Biseda e rrallë mes piktorëve, Llambi Blido me Lekë Tasin: Provokimi i surreales

0
308

 

Në rubrikën “Art në distancë”,  risjellim këtë intervistë ekskluzive për “standard” me rastin e 91 vjetorit të lindjes së piktorit, e shkrimtarit Lekë Tasi

 

Në mendimin kritik shqiptar ndeshet rrallë biseda mes dy artistëve, që njëri tërhiqet mbrapsht për të nxjerrë në pah çfarë po ndodh me laboratorin e kolegut. Kjo ka ndodhur pas ekspozites qe piktori Lekë Tasi, kishte hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve, (shtator 2007) ndërsa kolegu i tij, piktori Llambi Blido, është ulur në tavolinë në një ballafaqim mendimesh, ndër vite. Kjo vetëm për pikturën e Lekë Tasit, për provokimet e tij qysh në krijimtarinë e hershme.

 

Llambi Blido: Ti Lekë je piktor autodidakt, gjë tepër e rrallë, thuajse unikale në pikturën shqiptare të ditëve tona. E them këtë, sepse vërshimi i amatorëve dhe pretendimet e diletantëve të ndryshëm tek ne, ndryshe nga ç’ndodh në botë, rrallë justifikohen nga realizimet e tyre. Ata që nuk hyjnë kurrë në një shkollë arti, si rregull jo vetëm nuk bëhen dot profesionistë, por bëhen në një farë mënyrë armiq të profesionalizmit. Përjashtimet forcojnë rregullin: ndodh që me punë të mundshme dikush ta fitojë ndërgjegjen e profesionistit dhe rezultatet të jenë mbresëlënëse, një shembull nga e kaluara dhe për nivelin e atëhershëm është Spiro Xega. Rasti yt është pikërisht i tillë. Duke të njohur dhe ndjekur që prej një kohe të gjatë, vitet ‘60-të, kam një ide të qartë dhe të saktë për krijimtarinë tënde në këto dekada, për nivelin profesional dhe artistik, për gjuhën etj…

 

Lekë Tasi: Do të të them një gjë që ti sigurisht e ke kuptuar nga bisedat tona. Unë kam pasur gjithmonë pikë të dobët shkollën që më ka munguar. Shprehitë që fiton i riu në një studio akademie për disa vjet më radhë, janë patjetër një avantazh i madh, të cilin unë jam munduar ta vë në vend me shumë punë e studim vetiak, dhe me të pyetur, por pa arritur disa shprehi t’i përvetësoj plotësisht. Nga ana tjetër, mund të mburrem se mësuesit e mi në orët e vizatimit në gjimnaz nuk kanë qenë dosido, por Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, prej të cilëve mora bazat.

 

Llambi Blido: Më lejo të të kujtoj gjithashtu se në pikturë ti vjen nga muzika klasike (violonçelist në orkestrat e filarmonisë dhe të operës) dhe nga poezia e mirëfilltë, me kërkesa të larta estetike, pavarësisht që mbetesh pa botuar. Shkurt, shartimi muzikë-poezi-pikturë kur kërkesat janë serioze, nuk është gjë e vogël. Tani të vijmë tek ekspozita jote e tretë në GKA, që është hapur prej datës 3 korrik e mbyllet sot, ka qëlluar plot katër vite mbas të dytës. Çfarë e përbën thelbin e saj?

 

Lekë Tasi: Ti e di që Tirana ka qenë tema ime e dashur prej një kohe që s’mbahet mend. Jo thjesht pazari i vjetër, rrugicat, personazhet e mejhaneve e pazarakët (të cilët për disa vjet kanë qenë modelet e mia të parapëlqyera në atë që mund të quhet “akademia” ime e orëve të lira), por vetë qyteti, vendosja e tij rrëze kodrave, me siluetën e malit të Dajtit në shpinë, objektet kosore të qendrës, Sahati, Xhamia, Pallati i Kulturës, ministritë por edhe ato që s’janë më, Bashkia, Kursali, Gjimnazi i vjetër, zona përreth, Gastronomi, “Hotel Çajupi” deri te “Kafe Tirana”. I kam vizatuar kaq shumë herë, sa mund t’i bëj përmendësh. Megjithatë për të qenë sa më i saktë, pak para se të rrafshoheshin objektet e qendrës, unë mora shënimet e mia, dhe kështu sigurova një farë arkivi të vogël me ato ndërtesa pa ndonjë vlerë të veçantë, por që kanë bërë pjesë në jetën time dhe të versnikëve të mi. Tiranën dhe rrethinat i kam trajtuar gjatë viteve me akuarel, pra në natyrë realiste, pastaj me vizatime të shumta kur nisa të manovroj me objekte, për të arritur efekte përtej reales, ose me stilizime për të kapërcyer një kthim tek një realizëm ordiner, gati naiv, me anën e një serie vizatimesh me lapsa ngjyre, kur “restaurimi i kohës së vjetër” ta themi kështu, bëhet i plotë natyralist, me gjithë personazhet që i nxirrja nga kujtesa, artistike e shkrimtare natën, fshatarë, çuna me biçikleta, të gjitha me dimensione shumë të vogla…

Menjëherë mbas kësaj krijimtarie të “përmalluar” dhe ndoshta si reaksion ndaj këtij përmallimi, fillova një pikturë të guximshme, ku prirja e hershme shndërruese që vepronte tek unë në vitet ‘70-të vetëm në skica, e që paraqiste pamje të pazakonta, më bëri të realizoj tani në vaj një Tiranë të ndryshuar. Ka dy mënyra për këtë lloj surealizëm: e para të vesh dorë pak ose aspak në skenën reale, por të vendosësh aty gjera sa më të pagjasa, absurde, e dyta të shkatërrosh tërësisht skenë e personazhe, por edhe këtu pa hequr dorë nga njëfarë ngjashmërie me realen, shumë të nevojshme që të arrihet efekti i disorientimit.

 

Llambi Blido: Kështu, ti i paraqet publikut jo Tiranën që e njohim të gjithë, por një Tiranë tënden, siç e sheh dhe e transformon në mendje, por gjithmonë në bazë të asaj që ka qenë, pa u ndikuar, nga ndryshimet që pëson ajo në pikëpamje arkitekturore dhe urbanistike. Në çfarë qëndron sipas teje esenca e poezisë tënde për Tiranën?

 

Lekë Tasi: Sa për ndryshimet, kjo do të pasqyrohet në të ardhmen, në mundsha. Vetëm Pallati i Kulturës më duket dhe e ndiej mjaft të futur në jetën e qytetit dhe e kam inseruar (më tepër surrealist qysh në vitet ‘70-të). Kurse fjala poezi mua personalisht më evokon më tepër një atmosferë vetmie, magjie, brenda së cilës objektet kanë një jetë të tyren, nga e cila ti si subjekt je i përjashtuar por jo i papërfshirë, pra distance dhe njëherazi intimitet. Ka disa tablo të mia që mund të cilësohen të tilla, do t’i quaja disi metafizike. Por në shumicën e rasteve, një prirje e natyrshme për të befasuar ose “provokuar” shikuesin, ka rezultuar në tablo paksa të zhurmshme, ndofta, ku figurat njerëzore, zënë pozicione nga më të paarsyeshmet. Pra, misterin, magjinë, e zëvendëson habia, ironia ose provokimi. Shembull: “Kravatat në ‘Sheshin Skënderbej’”. Kënaqësia e krijuesit në këto raste përqendrohet në krijimin e karaktereve, sa më asimetrikë, të ndryshëm, pra tek shakaja, kapriçoja e jo tek poezia. Tani, po të koincidojë që bashkë me këtë ekstravagancë të ndihet edhe një atmosferë dukshëm e tjetërsuar, ndoshta të krijohet përsëri një tingëllim sureal poetik (ajo që thonë realizmi magjik), megjithëse jo tipik siç mund ta kemi ndeshur në prodhimin e njohur të surrealizmit botëror.

 

 

Llambi Blido: Me sa jam në dijeni, piktorët tanë provojnë metoda të tjera krijuese. Piktorë që bëjnë kërkime kemi pasur, dhe sidomos kemi, secili sipas formimit, por surrealistë, jo. Je me sa më duket mua, i vetmi përjashtim. Këtu marr përpjekjet e shkëputura të disa autorëve të rinj, të cilët në ndonjë rast provojnë të bëjnë, një gjë surrealiste nëpërmjet ndonjë imitimi të drejtpërdrejtë ose banal. Është e qartë, çdo metodë piktorike ka vështirësitë e saj, siç ka dhe epërsitë, ndërsa për të gëzuar epërsitë e surrealizmit, duhet të zotërosh disa aftësi të veçanta, të cilat nuk mësohen, duhet të kesh lindur me to. Është ajo e të vënit vetvetiu pranë e pranë, gjëra që t’i dikton një fluks mendor, objekte që nuk u justifikohen afërsia, por që ti i shoqëron për një tekë të fantazisë, ose që u vesh një dritë të veçantë. Kjo lloj aftësie që e dallon piktorin surrealist, e bën të ngjajë me poetin ( jo më kot Andre Breton u përfshi në daljen edhe të pikturave surrealiste). Këto shoqërime nuk janë tjetër por metaforë. Në letërsi kjo ka marrë dhënë sepse shprehja poetike është më e çlirët, dhe rezultatet janë herë të goditura, por edhe jo, deri në gjëra të pakuptimta. Në pikturë them se është më e vështirë. Kështu shpjegohet që kemi piktorë me prirje impresioniste (kjo ka hyrë prej kohësh), ekspresioniste ( me temperamente të vrullshme) simboliste ose konceptualiste ( që kanë një nëntekst që del në pah shumë a pak), abstraksioniste (këta dallohen menjëherë) dhe kubiste ( me elementë të caktuara), por surrealiste shumë pak vepra duken. Dhe është ironike që punimet e tua surrealiste të para mbajnë datat e viteve ‘70-të, dhe nuk u bëre i njohur menjëherë në vitet ‘90-të. Ky është një defekt i kritikës. Por edhe tani që vepra jote është bërë e njohur, heshtja e kritikës nuk justifikohet. Ose, është kuptimplotë… Megjithatë, si mua ashtu dhe lexuesit serioz, besnikë të arteve figurative, na takon e drejta të marrim vesh, ndaj pyes: Si arrin te rezultati poetik ose thjesht befasues? Dua të them, na trego ndonjë gjë për laboratorin tënd krijues, dhe e dyta, ç’të preokupon aktualisht dhe planet për të ardhmen.

 

Lekë Tasi: Rezultati ndonjëherë arrihet lehtë, por në të shumtën e herës me mundim. Rrallë punoj me plan të paracaktuar. Nuk mjafton që një improvizim të zërë vend në katërkëndëshin e bardhë para nesh, siç ndodhte kur merresha me vizatime, dhe ndërroja fletët. Në pikturë, për ata që si unë bazohen tek improvizimi, nxitjet që ke gjatë punës, mund të prishen me përpunim dhe kështu të vjen dekurajomi. Por lumturisht ndodh edhe e kundërta, dua të them, gati pa dashur, përvijohet në pëlhurë një “fat”, të cilin ty nuk të mbetet veçse ta mbash aty! Ndoshta zotësia mund të përkufizohet si aftësia e të dalluarit të zgjidhjes së duhur ndër të shumtat që vijnë dora-dorës Kënaqësia, pastaj qëndron tek rafinitura, që edhe ajo nuk është pa rrezik. Mençuria është të dish kur të ndalesh siç thotë Picasso. Kam gabuar shumë herë, jo vetëm me këtë fazë, por edhe me punët e mbaruara, kur vlerësoj njërën, më afër të arsyeshmes më tepër se tjetrën, “më të çmendur”, dhe një vizitor i pandikuar më ka tërhequr vëmendjen tek punimi disi të shpërfillur prej meje. Është për këtë që duhen ekspozitat: që të vjelë mendime të papritura, por nuk ndodh shpesh, ndaj e mira është të kesh një mjeshtër që të vjen në studio. S’kemi këtë fat, jemi ishuj të veçuar. Sa për të ardhmen prirja ime është të rralloj prezencën njerëzore në telajo, të merrem me sendet, arkitekturën etj. Ndoshta kjo më çon në mënyrë të sigurt tek realizimi i asaj që në disa vizatime të hershme e kisha vetëm skicuar, dhe që ti i dashur Llambi i quajte surrealiste. Drita e ndryshme, e pazakontë, besoj do të shërbejë si një katalizator i asaj magjie që dëshirojmë. standard.al

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here