Kur edhe vaksina rrezikon të dështojë nga ky grup amatorësh që qeveris

0
126

Nga Dr. Erion Dasho.

Në se duhet të përmblidhet në një frazë të vetme shkaku kryesor që çoi në dështimin e përgjigjes shqiptare ndaj COVID dhe të qindra vdekjet që pasuan dhe po vazhdojnë, kjo frazë do të ishte: “amatorizëm dhe paaftësi”.

Që në muajin mars, ministrisë dhe komitetit i është sugjeruar një plan veprimi që do të përfshinte tre drejtime bazë:
Trajnimi i përshpejtuar i mjekëve të familjes për të ofruar këshilla dhe monitorim në distancë për personat që sapo ishin kthyer nga Italia (vendi më i prekur në botë në atë kohë) si dhe për familjarët e kontaktet e tyre.

Vendosja në funksionim e rrjetit të spitaleve lokalë dhe rajonalë për të mundësuar që këto institucione të trajtonin pacientët e prekur nga COVID. Kjo do të përfshinte inventarizim të burimeve, riorientim të infrastrukturës, trajnim të personelit dhe furnizimin me pajisje mbrojtëse personale.

Aplikimi i një sistemi survejance dixhitale të bazuar mbi një kombinim të raportimit simptomatik dhe rezultateve të testimit, madje ku parashikohej edhe vetë-raportimi i simptomave nga ana e qytetarëve.

Më pas në periudhën prill-maj, kur bota gjeneronte evidenca shkencore dhe praktika të mira për të luftuar pandeminë, këshillat ishin:
Përfshirja e mjekëve të familjes në ofrimin e kujdesit në distancë dhe të monitorimit të pacientëve të diagnostikuar apo dyshuar me COVID. Për të mundësuar këtë propozova edhe një program telemjeksie të siguruar falas për vendin tonë si dhe furnizimin e çdo mjeku familje me 10-15 puls oksimetër, aparat i cili ka qënë dhe ka mbetur pajisja më me vlerë për monitorimin dhe identifikimin e hershëm të komplikimeve të COVID.

Furnizimi i spitaleve rajonale me pajisje BiPAP dhe CPAP të cilat do të bënin të mundur që këto spitale të ofronin kujdes shëndetësor për pjesën dërrmuese të pacientëve me komplikacione jo të rënda, pra ata pacientë që kanë nevojë për shtrim në spital, por jo për kujdes reanimator.

Ngritja e një sistemi logjistik të kompjuterizuar për të mundësuar përllogaritjen e nevojave, planifikimin, menaxhimin e kërkesave dhe shpërndarjen e medikamenteve dhe pajisjeve mbrojtëse në çdo nivel të sistemit.

Hartimi dhe zbatimi i një strategjie prioritare për të mbrojtur të moshuarit dhe të sëmurët kronikë që u identifikuan që në fillimet e pandemisë si grupe në risk.
Me ardhjen e stinës së vjeshtës, kur u pa qartë një tendencë shqetësuese në rritje e rasteve COVID në Shqipëri dhe kur tashmë bota kishte hedhur hapa të sigurt në kontrollin e epidemisë, sugjerimet kanë qënë:

Zbatimi i masave për përfshijen e mjekut të familjes dhe spitaleve rajonalë e lokalë, të cilat ishin injoruar deri në atë kohë. Kjo sigurisht me ripërsëritjen e rekomandimit për të trajnuar stafin, furnizuar mjekët e familjes me puls oksimetër, spitalet me pajisje BiPAP e CPAP, etj.

Sjellja e testeve të shpejta antigjenike (rekomandim i dhënë që në fillim të muajit tetor) për përdorim nga mjeku i familjes. Përllogarita që çdo mjeku familje t’i jepeshin brenda muajit tetor rreth 100 teste për përdorim brenda zonës së vet të kujdesit, sasi kjo që do të rifreskohej në bazë të konsumit.

Asnjë masë e vetme nga rekomandimet e sipërpërmendur nuk e pa dritën e diellit!

Situata katastrofike që shohim sot, ku vetëm gjatë 30 ditëve të fundit ka patur 387 humbje jete me një mesatare ditore prej 13 vdekje në ditë, vjen pikërisht si pasojë e refuzimit të çdo rekomandimi shkencor dhe ndjekjes me verbëri të një politike mediokër dhe të pabazuar në asnjë evidencë (siç janë ndalim-qarkullimi pas orës 22 apo mbajtja me detyrim e maskave në rrugë).

Rekomandimet e dhëna gjithë këta muaj për ministrimë dhe komitetin kanë një pikë të përbashkët:

Zbatimi i tyre nuk kërkon investime të ekzagjeruara, as infrastrukturë shtesë, as burime njerëzore shtesë! Kërkohet vetëm aftësi organizative dhe prioritizim bazuar mbi nevojat shëndetësore sipas parimit “qytetari në qendër”!

Fakti që nuk u zbatuan flet ose për një padituri të thellë, ose për një paaftësi totale!

Një shembull i freskët i ditëve të fundit:

Para një jave erdhën në Tiranë 100,000 teste të shpejta. Të cilat duhet të kishin ardhur që në tetor! Bazuar në rekomandimin e OBSH-së, në Tiranë duhet të kryhen çdo ditë të paktën 3,000 teste (duke patur parasysh incidencën ditore prej rreth 300 raste në ditë). Testet janë, nevoja është, por ekzaminimet kryhen me pikatore!!! Ç’emër mund të ketë kjo përveçse paaftësi organizative totale??!!

Bazuar në gabimet e bëra në vazhdimësi dhe në gabimin që vazhdon të bëhet me testet e antigjenit, çfarë duhet bërë që edhe vaksina të mos pësojë të njëjtin fat?

Brenda janarit ose shkurtit mund të vijnë dozat e para të ndonjë prej vaksinave (të cilat i kam quajtur edhe doza “elektorale”) dhe brenda verës ndoshta gjithë dozat e premtuara nga programi COVAX.

Vaksinimi i mbi 500 mijë qytetarëve, kërkon një organizim perfekt dhe sistem të fuqishëm logjistik me qëllim që:
1. Të identifikohen dhe prioritizohen personat që do të marrin vaksinën.
2. Të grihen pika vaksinimi në gjithë territorin e vendit, që në rastet e qyteteve të mëdha do të kërkojë infrastrukturë shtesë.
3. Të trajnohet personeli me specifikat e administrimit të vaksinës (në qytete të ndryshme, mund të aplikohen vaksina të ndryshme), të mobilizihen infermierë të rinj dhe të ngrihet një sistem mbikëqyrjeje.
4. Të rishikohet zinxhiri aktual ftohës dhe të mundësohet zëvendësimi i tij në hallka të caktuara (sidomos në se do të përfitojmë vaksina të tipit ARN që kërkojnë ftohje në minus 70?C).
5. Të garantohen sasitë e duhura të shiringave dhe pajisjeve mbrojtëse për personelin.
6. Të vendoset një sistemi për menaxhimin e mbetjeve mjeksore.
7. Të konceptohet dhe zbatohet një sistem informacioni që do të bëjë të mundur koordinimin e një numri kaq të madh personash, sidomos duke patur parasysh nevojën e marrjes së dy dozave.
8. Të trajnohet dhe mobilizohet urgjenca për të trajtuar efektet anësore apo të padëshirueshme që mund të konstatohen.
9. Të hartohet një strategji komunikimi me publikun për të mundësuar dhënien e informacionit, sqarimin e keq informimeve, menaxhimin e pyetjeve dhe shqetësimeve, koordinimin e vizitave të pikat e vaksinimit, etj.

Në se do të vazhdohet me mendësinë dhe praktikën aktuale, administrimi i vaksinës për qindra mijëra qytetarë përbën një sfidë logjistike që për nivelin e manifestuar të njohurive dhe aftësive të ministrisë dhe strukturave të veta, duket e papërballueshme!

Java e parë e ardhjes së një teknologjie të dobishme – testeve të shpejta antigjenike – ishte dështimi i radhës së një ministrie dhe një administrate të paaftë!

Në se nuk ndryshon koncepti strategjik dhe përafrimi logjistik mbi organizimin e përgjigjes ndaj COVID, jo vetëm testet, por edhe vaksina rrezikon të kthehet në dështimin dhe turpin e radhës së këtij grupi amatorësh që na qeveris…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here