Formula e dyshimtë që do të përzgjedhë fituesin e Aeroportit…

0
100

Nga Klodian Tomorri

Ka një episod në telekomedinë Gjuetia e Fundit, ku Koço Devole në rolin e Sillos, merr në telefon Lidhjen e Shkrimtarëve. Enver Hoxha ishte duke shkruar veprën e radhës dhe duhej gjetur titulli.

“Dëgjoni këtu- i drejtohet ai shkrimtarëve të ngarkuar nga Partia për këtë punë- Udhëheqësi e ka gjetur vet titullin. Detyra juaj është të vrisni mëndjen dhe të gjeni se çfarë titulli i ka vajtur në mëndje atij.”

Formula e caktuar nga qeveria shqiptare për të përzgjedhur kompaninë që do të ndërtojë Aeroportin e Vlorës ka pak a shumë të njëjtën fabul. Sipas formulës kriteri më i rëndësishëm që do të përcaktojë fituesin, është arsyetimi strategjik i projektit. Kush kompani bën arsyetimin më të mirë strategjik të projektit merr 30 pikë nga 100 pikë në total që përcaktojnë fituesin.

Aeroporti i Vlorës është një koncesion i kërkuar. Rëndësia strategjike e Aeroportit është përcaktuar nga vet qeveria në çastin kur ka marrë vendimin për ndërtimin e tij. Tani, detyra e kompanive private që duan të garojnë për koncesionin është të arsyetojnë rëndësinë strategjike të projektit, të cilin qeveria e ka përcaktuar si strategjik. Dmth të gjejnë titullin që i ka vajtur në mëndje, udhëheqësit.

Ky episod është banalizimi vulgar se pse formula e përzgjedhjes së fituesit për koncesionin e Vlorës është e papërshtatshme dhe nuk mbron interesin publik. Nga 100 pikë në total, aspektit financiar i janë caktuar vetëm 23 pikë, nga të cilat 18 pikë për uljen e të ardhurave që garantohen nga buxheti dhe 5 pikë për rritjen e fee-s që privati paguan në shtet.

Pra kompania që bën ofertën më të leverdishme financiare për qytetarët merr vetëm 23 pikë. Asnjë pikë të vetme për uljen e tarifave aeroportuale apo çmimin e shërbimeve që do të ofrohen në aeroport. Këto kritere duhet të ishin përcaktuesit absolut të fituesit të koncesionit sepse ato mbrojnë dhe maksimalizojnë interesin publik dhe leverdishmërinë financiare të qytetarëve.

Por në vend të kësaj, dy të tretat e pikëve që do të përcaktojnë fituesin e koncesionit janë fjalë në ajër. Arsyetimi strategjik i projektit, aftësia e privatit për të gjetur financim, eksperienca etj. Kriteri i parë, ai i arsyetimit strategjik është i denjë për historitë me Sillon. Dy të fundit, sigurimi i financimit dhe eksperienca janë kritere skualifikuese. Kompanitë që nuk i përmbushin nuk pranohen në garë. Ça kuptimi ka të përzgjedhësh fituesin mbi bazën e kritereve që janë të domosdoshme për të hyrë në garë? Këtë e di vetëm qeveria.

Por me këtë formulë kështu, edhe nëse do të ketë garë reale, koncesionin mund ta fitojë kompania me ofertën më të shtrenjtë financiare. Ajo që u merr më shumë para qytetarëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here