisht që duke qenë viktima e parë e kësaj drejtësie të re duhet të ishte edhe e para që do trajtoheshe. Por duke pritur të zhgënjyer mund të them që është lënë mënjanë dhe për këtë kemi kuptuar që duke konsideruar teatrin një krim politik është politika ajo e cila ka ndaluar së trajtuari këtë krim nga ana e drejtësisë”

Në këtë përvjetor të shembjes së Teatrit Kombëtar, aktivistët pjesë e qëndresës dy vjeçare, e konsideruan 17 majin si “Dita e Përkujtimit të Krimeve Kundër Kulturës”. Përmes një deklarate para mediave ata kërkuan gjykim profesional nga institucionet gjyqësore.

“U bëjmë thirrje organeve të drejtësisë, SPAK-ut, Prokurorisë dhe gjykatësve që po shqyrtojnë çështjet e lidhura me Teatrin, në mes tyre veçanërisht trupës gjykuese të Gjykatës Kushtetuese që më 3 Qershor 2021 të gjykojnë bazuar në kushtetutën e vendit dhe në etikën e tyre profesionale dhe jo të ndikuar nga presionet e kastës në pushtet dhe botës së errët që qëndron pas saj. Çështja e Teatrit Kombëtar dhe vendosja e drejtësisë për të, është një maksimë për të rimëkëmbur shpresën për shtet ligjor në Shqipëri, për të rikthyer besimin e qytetarëve ndaj drejtësisë dhe organeve të caktuara për të ruajtur balancën në shoqëri dhe mundësuar llogaridhënien në një shtet anëtar të NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Europian”, – thuhet në deklaratë

Edhe Aleanca për Mbrotjen e Teatrit ka gjetur formën tjetër, duke lëvizur drejt Shkodrës për të dhënë simbolikën e rezistencës së kauzës. Në një deklaratë ata shkruajnë: “Thuhet që dashuritë e mëdha kaliten më fort nga mungesa. Thuhet se ajo, që nuk të vret, ta rregj lëkurën dhe të rrit te një tjetër dimension. Njëlloj siç ka ndodhur me ne, qëndrestarët e fundit të Teatrit, të mbetur tashmë një grusht, por me forcë sa të dhjetëra mijëra atyre, që duhej të ishin atje, ku nuk ishin, atë mëngjes, kur Teatri ulëriu, pasi kishte bërtitur për dy vjet drejt shurdhërisë.  Në atë mëngjës, që nxiu në zbardhjen e tij me kobin e pashoq të rënies së një tempulli. Por gjithmonë e kemi ditur, që këtë luftë nuk e fitojnë numrat; pushteti gjithnjë e më shumë po i fryn bulçitë me shpirtra të shitshëm lehtë. Këtë luftë e fiton energjia e frymës sonë, e cila përtej çdo besimi mediokër dhe perceptimi dembel e sipërfaqësor modern, vazhdon të gëlojë me zjarrin e vendosur për t’u djegur, deri sa flaka t’i kallet poshtërsisë në palcë e ajo të dorëzohet përballë dashurisë sonë qëndrestare për më të bukurën dhe më sublimen.

Jemi si zjarri dhe jemi si lumi. Kohë më kohë në dukje të fashitur, me djegie të prushtë, ose me një shushurimë të lehtë. Por flaka është aty dhe uji nuk rri në vend, po rrjedh pa bujë të madhe. Gjithmonë në zhvillim, gjithmonë në aksion, edhe pse shumëkush në këtë Shqipërinë e mjerë i ka shqisat e zëna nga bloza e jetës në degradim të mëtejshëm. Për ne, qëndrestarët e fundit, nuk ka kthim prapa. Veç shikimi na ka mbetur pas, ashtu si mërgimtarët e zbuar trojesh amtarë nga nevoja. Na ka mbetur në thellësitë para atij mëngjesi vrasës, kur na shkulën me gjithsej nga i shtrenjti Teatër – tempull i lirisë dhe pararendës i shumë ndryshimeve, që njerëzit e sotëm të kësaj toke nuk e arritën ndritën brenda vetes për t’i rrokur. Nuk mundim asnjë çast të harrojmë. Por edhe për ata, që harrojnë lehtë, historia përsëritet. Mërgimtarët kthehen njëherë dhe kthehen gjithmonë fitimtarë, të epërm, me ballin lart nga fuqia. Kthehen për të dhënë në tokën mëmë. Deri tani, ne, qëndrestarët e fundit, me mallin e papërshkrueshëm për Teatrin dhe me Teatrin më shumë se asnjëherë tjetër brenda vetes sonë, e kemi mbajtur me thonj atë copë trualli të zhuritur, që poshtërsia të mos hapë gropën e madhe për hedhjen e themeleve të ngrehinave – përbindësha si konsolidim i së keqes. Dhe lufta do të vazhdojë të bëhet më e egër, ndoshta do të jemi edhe më të vetëm. Por gjithmonë me hirin e shenjtë të Teatrit përmbi ne, me thirrjen e tij për t’u ringritur, krejt aty dhe ashtu siç e prekëm, e jetuam e morëm frymë së bashku nga fryma e tij.”

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here