SPAK ia lehtësoi punën patronazhistëve, tani të hetojë krimin

0
114

Apeli i Gjykatës së Posatçme i ka dhënë këtë të enjte të drejtë Lapsi.al në procesin kundër SPAK, që kërkonte të sekuestronte kompjuterat, serverat dhe celularët e ne gazetarëve, pas skandalit të grabitjes të të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve, për interesat elektorale të Partisë Socialiste.
Një trupë prej tre gjyqtarësh e kryesuar Dhimitër Lara hodhi poshtë urdhrin e dhënë një mesditë të diele, në fshehtësi të plotë dhe pa praninë e palëve nga gjyqtarja e shkallës së parë, Iliriana Olldashi.
Natyrisht, që nga ajo kohë ndryshuan shumë gjëra.
Së pari gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg, me një precedent të rallë, e urdhëroi shtetin shqiptar të mbronte gazetarët, të mos ndërhynte në mjetet e punës së tyre dhe mbi të gjitha të garantonte fshehtësinë e burimit të informacionit. Pas kësaj, një sërë mediash ndërkombëtare dhe shoqatash të lirisë së shtypit e ngritën zërin për këtë manipulim politik të drejtësisë.
Të gjitha këto reagime erdhën pas një logjike të thjeshtë se Prokuroria e Posatçme po sillej si vëgël qorre e qeverisë. Ajo po merrej me median dhe gazetarët duke mos pasur këllqet e nevojshme për të hetuar E- Albanian nga e cila dyshohej se kishin rrjedhur të dhënat personale të qytetarëve, dhe as Partinë Socialiste, që i përdori ato deri në ditën e fundit, për të manipuluar zgjedhjet.
Por, elementi kryesor, që e ndryshoi lojën katërcipërisht ishte fakti se pas garës elektorale patronazhistët u bënë të panevojshëm, Rilindja fitoi betejën edhe falë të dhënave të vjedhura që kishin nëpër duar ata, prandaj, teatri i SPAK, sikur po vazhdonte ta hetonte këtë krim ndaj votës së lirë ishte i pavend.
Përpara 25 prillit SPAK mori përsipër rolin komik, sikur gjoja po investigonte, sikur i duheshin me patjetër të dhënat që dispononte Lapsi.al, për të shkuar tek e vërteta. Ai bleu kohë për ti lënë hapsirë partisë në pushtet ta zbatonte deri në fund planin e saj manipulativ. Dhe tani që ky objektiv u arrit, vazhdimi i farsës nuk kishte më vlerë.
Ndonëse përfaqësuesja e institucionit të akuzës, Enkeleda Millonai edhe këtë të enjte kërkoi në sallë mbajtjen e urdhrit të sekuestros dhe dorëzimin e bazës të të dhënave që ne dispononim, eprorët e saj dhe ata që supozohet se i kishin urdhëruar nga më lart, e ndjenin se e kishin plotësuar detyrën. Ata e bënë të tyren duke e zvarritur pas zgjedhjeve një çështje që kishte vlerë të zbardhej para tyre. Ata e dëshmuan devocionin ndaj partisë duke mos shqetësuar institucionet që kishin furnizuar me informacione të paligjshme PS-së, por duke u marrë me gazetarët që në këtë rast ishin vetë denoncuesit e krimit.

Por, tani kur gjithçka u mbyll me “happy end”, kur plani për zgjedhjet përfundoi me sukes, kur gjykata e çliroi Lapsi.al nga urdhri për sekuestro, kur alibia se ngjarja do zbardhet përmes dokumentit të publikuar ne media ra, SPAK nuk ka shpëtuar nga përgjegjësia publike. Pasi i shërbeu rilindjes, Prokuroria e Posatçme e shleu borxhin. Tani ka për obligim të zbardhë të vërtetën për qytetarët. Shqiptarët e morën vesh se kë kanë patronazhist, por ata ende nuk e dinë se kush i furnizoi fuksat e lagjes me këto mjete spiunimi në emër të pushtetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here