Mendjet e tjera

0
94

Nga Thomas Nagel

Ekziston një lloj tejet i veçantë skepticizmi, i cili vijon të mbetet një problem, edhe në rast se mendojmë se mendja jonë nuk është e vetmja gjë që ekziston me të vërtetë, çka këtu do të thotë shprehimisht, pra, edhe në rast se e pranojmë se bota fizike që hamendësojmë se po vështrojmë dhe ndiejmë përreth nesh, përfshirë edhe vetë trupin tonë, ekziston me të vërtetë. Fjala është për skepticizmin në lidhje me natyrën apo edhe me vetë ekzistencën e mendjeve apo përvojave të ndryshme nga ato tonat.

Sa të sigurt ndihemi dhe sa njohuri të sakta kemi në lidhje me gjithë sa ndodh brenda mendjes së një krijese tjetër. Natyrisht, gjithë sa arrijmë të vëzhgojmë nuk është tjetër përpos se trupi i krijesave të tjera, përfshirë këtu edhe vetë njerëzit. Vërejmë atë çka bëjnë, dëgjojmë atë çka na thonë apo tingujt e tjerë që prodhojnë dhe vëzhgojnë ndërkaq edhe mënyrën se si u përgjigjen ambientit dhe botës në të cilën jetojnë: cilat janë gjërat që i tërheqin dhe cilat janë syresh që nuk na pëlqejnë, cilat janë gjërat që hanë dhe kështu me radhë. Ndërkaq, mund edhe të ndërmarrim një prerje të trupit të krijesave të tjera, për të parë brendësinë e tyre fizike a ndoshta për të bërë një mori krahasimesh mes anatomisë së tyre dhe asaj të trupit tonë. Porse asnjë nga këto njohuri nuk është në gjendje të na ndërfusë drejtpërsëdrejti tek përvojat e tyre përkatëse, apo tek mendimet, apo ndjenjat që gjallojnë brenda mendjeve të tjera, çka do të thotë shprehimisht se gjithë sa mund të besojmë se dimë në lidhje me jetën mendore të të tjerëve, s’është tjetër gjë përpos se fryt i vëzhgimit të ndërtimit të tyre fiziko-anatomik dhe i mënyrës sipas të cilës sillen.

Sa për të sjellë një shembull të thjeshtë: gjatë kohës kur së bashku me një mik jemi duke ngrënë një akullore me kakao, nga mund ta dimë vallë nëse për të akullorja ka të njëjtën shije që ka edhe për ne? Natyrisht, mund të përpiqemi ta provojmë akulloren e tij, por gjasa se akullorja e tij ka të njëjtën shije me tonën nuk nënkupton tjetër veçse ka të njëjtën shije për ne: nuk kemi provuar ende shijen që kjo akullore ka për të. Me fort të ngjarë, nuk ekziston asnjë formë e mundshme për të krahasuar drejtpërsëdrejti përvojat tona në lidhje me shijet.

Natyrisht, në rastin e shembullit të mësipërm, dikush nga ne mund të mëtonte të argumentonte se, duke u nisur nga fakti se jemi që të dy qenie njerëzore dhe, po ashtu, duke qenë se jemi në gjendje që të dallojmë akulloret me shije të ndryshme, siç mund të shfaqet rasti, për shembull, për të dalluar shijen e kakaos nga ajo e vaniljes, atëherë, ka fort të ngjarë, që përvojat tona në lidhje me shijet të jenë të ngjashme, në mos të njëjta.

Po nga mund ta përftojmë një njohuri të tillë? Ku mund ta mbështesim vallë përftesën e përfundimit tonë? E vetmja lidhje mes një lloji akulloreje dhe një shijeje është ajo që kemi vëzhguar vetëm në rastin tonë; për rrjedhojë, nga nisemi dhe si e përftojmë të drejtën dhe arsyen për të menduar se të tilla përkime të ngjashme vlejnë edhe për qeniet e tjera njerëzore? A jemi vallë në gjendje që të vërtetojmë në mënyrë të kënaqshme dhe të qëndrueshme se kakaoja ka për tjetrin të njëjtin shije që ka vanilja për ne apo e anasjella?

E njëjta problematikë mund të shfaqet në një formë apo tjetrën edhe në lidhje me lloje të tjera përvojash. Nga e dimë vallë se ato gjësende që neve na duken të kuqe mikut tonë nuk i duken si të verdha? Natyrisht, në rast se e pyesim se ç’ngjyrë ka makina e zjarrfikësve, ka fort të ngjarë që të na përgjigjet se është e kuqe si gjaku, dhe jo e verdhë si një dhëmb luani; porse, në këtë rast nuk përjashtohet aspak mundësia që tjetri ta përdorë fjalën “e kuqe” vetëm për atë ngjyrë që i duket se ka gjaku apo makina zjarrfikëse, dhe jo për vetë ngjyrën si e tillë, që do të thotë shprehimisht se nuk përjashtohen aspak gjasat që e kuqja si e tillë për të mund të përkojë me atë që ne e emërtojmë e verdhë, apo atë që e emërtojmë blu, apo ndoshta është një përvojë e ngjyrave që s’e kemi pasur kurrë më parë, arsye për të cilën e kemi fort të vështirë, madje, të pamundur që ta përfytyrojmë.

Për të hedhur poshtë një gjasë të tillë, është e nevojshme që të kapemi fort pas hamendësimit sipas të cilit shija dhe përvojat e ngjyrave janë të ndërlidhura në mënyrë të njëtrajtshme me disa lloje ngacmimesh fizike që krijohet brenda organeve tona shqisore, çka vlen për të tërë njerëzit. Porse një skepticist do të ngarendte të na kundërpërgjigjej se ne nuk kemi asnjë lloj prove ku mund ta mbështesim një hamendësim të tillë, në të vërtetë, ngado që ta vështrojmë, kundërpërgjigja e skepticistit në këtë rast është më se e vërtetë; nisur nga vetë natyra e hamendësimit në fjalë, ne s’kemi asnjë provë mbështetëse dhe asnjë lloj mundësie për të përftuar një të tillë. Gjithë sa jemi në gjendje që të vëzhgojmë s’është tjetër përpos se përkimi që vërejmë në rastin e përvojës sonë.

Të gjendur përballë kësaj forme argumentimi, më së pari lipset të pranojmë se në këtë rast ekziston një lloj luhatjeje. Ndërlidhja dhe përkimi mes ngacmimit dhe përvojës në jo pak raste ka mundësi të mos jetë e njëjtë tek dy njerëz të ndryshëm; mund të ekzistojnë një mori dritëhijesh dallimi dhe ndryshueshmërie mes përvojës së ngjyrës dhe shijes që dy njerëz përjetojnë përballë të njëjtit lloj akulloreje.

Në të vërtetë, nëse mbajmë parasysh faktin se njerëzit janë fizikisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, prania e këtyre dritëhijeve nuk duhet të na krijojë kurrfarë habie. E megjithatë, në shumë raste duhet thënë se dallimi dhe ndryshueshmëria e përvojës në fjalë nuk është edhe aq radikale, në të kundërt s’do të arrinim të shprehnim asgjë rreth saj. Kështu, për shembull, akullorja me shijen e kakaos s’mund të ketë për mikun tonë shijen që ka për ne një akullore me lëng limoni, në të kundërt do të mblidhte buzët kur ta hante.

Ndërkaq, ajo çka meriton vëmendje këtu, është fakti se teza e mësipërme pranon si të mirëqenë ndërlidhjen dhe përkimin mes dy njerëzve të ndryshëm dhe një ndërlidhje dhe përkim mes përvojës së brendshme dhe disa lloje reagimesh, çka qëndron krejt e hapur ndaj vëzhgueshmërisë sonë. Porse, edhe në këtë rast, duhet thënë se problematika vijon të shfaqet e njëjtë. Ndërlidhjen dhe përkimin mes mbledhjes së buzëve dhe shijes që e cilësojmë si të athët, nuk e kemi vëzhguar përpos se në rastin tonë; nga ta dimë se e njëjta gjë vlen edhe për njerëzit e tjerë?

Kushedi, ajo çka e bën mikun tonë të mbledhë buzët, mund të jetë një përvojë e ngjashme me atë që mund të kemi ne nëse na qëllon të hamë bollgur apo tagji.

Në qoftë se vijojmë me këmbëngulje që të ngremë pyetje të kësaj natyre, dalëngadalë do të nisim që të zhvendosemi nga një skepticizëm paqësor dhe i parrezikshëm – të pasigurt nëse akullorja e kakaos ka të njëjtën shije për dhe për mikun tonë – drejt një skepticizmi shumë herë më radikal – të pasigurt nëse ekziston ndonjë ngjashmëri mes përvojave tona dhe atyre të mikut tonë. Madje, nëse i shkojmë nga pas kësaj forme të dytë, një nga pyetjet që mund të dilte qysh në fillim dhe krejt natyrshëm do të ishte: Nga e dimë vallë se në çastin kur miku ynë fut diçka në gojë, ka një përvojë të atij lloji që ne do ta cilësonim si një shije? Nisur nga gjithë sa dimë, mund të bëhej fare mirë fjalë për diçka që ne do ta kishim cilësuar si një tingull, për shembull, ndërkohë që nuk përjashtohet aspak gjasa që të jetë edhe krejt e ndryshme nga shijet që mund të kemi provuar ndonjëherë, a që mund të përfytyrojmë ndonjëherë.

Në rast se ndjekim këtë fill argumentimi, në fund të përfundojmë në suazat e skepticizmit më radikal në lidhje me gjithë sa ka të bëjë me mendjet e tjera.

Nga e dimë, për shembull, se miku ynë është qenie e ndërgjegjshme dhe me vetëdije? Nga e dimë se ekzistojnë mendje të tjera përveç mendjes sonë? I vetmi shembull që kemi arritur të vëzhgojmë në lidhje me ndërlidhjen apo marrëdhënien e mendjes, trupit, anatomisë dhe rrethanave fizike, është vetëm ai që i përket rastit tonë. Ndërkaq, edhe në rast se njerëzit e tjerë dhe kafshët nuk do të kishin asnjë lloj përvoje, asnjë lloj jete mendore të brendshme, por do të ishin thjesht makina biologjike të sofistikuara, sërish do të në dukeshin të njëjta, identike. Nëse mbajmë parasysh këtë, pyetja që shtrohet krejt natyrshëm, është: Po nga e dimë vallë se s’është pikërisht kësisoj? Nga e dimë se qeniet përreth nesh nuk janë thjesht disa robotë pa kurrfarë mendje? Ne s’kemi arritur kurrë të vëzhgojmë brenda mendjes së tyre – e kemi thjesht të pamundur – kështu, kushedi, ndoshta sjellja e tyre fizike mund të jetë tërësisht fryt i disa shkakësive pastërtisht fizike. Ndoshta prindërit apo të afërmit tanë, apo fqinjët, macja, apo qeni që kemi në shtëpi, ka të ngjarë të mos kenë kurrfarë përvoje të brendshme. Nëse s’e kanë vërtet, ne sërishmi nuk kemi kurrfarë mënyre përmes të cilës të jemi në gjendje të zbulojmë se e gjithë kjo është e vërtetë. Po, ashtu, e kemi të pamundur që të kapemi pas provave që mund të vjelim nisur nga sjellja e tyre e jashtme apo nga ajo çka shprehin me gojë, për aq kohë sa një gjë e tillë do të përkonte me pranimin paraprakisht si një gjasë të mirëqenë faktin se tek këto qenie sjellja e jashtme qëndron në një lloj lidhjeje me përvojën e brendshme, njëlloj siç ndodh në rastin tonë, ndërkohë që është pikërisht kjo ajo që i shpëton suazave apo rrjetës së njohurive dhe dijeve tona.

Ideja sipas së cilës asnjë nga njerëzit që na rrethojnë s’është qenie e ndërgjegjshme dhe me vetëdije, krijon vetvetishëm një ndjesi fort të çuditshme. Në të vërtetë, një gjasë e tillë na shpërfaqet krejt e hapur ndaj një konceptueshmërie të mundshme, ndërkohë që, nga ana tjetër, e kemi krejt të pamundur që të kemi prova të kënaqshme dhe të mjaftueshme për ta përjashtuar në mënyrë energjike dhe përfundimisht një gjasë të tillë.

Fragment i shkëputur nga libri “Ç’kuptim ka e gjithë kjo”,  botimet “Mehr Licht”, perktheu Arben Haxhiymeri

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here