Kandidati i LSI-së: Më 25 prill, qytetarët do ta dërrmojnë sektin e rilindjes për shkatërrimin që i ka bërë vendit….

0
94

Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim për deputet në Qarkun e Tiranës, që vjen nga fusha e mjekësisë, Besnik Jakaj, deklaron se qeveria dhe Edi Rama ka përdorur gjithçka, madje edhe jetën dhe vdekjen e qytetarëve për interesat e veta për zgjedhjet e 25 prillit.

Në një intervistë dhënë për “Koha Jonë”, Jakaj denoncon dhe manovrat e Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës në përpjekjen e tyre për të blerë, manipuluar apo edhe intimiduar qytetarët në mënyrë që ata të votojnë për sektin “e rilindjes’ të dielën.

“Qeveria prej më shumë se 2 vitesh gjithçka e përdor në efekt të fushatës elektorale. Administrata publike është fryrë me njerëzit e partisë, të cilët nuk kanë asnjë integritet profesional, apo moral për të qenë pjesë e institucioneve publike, por i shërbejnë devotshmërisht partisë në zgjedhje. Siç jeni në dijeni edhe ju që të gjitha institucioneve publike iu është kërkuar nga Rama dhe nga Veliaj duke filluar që nga niveli i drejtorit deri te niveli i specialistit të sjellin listat me kartat e identitetit të familjarëve, miqve, shokëve dhe komshinjve të tyre. Duke shfrytëzuar në mënyrë të padrejtë, të paligjshme dhe të pamoralshme pozicionin e punës po ju bëjnë shantazh qytetarëve dhe ju kërkojnë të votojnë për Partinë Socialiste. Sigurisht, bandat e Rilindjes janë aktivizuar në mënyrë të tmerrshme, me para, me shantazhe, me presione dhe me intimidime për të gjithë qytetarët”, thotë Jakaj.

Por e gjitha kjo, thotë Jakaj, është një përpjekje e kotë, pasi siç thotë ai, asgjë nuk mund ta ndalojë ndryshimin e madh që do ndodhë në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

“Nuk do të ndikojë fare në rezultatin e zgjedhjeve, pasi qytetarët tashmë janë të bindur dhe të vendosur për ndryshimin e madh. Qytetarët kanë kuptuar se shitja e votës është gjëja më e keqe që mund të ndodhë pasi kjo me Rilindjen është provuar dhe më parë. Unë kam besim të plotë te rinia, te profesionistët, te qytetarët shqiptarë që do të votojnë për të ardhme, për shpresën, për rininë, për profesionistët, për ndryshimin e vendit tonë dhe do t’i japin Rilindjes një dërrmim të paparë ndonjëherë për shkatërrimin që i ka bërë vendit tonë”, deklaron kandidati i LSI-së në Tiranë, Besnik Jakaj.

INTERVISTA

  1. Jakaj, tashmë fushata elektorale ka hyrë në kulmin e saj. Cilat janë problemet kryesore për të cilat u kërkojnë zgjidhje qytetarët?

Në fakt problemet janë të shumta dhe shumë dimensionale. Gjatë fushatës, përveç zonave që unë mbuloj, që janë Njësia 11 (Lapraka), Kamza, Bathorja, Paskuqani, Babrru dhe një pjesë e Njësisë 5, problemet janë shumë dimensionale. Nuk bëhet fjalë që Bashkia Tiranë gjithë këto vite të ketë ndërhyrë në infrastrukturë, apo të ketë bërë një punë qoftë dhe më të vogël. Pa diskutuar pastaj, që faturat qoftë të ujit, të dritave apo taksat ju shkojnë shumë herë më të larta se më përpara. Gjithashtu, në këto zona ka një varfëri të jashtëzakonshme. Ka familje që janë në nevojë ekstreme dhe nuk e ndiejnë në asnjë vend, apo moment dorën e shtetit. Për të mos u ndalur në mënyrë direkte vetëm në këto zona, por janë pjesë e këtyre problemeve edhe e gjithë Tirana. Problem dhe alarm i jashtëzakonshëm  për shoqërinë dhe qeverinë e ardhshme janë shtresat në nevojë, si për shembull nënat kryefamiljare me shumë fëmijë, të cilat nuk kanë asnjë përkrahje nga shteti. Pra, nuk ka një projekt social për të ndihmuar këto nëna me shumë fëmijë, as për strehim, as për punësim dhe as për ndihmë ekonomike, në mënyrë që përmes hallit që iu ka rënë dhe varfërisë që kanë  të mbijetojnë në mënyrë dinjitoze, por janë të detyruar të kërkojnë lëmoshë të vazhdueshme tek shoqatat apo tek njerëzit e ndryshëm të rrethit familjar apo zemërbardhë të shoqërisë. Kjo është e pafalshme për shtetin dhe vendin tonë. Ne tashmë nuk jemi në ato kushte buxhetore ku nuk mundemi të ndihmojmë askënd, por të gjitha paratë e buxhetit të shtetit të vidhen nga qeveria dhe 3, 4 oligarkë.

Ju kandidoni në Tiranë, në një zonë ku bashkia dhe qeveria thonë se kanë kryer investimet më të mëdha gjatë viteve të fundit. Çfarë u afron qytetarëve një kandidat i opozitës, në një zonë ku qeveria thotë se ka bërë çdo investim?

Në fakt siç e përmenda më lart, në zonat që unë mbuloj si drejtues politik dhe kandidoj si deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në fakt në të gjithë qarkun, por këto janë zona që unë i kam “rrahur” më shumë , njësia 11, Kamza, Paskuqani, Bathorja, Babrroi, njësia 5, nuk është investuar asgjë nga qeveria, apo aq më pak nga bashkia: në infrastrukturë, në ujësjellës –kanalizime, apo në shkolla dhe kopshte. Janë po njëlloj si para 10 apo 15 viteve. Nuk është bërë asnjë investim i qenësishëm as nga bashkia as nga qeveria. Bashkia dhe qeveria kanë investime vetëm 3 dimensionale në 3D dhe janë përpjekur të shesin 2, 3 investime minimaliste me rilindjen urbane dhe me qendrën e Tiranës, ku në fakt më shumë kanë prishur punë se sa kanë rregulluar. Pra, është një nevojë emergjente që qeveria e re të jetë e aftë, e drejtë dhe e pa korruptuar në mënyrë që sa më shpejt të vendoset dorë në këto zona dhe të ndryshohet realiteti, i cili është mjaft i hidhur për sa iu përket kopshteve, shkollave, ujësjellës-kanalizimeve, por dhe në kuptimin e legalizimeve apo të pastrehëve siç i përmenda më lart. Nuk është vënë dorë në mënyrë absolute as nga qeveria as nga pushteti vendor në asnjë rast.

Punësimet fiktive, shantazhet për vota dhe deri të blerja me para në dorë janë disa nga elementët e manipulimit të zgjedhjeve që po shfaqen edhe në këtë fushatë. Sa do të ndikojnë këto manovra antiligjore në rezultatin final të zgjedhjeve?

Qeveria prej më shumë se 2 vitesh gjithçka e përdor në efekt të fushatës elektorale. Administrata publike është fryrë me njerëzit e partisë, të cilët nuk kanë asnjë integritet profesional apo moral për të qenë pjesë e institucioneve publike, por i shërbejnë devotshmërisht partisë në zgjedhje. Siç jeni në dijeni edhe ju që të gjitha institucioneve publike iu është kërkuar nga Rama dhe nga Veliaj duke filluar që nga niveli i drejtorit deri te niveli i specialistit të sjellin listat me kartat e identitetit të familjarëve, miqve, shokëve dhe  komshinjve të tyre. Duke shfrytëzuar në mënyrë të padrejtë, të paligjshme dhe të pamoralshme pozicionin e punës po ju bëjnë shantazh qytetarëve dhe ju kërkojnë të votojnë për Partinë Socialiste. Sigurisht, bandat e Rilindjes janë aktivizuar në mënyrë të tmerrshme, me para, me shantazhe, me presione dhe me intimidime për të gjithë qytetarët. Por e gjitha kjo për mua, duke prekur terrenin, duke besuar te qytetarët, nuk do të ndikojë fare në rezultatin e zgjedhjeve, pasi qytetarët tashmë janë të bindur dhe të vendosur për ndryshimin e madh. Qytetarët kanë kuptuar se shitja e votës është gjëja më e keqe që mund të ndodhë, pasi kjo me Rilindjen është provuar dhe më parë. Unë kam besim të plotë te rinia, te profesionistët, te qytetarët shqiptarë që do të votojnë për të ardhme, për shpresën, për rininë, për profesionistët, për ndryshimin e vendit tonë dhe do ti japin Rilindjes një dërrmim të paparë ndonjëherë  për shkatërrimin që i ka bërë vendit tonë.

Një nga problemet serioze me të cilat po përballet vendi është pandemia e koronavirusit. Si mjek, si e vlerësoni menaxhimin e pandemisë nga qeveria?

Pandemia ka qenë një problem i jashtëzakonshëm botëror, por që në vendin tonë ka shkaktuar dëme të shumë dimensionale për shkak të paaftësisë së qeverisë. Në këtë rast pandemia ka evidentuar qartë dobësinë e Rilindjes, korrupsionin dhe poshtërsinë e saj në sektorin shëndetësor. Në fakt të gjithë sektorët janë në koto nivele, por me menaxhim e pandemisë është evidentuar qartë paaftësia, padrejtësia dhe korrupsioni që ka ndodhur në shëndetësi në këto 8 vite. Janë rreth 320 milionë euro të dhëna me konçension, të cilat nuk japin asnjë feetback në sistemin shëndetësor, te shërbimi shëndetësor, e as te qytetarët, por ndahen ndërmjet qeverisë dhe oligarkëve që kanë marrë këto koncensione. Ne jemi dëshmitarë të gjithë të fatkeqësisë dramatike që kanë kaluar qytetarët shqiptarë , nga paaftësia e menaxhimit të pandemisë. Kostoja më e ulët e një prekje të qytetarit me Sars-Covid2, kap shifrën nga 1 milion deri në 3 milionë lekë të vjetra. Të mos përmendim ata pacientë të cilët kanë pasur nevojë të hospitalizohen, apo nga mungesa e shërbimit shëndetësor në Shqipëri janë kuruar jashtë vendit, kostoja për të cilët ka arritur deri në 50 apo 100 mijë euro. Duke futur këtu keq-mjekimin, dramat që kanë kaluar njerëzit, vdekjet që kanë ndodhur në oborret e spitaleve, kushtet çnjerëzore që janë trajtuar në spital, të cilat kanë çuar qytetarët deri në vetëvrasje. Kemi parë rastet e vetëvrasjeve në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”. I gjithë ky zinxhir vuajtjesh dhe shpenzimesh i shtohet edhe keq-mjekimi që ka ndodhur në shtëpi nga qytetarët, duke përdorur oksigjenoterapi në kushte shtëpie, apo duke përdorur barna që shpeshherë mund të kenë çuar drejt vdekjes, sepse nuk është ofruar ndihma profesionale shëndetësore, kjo ka ndodhur vetëm dhe vetëm nga keqmenaxhimi i sistemit shëndetësor. Element tjetër i tmerrshëm dhe i pazakontë nga paaftësia e qeverisjes është humbja e jetëve të mjekëve. Ne jemi vendi i parë në botë për numër mjekësh dhe popullsie që kemi humbje më të lartë të bluzave të bardha. Kjo tregon më së miri që bluzat e bardha, sistemi shëndetësor u la pa mbështetje financiare, pa mbështetje profesionale, ishte  tërësisht në rënie të lirë dhe me dhjetëra bluza të bardha e paguan me jetën e tyre përballjen me Covidin, nga paaftësia e qeverisë.

Qeveria po bën fushatë me vaksinat që mori nga Kina dhe Rusia duke deklaruar se po e kalojnë me sukses sfidën. A i jep fund pandemisë vaksina dhe sidomos këto lloj vaksinash, për efektin e të cilave ka një debat ndërkombëtar?

Qeveria ka përdorur gjithçka, edhe jetën dhe vdekjen e qytetarëve për interesat e veta për zgjedhjet në 25 prill. Sigurisht, përdorimi më i madh dhe më i shëmtuar iu është bërë vaksinave, pasi nuk kemi parë në asnjë vend të botës që të ketë një vaksinim të modelit shqiptar, ku në çdo moment injektimi të jetë prezent Kryeministri dhe Ministri i Shëndetësisë. Është bërë vetëm propagandë me importimin e vaksinave, duke parë mënyrën si janë importuar ato, pa certifikatë analize, pa certifikatë origjine, pa kushte të ruajtjes, shpërndarjes dhe transportit që Rama i ka bërë. Nuk ka asnjë lloj statistike ose monitorim pas vaksinimit që iu bëhet qytetarëve, por vetëm bëhet një propagandë e shëmtuar për zgjedhjet, me vaksinat. Çdo vend në botë ka detyrimin që në këto raste të vaksinojë popullatën sipas fashave të moshës, sipas profesioneve, gjë që qeveria jonë nuk e ka bërë, ajo ka bërë vetëm një politikë të shëmtuar me vaksinat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here