Diktaturat fillojnë dhe mbarojnë me edukimin….

0
97
Nga Nga Dr. Arben Beqiri

Rënia e qytetit po pasohet nga rënia e universitetit. Zgjedhjet me një kandidat po kthehen në normë. Qeverisja në vendin tonë dalëngadalë po merr format e një regjimi totalitar. Gjendja është alarmante. Fundi i demokracisë vendore po shoqërohet me fundin e lirive akademike dhe instalimin e mendimit unik zyrtar nëpër universitetet shqiptare.

Duke zbatuar të njëjtat standarde zgjedhore në zgjedhjet universitare të këtij 30 korriku, rilindja socialiste ripërsërit atë që realizoi me sukses 30 qershorin e kaluar. Qëllimi është absolut dhe i njëjti. Bëhet fjalë për kapjen totale, të dhunshme, në shkelje të ligjit, me një kandidat të vetëm, të çdo hapësire pluralizmi e të mendimit kritik në Shqipëri. Ashtu si me ligjin censurues të mediave të para disa muajve, synimi është të arrihet një pushtet unik, i centralizuar, totalitar. Kjo nuk është një metaforë, por një realitet i tmerrshëm që po kalon vendi.

Sot kuptojmë që 30 qershori i kaluar ishte vetëm një test në instalimin e totalitarizmit në Shqipëri. Një ekzekutiv i kapur nga interesa kriminale, kërkon me çdo kusht të zhdukë çdo balancë pushteti dhe çdo autoritet kontrolli. Duke imponuar kandidatët e saj monistë në zgjedhjet universitare të 30 korrikut, rilindja socialiste kërkon t’i imponojë botës akademike shqiptare një linjë zyrtare të mendimit. Zgjedhjet me një kandidat unik nuk mund të prodhojnë veçse një mendim unik. Është kjo esenca e çdo totalitarizmi. Përballë këtij pushteti, nuk mund të ketë asnjë kundër-peshë, asnjë kontroll, asnjë institucion të lirë që të mund të prodhojë një mendim ndryshe nga ajo që pranohet zyrtarisht. Në këtë regjim, një universitet cilësor apo një media e lirë, një drejtësi e pakapur, një parlament demokratikisht i zgjedhur apo një qytet i lirë, çdo institucion i lirë shihet si armik i popullit.

Kjo është një thirrje të mbrojmë universitetin shqiptar. Individë pa mandat, ashtu si dhe kandidatë në konflikt të pastër interesi, marrin vendime kolegjiale në emër të Senatit Akademik duke vendosur për instancat e apelimit, për rregullat e kandidimit, për afatet e kritere të tjera juridike në shkelje të plotë të ligjit. Një paligjshmëri e qëllimtë për të mundësuar një garë pa garë, një zgjedhje pa zgjidhje, një votim pa votues. Anembanë vendit, më 30 korrik do të paraqitet vetëm një kandidat për shumicën e pozicioneve të drejtuesve të Universiteteve dhe fakulteteve shqiptare.

Duke kapur universitetin, rilindja socialiste hedh farën e kapjes së mendimit shqiptar. Uzurpimi i universitetit sot synon të godasë çdo zë kritik nesër. Rënia e universitetit sot është pamundësimi i çdo kërkimi shkencor të lirë nesër. Është censurimi i shkencës nga propaganda. Është zëvëndësimi i karrierës akademike me promovimin e shërbëtorëve militantë. Është fshehja e të vërtetës bazuar mbi prova kërkimore të pavarura, me gënjeshtra politike të fabrikuara. Është fundi i dijes dhe vijim i totalitarizmit të shtetit-parti. Kushdo që do të tentonte t’i kundërvihej, nëpërmjet edukimit, publikimit të analizave e gjetjeve akademike, nëpërmjet projekteve kërkimore të pavarur, nëpërmjet intelektit, do të izolohej nga katedra-partiake të drejtuara nga komiteti qëndror i rilindjes socialiste.

Nëse rikthimi i një realiteti që shqiptarët e kanë përjetuar 30 vite më parë duket i pamundur, përhapja shqetësuese në botën akademike perëndimore të “Cancel Culture” (praktika e censurimit të zërave kritikë) dëshmon se liria e fjalës, liria e mendimit ndryshe, liria e kërkimit shkencor, bërthama e vetë lirisë, nuk është një e drejtë e përhershme, por një standard shoqëror për të cilin duhet luftuar në mënyrë konstante.

Universiteti është burimi i demokracisë republikane pasi është pikërisht nëpërmjet përhapjes së katedrave universitare europiane, që shekuj më parë u brumosën anembanë kontinentit idetë e tregut e kapitalit të lirë, të kontratës sociale, të demokracisë përfaqësuese e asaj direkte. Është nëpërmjet katedrave të universitetit që lindi mjekësia moderne, fizika dhe shkencat ekzakte siç i njohim sot. Është nëpërmjet dishepujve të dijes, që qyteti grek prodhoi i pari demokracinë.

Të mos lejojmë që epitafi i demokracisë vendore i 30 qershorit të kaluar të rishkruhet në mënyrën më të shëmtuar sërish këtë 30 korrik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here