E quajti Ramën “mashtruesi më i madh i vendit” Dervishaj rrëfen të pathënat…

0
100

Ditën e mërkurë, kryeministri Rama zhvilloi një takim me studentët e Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, por siç do të thoshte populli “i takoi sharra në gozhdë”.

Gjatë këtij takimi, shumë studentë vlonjatë iu kundërvunë hapur kryeministrit teksa shprehnin pa doreza pakënaqësitë e tyre.

Por, ai që spikati ishte padyshim i riu që i tha RamësPo ta them në fytyrë: Je mashtruesi më i madh i këtij vendi! Uroj të mos pushkatohem pas kësaj!

Ai student quhet Arbër Dervishaj, 19 vjeç, dhe pa frikë mund të themi se u bë frymëzim për shumëkënd që e ndoqi live apo e pa më vonë se çfarë guximi tregoi para kryetarit të qeverisë, Edi Ramës.

Redaksia JOQ Albania, ka kontaktuar me Arbrin për ta pyetur më tej, teksa ai sqaron shumëçka për veten e tij dhe jo vetëm.

Para se të lexoni intervistën, mësoni mesazhin e Arbrit për rininë shqiptare:

Ne e kemi fuqinë për t’i bërë moshatarët tanë në Europë të emigrojnë drejt Shqipërisë dhe jo e kundërta.”

INTERVISTA EKSKLUZIVE PËR JOQ ALBANIA ME ARBËR DERVISHAJ:

1.Arbër, pavarësisht të gjitha reagimeve të djeshme, ju frymëzuat shumë të rinj dhe të reja që ndoshta nuk kanë guximin tuaj. Mund të na thoni si vendosët që t’i thoshit kryeministrit “Ju jeni mashtruesi më i madh i këtij vendi?”
Arbër: Fjalët që unë thashë më dolën spontanisht dhe pavarësisht emocioneve më dolën nga zemra. Në momentin që i thashë kryeministrit mashtrues e thashë sepse u ndjeva i ofenduar si student nga gjithë ajo shfaqje e shëmtuar.

2.Nga çfarë u nxitët që ia thatë ato fjalë?
Arbër: Unë jam 19-vjeç, por unë jam burrë në fjalë dhe në thënien e gjërave. Unë kam folur në dy takime që janë zhvilluar, kam qenë unë që kam kërkuar të marr fjalën për të kërkuar vendosjen e demokracisë nëpërmjet votimit elektronik dhe zgjedhjes së kryetarit të bashkisë nëpërmjet popullit jo nëpërmjet emërimit nga partia. (Mund të gjenden online këto fjalime).

3.Ju jeni 19-vjeç, në çfarë u ka mashtruar ju ose çfarë mendoni se e ka mashtruar shoqërinë që e quajtët mashtruesin më të madh?
Arbër: Unë e quajta kryeministrin mashtrues për këto arsye: Dy qëndrimet e kryeministrit, në filmim kur sa kishte filluar protesta dhe normale ishim pak në numër neve na quajti ngelësa, ndërsa në momentin që dolëm të tërë në protestë na quajti heronj që i dhamë shpullë qeverisë.
Arsyeja e dyte është sepse siç e thashë edhe kur fola atje, ato që ndodhin me takimet me studentë janë shfaqje te ndyra ku propagandohet me gjysmë zëri e vërteta se universiteti ka nevojë për më shume se ato 8 pika kështu që hajdeni dialogojmë, ju e mbyllni protestën në fund fare të ndodhi ça të ndodhi. Pra, kryeministri na premton me fjalë, por në letër thotë “Harrojeni!”.
Ndërsa arsyeja e tretë lidhet me precedentët e tij në karrierën politike si psh premtimet e pa mbajtura, fjalët e dhëna si dhe pazari i ndyrë që bëri me Bashën për disa ministri në këmbim.

4.Keni marrë kërcënime pas fjalës tuaj kundër kryeministrit? Nëse po nga kush?!
Arbër: Jo nuk kam marrë asnjë kërcënim deri tani, pavarësisht se të gjithë më thonë të kem kujdes.

5.Prindërit çfarë ju thanë pas deklaratës tuaj?
Arbër: Janë bërë merak, por janë gëzuar nga përkrahja që mora nga shqiptarët brenda Shqipërisë dhe kudo ishin nëpër botë.

6.Jeni pjesëtar i ndonjë forumi apo strukture tjetër partiake? Nëse po, a ndikoi kjo në fjalën tënde dje? Sepse është thënë për se jeni mbështetës i Koço Kokëdhimës, çfarë mund të thoni në lidhje me këtë?
Arbër: Unë jam student dhe jam me studetët, protesta është e jona jo e partive. Mbështes studentët dhe të drejtat tona anembanë ku jemi në çdo qytet shqiptar. Duan të më përziejnë me partitë sepse kështu bëjnë me të parin zë që i del kundër qeverisë në pushtet.

7.A distancoheni ju nga të gjitha partitë politike në vend siç janë shprehur studentët protestues gjatë këtyre ditëve?
Arbër: Përderisa thashë jam me studentët, besoj është e qartë kjo. Unë jam Arbri aty, qytetar i Republikës së Shqipërisë.

8.Në çfarë viti jeni student dhe për çfarë po kryeni studimet?
Arbër: Jam në vitin e dytë, Bachelor, studioj Financë në Vlorë.

9.Mund të na përmblidhni kushtet në të cilat studioni?
Arbër: Mund të ketë shumë probleme në Universitetin e Vlorës, por për departamentin tim nuk kam ankesa.

10.Si vendosën studentët e Vlorës që të protestojnë paralel me ata të qyteteve të tjera?
Arbër: Protesta ishte spontane, na erdhi si frymëzim kur pamë se capo ndodhte në Tiranë, Shkodër e Korçë. Nuk kishim ndonjë axhendë apo drejtues.

11.Shpesh studentët akuzohen se rrinë në kafene dhe deri diku ky është fakt, a mendoni se ndikon në këtë mungesa e bibliotekave rreth ambienteve universitare?
Arbër: Për sa i përket temës së kafeve, në fakt problem këtu është edhe orari që na lë shumë hapësirë në mes orëve dhe do s’do jemi të detyruar në një farë forme të sorollatemi o në kafe, ose në Lungomare kur s’kemi lekë në xhep. Por, edhe mungesa e bibliotekave dhe hapësirave ku mund të lexojmë është një arsye që rrimë kafeve dhe shëtitoreve.

12.Po për ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, çfarë mendoni? Sepse Nikolla nuk ka qenë në takimet me studentët edhe pse është ministre.
Arbër: Nuk mendoj se e ka fajin ministrja, ajo është emëruar dhe thjesht gjendet në vendin e gabuar në kohën e gabuar.

13.E shikoni të ardhmen tuaj në Shqipëri?
Arbër: Unë e dua Shqipërinë më shumë se sa dua veten time. Këto fjalë më burojnë nga zemra dhe i them me sinqeritet të plotë dhe dua shumë të jetoj këtu.

14.Një mesazh për të rinjtë shqiptarë?
Arbër: Ne e kemi fuqinë për t’i bërë moshatarët tanë në Europë të emigrojnë drejt Shqipërisë dhe jo e kundërta. Na duhet të besojmë më shumë në fuqinë dhe forcën tonë, e sidomos kur jemi të bashkuar!

Të mërkurën që lamë pas Arbri i tha Ramës gjatë takimit:

  • Unë po e nis dialogun duke të thënë përpara fytyrës që jeni mashtruesi më i madh i këtij vendi.
    Kur ishit i aftë t’i mbyllnit gojën Bashës, ça jemi ne studentët. Ju thoni hajde dialogojmë, që të na mbyllni gojën. Këto 8 pika jetike të plotësohen. Nuk negociohet për gjëra jetike, bazë. Nëse ju një nga këto të 8-at e plotësoni, atëherë ulemi flasim. Ne nuk jemi dele, jemi studentë. Nuk më pëlqejnë këto shfaqje të ndyra, por ne jemi studentë dhe i kuptojmë shumë mirë gjërat se si janë dhe nuk na gënjen dot. Ne nuk kemi frikë nga ty edhe pse jeni i forti i këtij vendi, edhe pse prindërit tanë i keni frikësuar deri në palcë. Megjithatë do ndihem i lumtur nëse nuk më pushkatojnë pas kësaj që ju thashë sepse ju e keni kthyer komunizmin në këtë vend! Faleminderit që më patë në sy dhe më kuptoni shumë mirë se çfarë po them.”
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here