Vrasja Balliut, Motra e viktimës ‘paralajmëron’ prokurorin: Kriminel, qesh e zbardh dhëmbët, një trafikant…

0
99

Gjykata e Korçës ka zhvilluar dje seancën paraprake për Olger Mustafain (i njohur si Geri Muçi), i akuzuar për vrasjen e 35- vjeçarit Altin Balliu.

Për të disatën herë, Gjykata ka kërkuar thellimin e hetimeve nga organi i akuzës, ndërsa këtë herë ka vendosur edhe kryerjen e një eksperimenti hetimor për të hedhur dritë mbi më shumë detaje nga skena e krimit dhe dinamika e vrasjes.

Seanca e caktuar për t’u zhvilluar dy javë më parë, u shty me kërkesën e familjarëve të viktimës, të cilëve Prokuroria ende nuk u kishte vënë në dispozicion aktet e detyrave që Gjykata i ngarkoi organit të akuzës. Pas shtyrjes së seancës për një periudhë dyjavore, këto akte iu ishin vendosur në dispozicion familjarëve, duke bërë që seanca e radhës të zhvillohet, por përsëri nuk kanë munguar diskutimet dhe akuzat e familjarëve.

Thuajse dy orë e gjysmë ka zgjatur seanca, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa familjarët e Altin Balliut kërkojnë ndryshimin e klasifikimit të veprës penale, e cila rëndon mbi autorin. Aktualisht, organi i akuzës e ka klasifikuar veprën penale “vrasje” sipas nenit 76 të Kodit Penal, ndërsa familjarët pretendojnë që ajo të klasifikohet si “vrasje në rrethana cilësuese”, neni 79 germa DH dhe germa Ë, e rrezikshme për jetën e shumë personave dhe vrasje kundër dy apo më shumë personave.

Por gjatë seancës, Gjykata përsëri ka kërkuar akte të reja ekspertize lidhur me dinamikën e ngjarjes dhe skenën e krimit. Më herët, Gjykata i ka kthyer dy herë dosjen hetimore Prokurorisë, duke kërkuar hetim më të thelluar për çështjen dhe përfshirjen e personave të tjerë në vrasjen e Altin Balliut.

AKUZAT

Motra e Altin Balliut, e cila ishte e vetmja që u lejua të ishte e pranishme në sallën e gjyqit, përsëri u është rikthyer akuzave të mëparshme për prokurorin e çështjes. E tronditur nga seanca, por edhe dhimbja për humbjen e vëllait, Klodiana Rafçë ka deklaruar se prokurori është i korruptuar.

“Po bëhet më kriminel se ai që i mori jetën tim vëllai”, është shprehur ajo pas përfundimit të seancës. “Sapo dola nga gjyqi për tim vëlla, s’di ç’do vendosin më tej. Dua që e drejta e tim vëllai të vejë në vend. S’ka pasur faj fare ai, Gjykata vendosi përsëri hetimin, por ky prokuror, Edmond Shytko, mos i dëgjofsha kurrë emrin, po bëhet më kriminel se ai që i mori jetën tim vëllai. E bën çështjen sikur ai ka qenë në gjendje depresioni, ai është kriminel, qesh e zbardh dhëmbët, është një trafikant, ai hedh baltë mbi tim vëlla.

Të paktën të mbajë vendin atje në burg e të rrijë. Në këtë seancë u vendos të rishqyrtohet dhe një herë çështja, po ky prokuror thotë të njëjtat gjëra. Qenka ai i pafajshëm, thotë që është dhunuar, asgjë s’i është dhunuar atij, ai e vrau vëllain tim. Prokurori është i paguar, unë dua të drejtën e tim vëllai, të vendoset dënimi më i rëndë për të. Nëse s’bëhet drejtësi, ne do bëjmë vetëgjyqësi. E përsëris, prokurori i korruptuar totalisht, jo s’i gjen dëshmitarët, jo s’i gjen këto. Me gjakun e vëllait tim ai nuk ka për ta shijuar jetën, ta flejë mendjen”, u shpreh motra e Altin Balliut./Panorma/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here