Bombolat e oksigjenit, ”armë vrasëse” në duart e qytetarëve !

0
152

Nga: Redjon Shtylla

Nëse i gjithë oksigjeni i tokës do të zhdukej për pak sekonda, a do të ishim ne në gjendje ta mbanim frymën? Po jetojmë në kohë Covid-i dhe nga ky normalitet, gjithçka bëhet për ti bërë ballë virusit vdekjeprurës. Përveç maskave mbrojtëse dhe desifektantëve, bombolat me oksigjen, janë më të kërkuarat në tregun e zi. Në Shqipëri situata është kaotike. Në një anë frika për të mos shkuar në spital dhe ana tjetër ideja e trajtimit në shtëpi, ka nxjerrë në rrugë përfituesit. Tani ata janë të sofistikuar dhe afër botës virtuale, pra i kemi online, veç me një klik mund të marrësh bombola oksigjeni.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për shitjet online dhe ka nisur që të verifikojë të gjitha faqet ku shiten këto aparatura. Mësohet se një pjesë e mirë e tyre dyshohet se i kryejnë shitjet në mënyrë të jashtëligjshme, dhe se bombolat e oksigjenit janë jashtë çdo lloj standardi për kurimin e të sëmurëve. Çmimi i një aparati oksigjeni në faqe të ndryshme online varion nga 500-800 euro, kurse me qira ditore, vlera shkon 100-120 euro.

Organi i akuzës ka nisur hetimet, pasi disa javë më parë dy vëllezër për babanë e tyre të prekur nga Covid-19, kishin përdorur pikërisht këto aparatura oksigjeni, dhe i kishin blerë në facebook. Për më tepër, organi i akuzës është duke hetuar edhe rastin që ndodhi më datë 15 nëntor, ku një të moshuari i shpërtheu bombola e oksigjenit në shtëpi, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Në banesë të moshuarit i’u gjetën edhe dy bombola të tjera oksigjeni. Nisur nga situata e rëndë që po kalon vendi, me shifra shumë të larta të të prekurve nga Covid-19, “tregtarët e jetës” po përfitojnë nga kjo situatë janë faqet online që shesin aparatura oksigjeni.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u ka bërë apel qytetarëve që mos të binin pre e abuzimeve, pasi oksigjeni nuk mund të përdorej në kushte shtëpie pa asistencën e nevojshme. Në momentin kur pacienti ka nevojë për bombol oksigjeni, ka vështirësi në frymëmarrje ose ka frekuencë respiratore mbi 30 në minutë dhe ulje të saturimit poshtë 92-shit, atëherë mjeku i familjes e drejton pacientin drejt strukturave të hospitalizuara. Sasia e oksigjenit që merr pacienti nuk vlerësohet nga një familjar apo individ që shet apo lëshon me qira bombola oksigjeni.

Stadi i tretë dhe i katërt që duan oksigjen nuk menaxhohet në shtëpi, por në spital. Familjarët janë në ankth për të afërmit e tyre të cilët dërgohen me urgjencë në Spitalin Infektiv. Mungesa e informacionit rrit edhe më tepër mosbesimin te qytetarët të cilët qëndrojnë në gatishmëri për çdo nevojë të familjarëve të tyre. Ka edhe ka ata që në media kanë deklaruar se kanë blerë 900 euro bombolën e oksigjenit.

Zv/ministri i Shëndetësisë, Albert Nikolla, është shprehur se nëse dikujt i shkrepet të blejë bombola oksigjeni, ata nuk do të rimbursohen nga shteti. Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, ka treguar se në Tiranë janë dy qendra që bëjnë mbushjen e bombolave, ndërsa një kompani tjetër bën edhe kontrollin periodik të tyre. Për të, këto subjekte duhet t’i nënshtrohen të gjitha kontrolleve. Atëherë si ka mundësi që qytetarët arrijnë ti marrin këto aparatura?

Ndaj dhe Policia e Shtetit nuk duhet veç të vërshojë me gjoba ndaj qytetarëve që nuk vendosin maska dhe të shkaktojë terror me patrullimet e efektivëve të armatosur gjerë në dhëmbë, por pikë së pari të kontrollojnë të gjitha pikat ku tregtohen këto aparatura, që kur mbërrijnë në duart e qytetarëve mund të kthehen edhe në armë vrasëse.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here