“Në fund të muajit do kemi strategjinë e re”/ Mashtrimi i Ramës me transportin publik…

0
120

Transporti publik është mbyllur prej më shumë se dy muajsh e gjysmë, kur nisi zbatimi i masave shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit. Kjo ka shkaktuar shumë pengesa për qytetarët, tani që më shumë se 90% e aktiviteteve janë hapur. Javën e kaluar kryeministri Rama deklaroi se deri në fund të muajit maj, qeveria do të kishte strategjinë e re për transportin publik. A e mbajti kreu i qeverisë premtimin?


I mbyllur që më datë 12 mars, transporti publik ishte ndër aktivitetet e para që ndaluan së funksionuari, me t’u identifikuar personat e parë të prekur nga Covid-19. Por ndërkohë që prej 1 muaji ka filluar hapja graduale e aktiviteteve, transporti urban që vetëm në Tiranë përdoret nga të paktën 200 mijë pasagjerë në ditë, vijon të qëndrojë i mbyllur.

Transporti publik, për vetë problemet që ka mbartur në vite, konsiderohet nga Ministria e Shëndetësisë si aktivitet me risk të lartë, me realitetin e ri të krijuar nga pamdemia e Covid-19. Pavarësisht premtimit të saj më 7 maj se shumë shpejt do kishim një vlerësim për hapjen, institucioni më i lartë shëndetësor në vend mbetet ende i rezervuar për të vendosur rinisjen e këtij aktiviteti.

Por më 24 maj kryeministri Rama premtoi se qeveria do dilte me strategjinë e hapjes së transportit publik, urban dhe ndërurban.

Deri në fund të muajit ne do të kemi strategjinë e re për transportin publik dhe do t’i hapim pjesë-pjesë linjat e transportit publik duke vënë në jetë një reformë tërësore të këtij sektori me një pjesëmarrje direkte të shtetit në garantimin e standardeve të reja. Jo thjesht në funksion të mbrojtjes së shëndetit sot, por edhe të rritjes së ndjeshme të cilësisë së shërbimit në transportin publik urban dhe ndërurban nesër.” – tha ai.

Kreu i qeverisë e preku sërish çështjen e transportit publik pak ditë më vonë, më 27 maj, në atë që ai e konsideroi si komunikimi i fundit dedikuar ekskluzivisht luftës ndaj COVID-19.

“Kjo është java e fundit e masave të mbetura kufizuese të lëvizjes. Po ashtu, me përjashtim të aktiviteteve kulturore e sportive, ku ende do të mungojnë spektatorët, dasmave e funeraleve ku ende s’do të mund të mblidhen qindra njerëz bashkë, transportit publik që do të rrijë mbyllur edhe për pak dhe plazheve ku duhet e do të ketë një kornizë rregullash sigurie, gjithçka tjetër do të jetë e hapur njësoj si më parë.” – tha zoti Rama.

Të premten e datës 29 maj, ministrja e Shëndetësisë, zonja Manastirliu bëri publik planin e hapjes nga 1 qershori e më pas. Përveç aktiviteteve që hapen më 1 qershor, ajo saktësoi edhe ato që do të ndaloheshin deri më 23 qershor, datë në të cilën përfundon gjendja e fatkeqësisë natyrore. Por ndërkohë që nga dita e hënë do të lejohet hyrje-dalja me automjete nga qytetet e konsideruara zonë e kuqe drejt zonave të gjelbra dhe anasjelltas,  për rihapjen e transportit publik, nuk dha një datë.

“Po punohet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një plan të transportit publik të sigurt i cili do të jetë gati në një kohë sa më të shpejtë. Deri atëherë, transporti publik do të jetë i mbyllur. “ – tha zonja Manastirliu.

Ministrja Manastirliu gjatë prezantimit të planit të hapjes nga data 1 qershor

Deri në momentin që është botuar lajmi, në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë apo nga kryeministri Rama, i cili dha si afat fundin e muajit maj për publikimin e planit për rihapjen e transportit publik, nuk pati asnjë komunikim./Faktoje.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here