Listat e hapura si alibi për másakrimin e sistemit zgjedhor

0
162

Nga Kastriot Çipi

 

Ndërkohë që është vënë në pikëpyetje miratimi nga Kuvendi i reformës zgjedhore, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga palët në Këshillin Politik, 29 deputetë të opozitës parlamentare kanë depozituar projektin për amendimin e neneve 64 dhe 68 të Kushtetutës. Në Relacionin që shoqëron projekt-amendamentet thuhet se qëllimi është heqja e pengesave kushtetuese për votimin me lista të hapura. Në fakt kjo është një gënjeshtër e dyfishtë.

Së pari, Kushtetuta nuk ka asnjë pengesë për votimin me lista të hapura! Kjo pengesë gjendet vetëm në Kodin Zgjedhor. Së dyti, në asnjë rresht të projekt-amendamenteve nuk flitet për lista të hapura! Kjo çështje do të mbetet për t’u trajtuar nga Kodi Zgjedhor, edhe nëse miratohen amendimet e propozuara (Neni 64, paragrafi 3).

Duket sheshit se retorika për hapjen e listave po përdoret si alibi nga opozita parlamentare, për të ndryshuar Kushtetutën dhe madje për ta ndryshuar në favor të PS! Dhe ja sepse:

Ndryshimi i Nenit 64, paragrafi 1, parashikon heqjen e kriterit të ndarjes së hartës zgjedhore sipas njërës prej ndarjeve të njohura administrative, në bazë të të cilit kemi aktualisht përdorimin e qarqeve si zona zgjedhore, por nuk ofron një alternativë të qartë. Harta e re zgjedhore do të përmbajë “rajone”, të cilat sërish do të miratohen me Kodin Zgjedhor (Neni 64, paragrafi 3). Kësisoj, Rama do të ketë dorë të lirë të negociojë me opozitën parlamentare miratimin e hartës së re zgjedhore, me “rajone”, sipas interesit zgjedhor të PS.

Paragrafi 2 i Nenit 64, sipas projekt-amendamentit, vendos një barrierë prej 5% për përfaqësimin. Ky paragraf dënon me vdekje të gjitha partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur. Nëse ky amendament miratohet, në Kuvendin e ardhshëm do të shohim vetëm tri parti: PS, PD dhe LSI. Asnjëherë në këta 30 vjet pluralizëm, asnjë parti tjetër nuk ka fituar dot më shumë se 5% të votave në rang vendi. Propozimi i një barriere të tillë nga deputetë pa parti, apo të partive të vogla, ekzistuese (si Bindja Demokratike) apo që do të krijohen në të ardhmen (siç ka shpallur Myslim Murrizi) duket një harakiri i pakuptimtë, nëse nuk është një shërbim i kërkuar nga Rama.

Qëllimi për asgjësimin e alternativave të tjera politike, përveç trinisë PS-PD-LSI, bëhet edhe më i qartë nëse lexohet projekt-amendamenti i Nenit 68, me të cilin sanksionohet ndalimi i koalicioneve zgjedhore! Me fjalë të tjera, opozita parlamentare po i jep Ramës me Kushtetutë avantazhin, që ai e mori me manovra politike në zgjedhjet e 2017, kur opozita garoi pa koalicion, për shkak të zgjatjes së negociatave përtej afatit për regjistrimin e koalicioneve në KQZ. Në vitin 2017, për shkak të mungesës së koalicioneve dhe ndarjes në 12 zona zgjedhore, PS fitoi plot 8 mandate më shumë se sa i takonin, pas numërimit të votave, pa llogaritur këtu efektin e blerjes apo vjedhjes së votave.

PS: Sa per kunj: Ju qe me keni akuzuar se i sherbej Rames, duke kerkuar listat e hapura dhe korrektimin kombetar te proporcionalit, me thoni pasi ta keni lexuar, kujt i sherbej me kete shkrim?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here