Teksa në vendin tonë 4 persona janë vetëflijuar duke u hedhur nga lartësitë e spitaleve COVID-19, mjeku psikiatër Neli Demi sjell disa nga arsyet se çfarë i shtyn këta pacientë drejt aktit ekstrem.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Demi tha se ka disa faktorë që çojnë individin drejt këtij akti, janë si mungesa e oksigjenit në tru apo dhe kura me ndonjë antibiotik të fortë.
“Rastet e vetëvrasjes gjatë këtyre muajve të pandemisë janë ende nën hetim. S’kemi asnjë informacion mbi arsyet që kanë kontribuar në këtë akt ekstrem. Vetëvrasja përfshin disa faktorë, që mund të çojnë individin drejt një akti tragjik. Në kuadër të supozimeve, mund të hedhim disa hipoteza në lidhje me një predisopozitë të mëparshme të këtyre individëve. Ajo predispozitë ndërtohet nga eksperiencat e jetës. Mund të ketë dhe faktorë social që mund të çojnë drejt kësaj rruge. Mund të ketë raste të inflamacioneve në tru apo zvogëlim i oksigjenit në tru, që quhet hipoksi. Janë dhe faktorët gjenetikë, që po studiohen se cilat gene mund ta bëjnë këtë gjë. Inflamacionet e zonave të ndryshme të trurit mund të sjellin luhatje humori, prezencën e dëlirit, të mbushur me frikëra, halucinacione, konfuzion, frikë ekstreme, është gjendje dhimbje mendore. Kjo mund të sjelli dhe një reagim impulsiv. Kohët e fundit diskutohet dhe një hipotezë tjetër, që ka të bëjë me efektet e disa medikamenteve që përdoren për trajtimin e inflamacioneve respiratorë.