‘Nëse opozita qëndron e bashkuar, Rama s’ka shans për mandat të tretë’

0
113

Kastriot Islami, një ndër hartuesit e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në vitin 2008, shprehet se sistemi zgjedhor aktual nuk favorizon askënd,  por ajo që favorizon një forcë politike apo një koalicion është puna e bërë përgjatë qeverisjes apo programi me të cilin prezantohet në fushatë. Gjatë intervistës, Islami shprehet se ndryshimi i sistemit erdhi si kërkesë e kohës, e miratuar nga të dyja forcat kryesore të politikës, dhe rezultatet e 2009-s apo 2013-s tregojnë se kur bëhet fjalë për garë të ndershme zgjedhore atëherë rezultati nuk ka gjasë të deformohet.

Zoti Islami, si u kryen ndryshimet në vitin 2008?
Ndryshimet e 2008 janë kryer në legjitimitetin më të lartë në këta 30 vjet. Më konkretisht ky përfundim mbështetet nga disa fakte “kokëforta” të përcaktuara nga zgjedhjet e 2005: i) rezultati zgjedhor i pranuar nga grupimet kryesore politike; ii) ndodhi alternimi/rotacioni i “butë” i pushtetit; iii) 100 deputetë u zgjodhën me sistem mazhoritar nga 100 zona zgjedhore dhe 40 mandate u fituan nga “partitë e vogla” me sistem proporcional; iv)  parlamenti funksiononte me mazhorancën dhe opozitën e dalë nga zgjedhjet e gjithëpranuara; v) ndryshimet e propozuara me konsensusin e gjerë politik të grupimeve kryesore të kuvendit kaluan përmes një komisioni të reformës zgjedhore; vi) komisioni i reformës ishte gjithëpërfshirës e i balancuar politikisht dhe funksiononte bazuar në parimin e “konsensusit substancial” (kjo do të thotë që as në komision dhe as në parlament, asnjë palë nuk mund të marrin vendime të njëanshme) dhe u formulua e funksionoi pa asnjë ndërmjetësim ndërkombëtar; vi) dokumenti i ndryshimeve u miratua në kuvend me mbi 4/5 e votave… Pra, ndryshimet e 2008 janë kryer përmes një procesi tejet legjitim dhe një vendimmarrjeje legjitime. Në atë moment shumica legjitime e parlamentit legjitim mendonte, derisa i votoi me mbi 4/5 e votave, se vendimi i marrë ishte edhe substancialisht legjitim… A është e drejtë që pas 12 vjetësh të kërkohet një debat për të diskutuar “vendimmarrjen e 2008”? Sigurisht që askush nuk mund të jetë kundër në parim… Si mund ta realizojë ky parlament është çështje tjetër…!

Pse u ndryshua sistemi zgjedhor në vitin 2008?
Parapërgatitjet për të gjithë ndryshimet e vitit 2008, të Kushtetutës, të kodit dhe sistemit zgjedhor, janë bërë përgjatë tre vjetëve… pra nga viti 2005 deri në vitin 2008, duke filluar menjëherë pas zgjedhjeve legjitime të vitit 2005.  Pavarësisht gjithçkaje të vërtetë që thashë më lart,  publiku kërkonte ndryshim të sistemit zgjedhor dhe qeverisjeje më të qëndrueshme, duke menduar se “dukuria e Dushkut” deformonte rezultatin zgjedhor duke dhunuar Kushtetutën, kurse qeveria ishte në sytë e tyre jo shumë e qëndrueshme për shkak të “lojërave politike” të disa “partive periferike”… E gjithë kjo ndjeshmëri kërkonte një përgjigje, gjë që çoi në ngritjen nga parlamenti të një komisioni që do të shqyrtonte ndryshime e duhura për të adresuar shqetësimet/kërkesat e publikut. Procesi i zhvilluar nga ky mekanizëm do të kryhej përmes një procesi konsultimesh e debatesh të brendshme e të jashtme në partitë kryesore politike, me të gjithë faktorët e rëndësishëm politikë në parlament e jashtë tij, me shoqërinë civile, median dhe ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj të Këshillit të Europës e të ODHIR… Forcat kryesore politike u angazhuan në një diskutim pa ndërmjetësim ndërkombëtar dhe në një debat/diskutim, që për çështjen e sistemit zgjedhor rezultoi me dy faza. Në fazën e parë u shqyrtuan të gjithë kërkesat/ankesat për sistemin e “vjetër” zgjedhor  duke peshuar të gjithë argumentet pro dhe kundër ndryshimit apo abrogimit të tij… Në fazën e dytë, pasi ishte arritur në përfundimin se duhej abroguar sistemi i vjetër zgjedhor dhe duhej  dizenjuar e miratuar një sistem i ri zgjedhor, forcat kryesore politike përcaktuan me konsensus të gjerë kërkesën/“porosinë” politike (ngul këmbë që “porosia” ishte politike dhe konsensuale nga dy grupimet kryesore politike që zotëronin mbi 80 për qind të mandateve të kuvendit) për një sistem të ri zgjedhor… “Porosia” politike në parim u formulua dhe miratua nga dy grupimet kryesore politike të cilat sipas statuteve të tyre kishin mandatuar kryetarët e tyre të formulonin kriteret/detajet kryesore për “porosinë” e tyre për sistemin e ri të zgjedhjeve…. Me tej u zhvilluan debate në prani të ekspertëve vendas e ndërkombëtarë për aspektet teknike të sistemit të ri zgjedhor…  Ky projekt iu dërgua për miratim kuvendit i cili fillimisht e diskutoi dhe më tej e miratoi me mbi 4/5 e votave, konform procedurës të përcaktuar në rregulloren e kuvendit…

Zoti Islami, ju jeni një ndër hartuesit e Kodit Zgjedhor në vitin 2008 dhe të ndryshimit të sistemit zgjedhor… Çfarë e trembte kreun e opozitës së asaj kohe që nuk vazhdonte me sistemin mazhoritar me lista të korrektuara në proporcional?
Së pari, më duhet të ripërsëris se unë s’jam as ideatori, as “porositësi” dhe as hartuesi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe as i ndryshimit të sistemit zgjedhor, dhe aq më pak i ndryshimeve kushtetuese…. Së dyti, do kisha dashur shumë të kisha qenë kaq i fuqishëm, sepse më duhet t’i rikujtoj për më tepër publikut se ndryshimet e vitit 2008, duke qenë të shoqëruara edhe me ndryshime kushtetuese, e me mbështetje të madhe qytetare të prononcuar fuqimisht kundër “dushkëzimit të parlamentit” janë votuar nga mbi 4/5 e parlamentit, me mbështetje nga të gjithë deputetët e mazhorancës së drejtuar nga Berisha ashtu edhe nga të gjithë deputetët e opozitës së drejtuar nga Rama, gjë që do të ishte e pamundur të bëhej nga një individ, veçse po të kisha pasur fuqi të mbinatyrshme për të siguruar një konsensus kaq të gjerë, për më tepër pa ndërmjetësimin, qoftë edhe të një ndërkombëtari. Abrogimi i sistemit të vjetër dhe futja e sistemit të ri u bënë me nga një presion masiv qytetar ndonëse kryetarët e mazhorancës e të opozitës ishin rehat me sistemin e vjetër siç ndihen aktualisht me sistemin mazhoritar aktual për përcaktimin e kandidatëve të 61 bashkive të vendit…

Po atëherë cili ishte roli juaj? Apo i zotit Rusmajli apo Bylykbashi?
Po vijoj logjikën e nisur më lart… Duhet t’ju rikujtoj diçka që është e ditur se “porositësit” e vërtetë politikë të të gjithë ndryshimeve ishin dhe do të jenë gjithmonë partitë kryesore politike…ndërkohë që anëtarët e komisionit të reformës zgjedhore mund të konsiderohen në mënyrë figurative veçse si “paketuesit teknikë” apo “rrobaqepësit” e këtij vullneti politik konsensual të prezantuar në komision si “porosi” politike. Pra, thënë shkurt e qartë, “porosinë” e ndryshimeve e kanë bërë partitë kryesore politike kurse “teknicientët” veçse e kanë “qepur” atë sipas porosisë së tyre…

Po si u arrit që të votonin në parlament mbi 112 deputetë pro këtyre ndryshimeve?
Duhet të kini parasysh se i gjithë procesi i “porosisë” së partive kryesore, dhe i “paketimit” teknik të vullnetit të tyre deri në miratimin me konsensus me mbi 4/5 e votave të kuvendit, u zhvillua nën një trysni të madhe nga publiku për të abroguar sistemin e vjetër dhe miratuar një sistem të ri zgjedhor. Prandaj me shumë qetësi e maturi ky proces do të kalonte përmes një rruge të gjatë të përcaktuar nga një teknologji standarde, konsultimesh e debatesh gjithëpërfshirëse brenda e jashtë grupimeve kryesore politike të mazhorancës e opozitës, transparente e profesionale,  me të gjithë aktorët kryesorë politikë, aktorët e interesit,  shoqërinë civile, median dhe profesionistët vendas e të huaj. Do të pyesnit me siguri ju: A ka pasur kundërshti? Sigurisht që ka pasur, madje me intensitet, por me mbështetje të kufizuar në parlament e publik; po ashtu si kudo në botë që ka pasur gjithnjë e do të ketë kundërshti…Por ripërsëris se nga e gjithë kjo teknologji është përgatitur një projekt ndryshimesh përmes një procesi tejet legjitim dhe që u miratua në kuvend me konsensus të gjerë, me mbi 4/5 e votave të kuvendit…Ky është përfundimi zyrtar i ndryshimeve të 2008…gjithçka tjetër është legjendë…

A ju është dhënë ndonjë porosi specifike për ndonjë forcë politike të caktuar?
“E mora vesh ku ma hodhe llafin” do të thoshte me shpoti populli…Në një proces të realizuar përmes një teknologjie standarde, konsultimesh e debatesh gjithëpërfshirëse, brenda e jashtë grupimeve kryesore politike të mazhorancës e opozitës, transparente e profesionale,  me të gjithë aktorët kryesorë politikë, aktorët e interesit,  shoqërinë civile, median dhe profesionistët vendas e të huaj, pra përmes një procesi legjitim e transparent është e pamundur të gjendet hapësirë për të tilla “porosi” specifike për të cilat më pyesni ju… Dhe mbi të gjitha më duhet t’ju ribëj me dije të gjithëve se në asnjë rast unë personalisht nuk do të kisha pranuar kurrë një “porosi” të tillë… dhe do ta kisha kthyer mbrapsht me neveri si të papranueshme për formimin dhe integritetin tim… aq më tepër që një gjë e tillë do të ishte e pamundur të ndodhte…

Ka pasur shumë aludime në media se ka pasur porosi që sistemi i ri zgjedhor të diskriminonte parti të caktuara politike? A është e vërtetë kjo gjë?
Le t’ju sqaroj më në detaje për këtë çështje që shumë individë të paditur apo naivë janë përpjekur të krijojnë konfuzion… Së pari, është e vështirë madje e pamundur që në një proces legjitim e transparent dhe në një ushtrim të tillë bashkëveprimi mes mazhorancës e opozitës të gjendet një hapësirë për të realizuar në mënyrë të njëanshme “porosinë” specifike të një pale apo aq më pak të një individi dhe aq më tepër me synimin “specifik”, diskriminimin e një partie të caktuar, aleate ose bashkëpunuese e një prej dy grupimeve politike kryesore. Për më tepër, nëse opozita do ta dëshironte një gjë të tillë , mazhoranca do ta refuzonte egërsisht dhe anasjelltas…. Së dyti, rezultati zgjedhor i 2009 dhe i 2013 treguan qartas se sistemi zgjedhor as mund të privilegjojë dhe as të diskriminojë ndonjë grupim politik, aq më tepër që rregullat e lojës të përcaktuara në sistemin zgjedhor do të ishin transparente para se të niste beteja elektorale… Së treti, duhet patur parasysh një rregull i përgjithshëm: sistemi zgjedhor vetëm i “transformon” votat në mandate, pra një parti mund të ketë më shumë apo më pak mandate me një sasi të caktuar votash por nëse një parti nuk ka një sasi të caktuar votash nuk ka asnjë sistem zgjedhor që e bën me mandate… Aq më pak forcë politike transformuese të sistemit të vjetër politik…për të cilën duhet mbështetje e madhe popullore për të cilën nuk mund të fajësohet sistemi zgjedhor… Po ashtu, në literaturën e sistemeve zgjedhore gjendet shprehja “legjendare” se të “gjitha sistemet janë demokratike” dhe nuk ka asnjë sistem që të jetë “më i miri” nga të gjithë të tjerët… Thënë në troç, ato parti që nuk kanë fituar mandate me sistemin proporcional rajonal, ose me votat e fituara nuk kanë fituar mandate me sistemin zgjedhor aktual, me shumë gjasa nuk do të mund të fitonin mandate me sistem mazhoritar… Arsyeja është e thjeshtë: nëse një parti nuk ka vota të mjaftueshme për të siguruar mandate me një sistem proporcional është pothuajse e sigurt që nuk mund të sigurojë mandate me një sistem mazhoritar.

Ju kujtohet ndonjë detaj, si e priti Rama humbjen e vitit 2009?
Së pari, kjo është pyetje për Ramën aq më pak për mua që as nuk kam qenë dhe as nuk jam zëdhënësi i tij apo pranë tij…Së dyti, me sa kujtoj qëndrimet publike, Rama nuk ka shprehur zyrtarisht së paku asnjë ankesë për sistemin zgjedhor, sepse kjo do të ishte fatale për të sepse kështu do të paralajmëronte humbjen e sigurt edhe në 2013…. Fakti që Rama i fitoi zgjedhjet në 2013 për shkak të koalicionit me Metën, tregon se humbja e 2009 nuk kishte ardhur nga sistemi zgjedhor… Fakti që deri më sot asnjë ende nuk është formësuar një “shumicë dërmuese” për të bërë të mundur ndryshimin me konsensus të sistemit zgjedhor tregon se ato nuk kanë mundur të sigurojnë një “porosi” të re interesante, politike për ta dhe për më tepër që të ishte aq gjithëpërfshirëse sa të mund të kalonte në një komision të balancuar e substancialisht gjithëpërfshirës e më tej të votohej gjerësisht në kuvend…

Në skenë ka dalë tashmë ajo që quhet opozita parlamentare.. Veç listave të hapura ata kërkojnë dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Ju mendoni se është propozim direkt i tyre apo ka prapavijë tjetër mbrapa?
Unë nuk mund të gjej se çfarë dhe kush fshihet pas propozimeve që bën dikush, ndonëse ndiej që ekziston një prapavijë nga pas. Nuk më lejohet të jap mendim konkret profesional për propozimet gjë që do ta bëja nëse do të isha në një pozicion të tillë dhe për më tepër nëse një gjë e tillë do të më ishte kërkuar. Unë e kam një mendim politik e teknik për këto propozime por nuk do të shprehem publikisht për një pyetje që nuk më drejtohet mua në këto momente… Në parim jam në mbështetje të plotë të çdo propozimi nga kushdo që vjen dhe mendoj se do të ishte gabim të refuzoheshin apriori propozimet për ndryshime qoftë të Kodit Zgjedhor, qoftë të sistemit zgjedhor, qoftë të Kushtetutës…që vijnë nga aktorë apo faktorë të ndryshëm, të mëdhenj apo të vegjël… Mendoj se çdokush ka të drejtë të bëjë propozime dhe çdokush ka të drejtë të japë argumenta për propozimet e bëra… Parlamenti duhet të ngrinte një mekanizëm të gjithëpërfshirjes substanciale me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve politikë të rëndësishëm ku do të diskutoheshin dhe debatoheshin të gjitha propozimet edhe të faktorëve periferikë… Ky debat do të duhet të ishte transparent për publikun dhe me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të interesit, të shoqërisë civile, të medias dhe të profesionistëve vendas e të huaj. Nëse do të kishte një projekt të përgatitur me konsensus nga mekanizmi i ngritur, atëherë ai duhet të kishte miratimin e shumicës së duhur (të cilësuar apo kushtetuese, sipas rastit) në parlament dhe eventualisht mund të kalonte edhe në referendum në përputhje në kërkesën kushtetuese dhe ligjin për referendumet.

Ju keni kohë që merreni me zgjedhjet… Në objeksionin tuaj aktualisht, me këto koalicione sa shanse ka mazhoranca aktuale të fitojë një mandat të tretë ashtu siç deklaron shpesh?
Do t’ju përgjigjem edhe “teknikisht” edhe “politikisht”… Po e nis “politikisht”; nga një analizë e qetë dhe racionale e qeverisjes dhe krizës shumëpërmasore ku gjendet vendi, mua më rezulton se nëse opozita aktuale qëndron e bashkuar, atëherë mazhoranca aktuale, për shkak të keqqeverisjes së vendit, nuk asnjë shans për një mandat të tretë…madje nëse zgjedhjet do të ishin minimalisht të rregullta, humbja e saj do të ishte e qartë dhe e madhe për të mos thënë katastrofike… “Teknikisht”, po ashtu, si humbja e vitit 2009 për PS apo e 2013 për PD, edhe rezultati i kësaj radhe mendoj se do të ishte invariant nga sistemi zgjedhor, pra thënë me fjalë më të thjeshta për publikun, fitorja e një grupimi dhe humbja e tjetrit nuk do të vareshin as këtë radhë nga sistemi zgjedhor…por nga marrëdhëniet e tyre me qytetarët…Për ta parë më qartë se cili grupim do të kishte shanse më të larta për të fituar zgjedhjet do të duhet të bëheshin sondazhe. Ndërkohë që problemi më i madh në zgjedhjet e fundit, pas vitit 2013, ka qenë blerja e votës dhe kërcënimi i votuesve…Në literaturën perëndimore të para 50 viteve kjo njihet me terminologjinë e “natës së qenve lehës”…; gjykoj se problemi më i madh që kanë zgjedhjet në Shqipëri lidhet me arsyen përse “qentë lehin” gjatë netëve të javës së fundit para zgjedhjeve, pra nga hajdutët me çanta që shpërndajnë para për të blerë vota…Kësaj sëmundjeje i duhet gjetur vaksina… se për Shqipërinë është bërë më shkatërrimtar se edhe koronavirusi…

Së fundmi, çfarë roli do të kishte sistemi zgjedhor në shmangien e blerjes së votës apo të kërcënimit të votuesve, që janë cilësuar nga OSBE/ODHIR edhe si dy problemet më shqetësuese të zgjedhjeve të fundit?
Gjykoj se kjo është pyetja më e rëndësishme dhe më serioze.. Përgjigjja mendoj se prek “thembrën e Akilit” të debatit për sistemin zgjedhor… Në 30 vitet e fundit në Shqipëri janë përdorur të gjitha llojet e sistemeve zgjedhore, mazhoritar, proporcional dhe i përzier. Po ashtu, aktualisht për zgjedhjet parlamentare përdoret sistemi proporcional rajonal kurse për zgjedhjet e kryetarëve të bashkive sistemi mazhoritar dhe për zgjedhjet e këshillave bashkiakë sistemi proporcional me një “zonë zgjedhore”, pra i ngjashëm me atë proporcional kombëtar. Nga një analizë e thelluar rezulton se asnjë lloj “sistemi zgjedhor” nuk mundet të “korrektojë” tri probleme madhore që cilësohen në raportet e fundit të OSBE/ODHIR: i) mungesën e vullnetit për të zbatuar Kodin Zgjedhor që përbën një bazë shumë të mirë ligjore për zgjedhje të lira e të ndershme; ii) blerjen e votave dhe iii) kërcënimin e votuesve…/MAPO

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here