Prezantohen kandidatët e LSI në Berat Nasip Naço: Pas 23 qershorit, Ilir Meta kryeministër

0
133

Gëzim Saliu

nasipMeta: Berisha diskrimoi Beratin, pas zgjedhjeve do e presim si turist

 

Deputeti i LSI-së Nasip Naço deklaroi dje në Berat se Ilir Meta është lideri i së majtës shqiptare dhe se ai do të jetë kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Duke kërkuar votat e  qytetarëve të Beratit, Naço theksoi se Meta do të bënte më shumë se gjithë të tjerët si kryeministër i vendit.  “Berati duhet të ecë më shpejt dhe LSI ka një program të qartë. LSI në qendër të programit të saj ka punësimin votoni LSI-në se vota juaj është për fëmijët tuaj. LSI do të jetë lokomotiva e së majtës shqiptare, e majta e bashkuar do ti japë vendit një progres të ri. Me votën tuaj bëjmë Metën kryeministër të Shqipërisë. Ilir Meta kryeministri më i suksesshëm i së majtës. Meta kryeministër do bëjë më shumë së gjithë të tjerët. Eshtë një lider i provuar këto vite”, u shpreh Naço.

 

Kreu i LSI

Në prezantimin e kandidatëve për deputetë për parlamentaret e 23 qershorit në qarkun e Beratit, kreu i LSI-së Ilir Meta u shpreh i bindur për fitoren e së majtës në këtë qark. “Por ne jemi njerëz bujare, mikpritës, tolerantë. Pas 23 qershorit nuk do ta presim Berishën si kryeministër se ai me votën tuaj, të gjithë shqiptarëve do të shkojë në opozitë. Por ne do ta presim si turist, të vizitojë kalanë, malin e Tomorrit, Kanionet.  Berati në 23 qershor do t’i thotë jo diskriminimit që ju bë këtij qarku. Jam i bindur se Berati nuk do të pajtohet me mendësitë totalitare ku ligji shërben si hanxhar kundër njerëzve të pambrojtur”, tha Meta. Më tej në fjalën e tij, lideri i LSI-së, akuzoi kryeministrin Berisha për diskriminimin e qarkut të Beratit, duke anashkaluar thirrjet e deputetëve të kësaj force politike për rikthimin e vëmendjes nga ky qark. “Kryeministri në largim e ka diskriminuar Beratin, si asnjë qark tjetër në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre 8 viteve. Ai dhe qeveria e tij, jo vetëm që nuk kanë dëgjuar zërin tuaj, por njëkohësisht nuk kanë dëgjuar as zërin tim, as zërin e deputetit të Beratit Nasip Nacos në parlament dhe kudo, për të treguar jo ndonjë dashuri shumë të madhe për Beratin, Skraparin dhe Kuçovën, se atij i ka mbetur ora për këtë qark akoma në referendumin e 94-ës. Por të tregonte dhembshurinë më të pakët që mund të tregohet ndaj këtij populli”, theksoi Meta. Nga ana tjetër, ai renditi premtimet e LSI-së për rimëkëmbjen e ekonomisë, sigurimin e rendit publik apo zhvillimin e turizmit, duke shtuar se vendi ka nevojë për rotacion dhe ndryshim. “Shqiptarët kërkojnë një lidership me këmbë në tokë që kujdeset për hallet e përditshme të njerëzve. Eshtë koha për të ecur më shpejt, është koha për rotacion, për ndryshim. Eshtë koha të ecim më shpejt përpara, drejt një progresi shoqëror. Ne do t’i rikthejmë Beratit shpresën. Në 24 qershor do të gdhihemi të gjithë fitimtarë se do t’i japim fund politikës që armiqëson shqiptarët. Me ne të gjithë do të jenë të fituar”. Në Qarkun Berat Lëvizja Socialiste për Integrim garon me kryesues së listës Nasip Naçon, duke vijuar me Gledion Rehovicën, Selfo Kapllanin, Silva Cakën, Lefter Kuqon, Valbona Papën, Mimoza Velikon, dhe Emiljano Kamsin.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency