Plagoset minatori pas një aksidenti në minierën e Bulqizës, sindikata akuzon kompaninë

0
138

Një minator u plagos rëndë në galeritë e menaxhuara nga Albchrome në minierën e Bulqizës. Policia e këtij qyteti njoftoi se “Rreth orës 14.00, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, kanë marrë informacion se në minierën e kromit Bulqizë, është aksidentuar gjatë punës  shtetasi  T.A, i cili është dërguar drejt spitalit të Traumës, Tiranë për ndihmë më të specializuar”.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës identifikoi minatorin si Tush Asllani dhe tha se atij i kishte rënë në kokë një masiv guri. SMBB akuzoi kompaninë Albchrome se pas grevës së minatorëve pak ditë më parë u kishte ndërruar atyre vendet e punës duke shkelur rregullat e sigurisë.

“Aksidenti që i ndodhi sot Tush Asllanit nuk është i rastësishëm. Pas grevës disa-ditore të minatorëve, në mënyrë të padrejtë dhe duke shkelur Rregulloren e Sigurimit Teknik, kompania Albchrome u ka ndryshuar pozicionin e punës shumë minatorëve. Kjo ka ndodhur edhe me Tush Asllanin, të cilin nga zjarrmtar e kanë detyruar të punojë në proces tjetër, jashtë profilit të tij të punës”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Galeria ku ndodhi aksidenti menaxhohej nga kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës. E pyetur nga BIRN kompania tha se Asllani ishte plagosur lehtë dhe ishte dërguar në Tiranë për kontroll okulistik. Ndërsa mohoi akuzat se ndaj tij ishte marrë masë ndryshimi të pozicionit të punës. “Së dyti, minatori ka qenë në pozicionin e tij të zakonshëm të punës dhe ndaj tij nuk është marrë asnjë vendim për të ndryshuar pozicion”, tha Albchrome përmes një e-maili.

Po minatorë të ndryshëm me të cilët BIRN foli në kushte anonimati thanë se në minierë ishin bërë ndryshime vendesh të punës dhe se Asllani ishte në grupin e atyre që u ishte ndryshuar vendi.

Burime nga spitali i Bulqizës i thanë BIRN se i plagosuri kishte dëmtime kryesisht në kokë dhe në afërsi të syrit të djathtë.

Ndërkohë sindikata bëri me dije se pak ditë më parë kishte paralajmëruar se kompania po ndryshonte vendet e punës të punëtorëve në pozicione të tjera në të cilat ata nuk kishin eksperiencë dhe se ishin jashtë profilit të punës. Ajo tha se këto ndryshime ishin bërë si ndëshkim për punëtorë që kanë bojkotuan punën në shenjë proteste, pas shkarkimit të kreut të SMBB-së dhe një minatori tjetër po pjesë e sindikatës.

“I kemi bërë thirrje kompanisë Albchrome që të ndalë këto praktika ndëshkuese ndaj minatorëve, të cilat ju rrezikojnë edhe jetën”, thotë sindikata. SMBB ka reaguar në faqen e saj në Facebook për këtë problem më 3 dhjetor, ndërsa akuzonte kompaninë se po u ndryshonte vendet e punës minatorëve në formë presioni, ndërsa kjo u rrezikonte atyre jetën.

Në fund në nëntorit, pak ditë pas krijimit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, kompania Albchrome shkarkoi nga puna kryetarin e sindikatës Elton Debreshi dhe  disa ditë më vonë edhe përgjegjësin e financave Beqir Duriçi.

Minatorët u futën në grevës pas shkarkimeve duke kërkuar rikthimin në punë të të penalizuarve që sipas tyre po hiqeshin për shkak të angazhimit në sindikatë. Albchrome i mohoi akuzat, ndërsa pas 10 ditësh protesta u ndërpre. Ndërkohë Inspektoriati i Punës ka njoftuar hetim për shkarkimet nga detyra. Po ashtu sindikata po ndjek në rrugë gjyqësore shkarkimin e dy prej drejtuesve të saj.

Aksidentet në zonën minerare të Bulqizës. Prej vitit 2014-të e deri më sot numrohen 27 persona të cilët kanë humbur jetën, disa prej tyre në galerinë e kontrolluara nga Albchrome. Ndërkohë në dy vitet e fundit në galeritë e Albchrome janë raportuar 10 të plagosur përfshi aksidentin e fundit. Kjo është hera e parë në vitet e fundit që një sindikatë reagon me akuza ndaj një kompanie pas aksidenteve.

BIRN gjeti në një shkrim të mëparshëm se megjithëse konstatoheshin probleme për sigurinë në miniera, masat ndaj koncesionarëve ishin kryesisht gjoba, ndërsa faji për aksidentet mbetej mbi viktimat./BIRN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here