Ministrja e Kulturës në Kosovë telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Rikard Ljarjas: Humbje e madhe për artin shqiptar

0
110

Ministrja e e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës Vlora Dumoshi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Ljarja,  për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjistorit Rikard Ljarja.

Dumoshi shkruan se ‘ne në Kosovë, jemi ushqyer me kulturën shqiptare nëpërmjet veprave të cilat na ka sjellë Rikardi bashkë me shumë aktorë e artistë tjerë shqiptarë. Jemi rritur me filmat ku protagonist ka qenë ai’ dhe se vdekja e tij është humbje e madhe për artin shqiptar, por korpusi i veprave filmike që ai la pas vete, janë një pasuri e çmuar artistike që ka vulën e kulturës shqiptare dhe bën që emri i tij të mos harrohet kurrë.

MESAZHI I PLOTË
E nderuara familja Ljarja,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj Rikardit, aktorit, regjisorit dhe skenaristit tonë të madh, që la gjurmë të pashlyeshme në tërë kulturën shqiptare.

Puna, kontributi dhe angazhimi i tij, në fushën e teatrit dhe sidomos të kinematografisë, e ka bërë atë figurë të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare.

Ai me shumë punë dhe dashuri për artin, e ngriti kulturën shqiptare në një nivel tjetër.

Ne në Kosovë, jemi ushqyer me kulturën shqiptare nëpërmjet veprave të cilat na ka sjellë Rikardi bashkë me shumë aktorë e artistë tjerë shqiptarë.
Jemi rritur me filmat ku protagonist ka qenë ai. Nga shumë filmat që Rikardi mori pjesë, nuk mund të harrohen dot “Rrugët e bardha”, “Pesha e kohës”, e shumë filma të tjerë si dhe angazhimi i tij në teatrin “Migjeni” i cili ishte një thesar në mesin e xhevahireve të tjerë që kishte Shkodra.

Vdekja e tij është humbje e madhe për artin shqiptar, por korpusi i veprave filmike që ai la pas vete, janë një pasuri e çmuar artistike që ka vulën e kulturës shqiptare dhe bën që emri i tij të mos harrohet kurrë. Fizikisht, ai nuk do të jetë më i pranishëm me ne, por do të kujtohet gjithmonë përmes veprës shumë të çmuar dhe me vlerë që la pas.

E nderuara familje Ljarja, të dashur miq të tij, i tërë komuniteti artistik mbarëshqiptar, pranoni ngushëllimet e mia më të përzemërta.
I përhershëm qoftë kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu.

Sinqerisht,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Republika e Kosovës

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here