Pjesa e parë nuk ka dhuruar emocione të mëdha, me dy skuadra që janë shfaqur të kujdesshme, ndonëse kanë qenë të besuarit e Duros ata që kanë pasur iniciativën. Momenti më kulmor në këtë pjesë ka qenë minuta e 18-të, kur Rroca pengohet në zonë nga Xhixha. Kuksianët pretendojnë një 11-metërsh, por nuk është i këtij mendimi kryesori Shahinaj, që vijon lojën mes protestave të verilindorëve.
45 minutat e dyta kanë qenë krejt tjetër gjë dhe kjo falë golit të shpejtë të kurbinasve. Minuta e 51-të dhe Nuabeuze do të shënojë një gol mjaft të bukur nga distanca. Nigeriani do të kontrolljë topin dhe do të përfitojë nga hapësira e dyshes Teqja-Obanor, për të thyer Avdylin me një goditje rrafsh me tokën.
Minutat ikin dhe krubinasit ia dalin të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur nga çdo mundësi për të vonuar lojën, çka ka efekt negativ te lojtarët e Kukësit, që humbasin qetësinë para zonës bardhezi. Gjthsesi vuajtjet e skuadrës së Duros marrin fund në minutën e 87-të, kur Emiliano Musta kalibron të majtën duke e lënë të palëvizur Stazhillën me një goditje të rreptë nga jashtë zonës. Pavarësisht sulmeve finale të nënkampionëve, rezultati do të mbetet 1-1. Kukësi ndalet për herë të parë pas dy fitoresh dhe ngjitet në kuotën e 7 pikëve, po aq sa Tirana e Teuta, ndërsa Laçi merr pikën e parë në këtë kampionat.