Lazio mund të ëndërrojë me kohë të plotë titullin kampion në Serie A. Përtej deklaratave të Igli Tares, numrat e vendosin Lazion në garë për titull, fundja Juventus tashmë është vetëm një pikë larg. Kryeqytetasit rikthehen shumë shpejt tek fitorja, mposhtën Parma në transfertë me rezultatin minimal 0-1 duke shfrytëzuar në maksimum blofin që “Zonja e Vjetër” bëri përballë Verona. Gjithçka u vendos në minutën e 41-të ku Caicedo realizoi golin e avantazhit, një gol që në fund, falë dhe pritjeve të Strakoshës, rezultoi një trepikësh.
Pa Hysaj në fushë, Napoli bie në shtëpi duke pësuar një humbje të rëndë përballë Lecce. Pas 3 fitoreve radhazi, mes Kupës dhe Serie A, ekipi i Gattusos pësuan humbjen e parë duke vijuar sezonin me ulje ngritje. Lecce kaloi në avantazh në minutën e 29-të me Lapadula ndërsa Milik me fillimin e pjesës së dytë barazoi shifrat përkohësisht. Lapedula realizoi sërish në minutën e 61-të duke rikthyer Lecce në avantazh ndërsa Mancosu vrau ndeshjen në të 82-tën duke realizuar dhe golin e tretë. Në minutën e 90-të Callejon ngushtoi diferencat në 2-3 por vetëm kaq pa mund të shmang dot humbjen, një humbje e rëndë që mban Napolin larg europës, në vendin e 11-të në kuotën e 30-të pikëve.
Në takimet e tjera të Serie A për javën e 23-të, Genoa mposhti Cagliari me rezultatin 1-0 ndërsa Brescia dhe Undinese ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1.