I ftuar në “Çim Peka LIVE” në Syri TV, ish ministri i jashtëm Aldo Bumçi, teksa komentoi zhvillimet e ditëve të fundit në Kosovë dhe akt-akuzat e Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, u shpreh se, fjalimi i sotëm i kryeministrit Edi Rama në parlament nuk e shfajëson nga sjellja që ka patur karshi Kosovës vitet e fundit.
“Nuk është fjalimi gjëja më e rëndësishme. Kjo është pika e ulët që shqiptarët kanë prekur pas ndërhyrjes së NATO-s. Shqiptarët arritën kuota që nuk i kishin arritur kurrë në historinë e tyre. Nuk kishte ndodhur që shqiptarët të kishin dy shtete, anëtarësimi në NATO… Prekëm pikën më të dobët. Këtu ka rol edhe Prishtina, por po ndalon këtej kufirit.
Rama ndryshe nga çdo qeveri, devijoi nga shinat e politikës së sonë të jashtme. Rama e kaloi këtë vijë dhe filloi të flitej për pajtimin shqiptaro-serb. Këtu nuk jemi në rastin franko-gjerman dhe është Rama që e takon Vuçiçin 7 herë, 8 herë duke lënë në hije Prishtinën. Aq sa detyroi Thaçin të dalë publikisht dhe të thotë se pajtimi shqiptar-serb kalon nga Prishtina. Rama donte të merrte kapital politik me idenë që për shqiptarët vendos unë.
Ai i dha kartën serbëve që dëshironin. Nëse flet Tiranë-beograd, Kosovën e ke ndarë. Ky qëndrim solli zbehje të rolit të Kosovës”, tha ndër të tjera Bumçi.