“Dosja e zezë e Vaut të Dejës”/ Manipulimi, si mbinë fletët e votimit në Doganë ndërsa votohej….

0
104

Gazetari Basir Çollaku ku publikuar dokumente të reja mbi atë që quhet ‘Dosja e zezë e Vaut të Dejës’, ku vetëm pak orë para se të nisnin votimet farsë të 30 qershorit, fletët e votimit ishin në doganën e Hanit të Hotit, çka tregon se në votimet në këtë zonë janë përdorur fletëvotimi të falsifikuara.

Gazetari zbulon nëpërmjet dokumenteve të gjithë mekanizmin e falsfikimit të fletëvotimit.

‘Kjo është pjesa e dytë e “Dosjes së Zezë të Vaut të Dejës’, pas së cilës, Shijak Televizion do të vijojë publikimin e pjesës së tretë.

Përveç dokumenteve të siguruara, Shijak Televizion disponon edhe materiale filmike të cilat do të publikohen në vijim

Nga Basir Çollaku

Është e provuar me dokumente shkresore që fletët e votimit janë shtypur dhe janë bërë gati për transport për në Shqipëri, disa orë para se të merrej vendimi Nr. 925, datë 28.06.2019 i KQZ “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të fletëve të përdorura dhe shtypjen e fletëve të reja”. Ky fakt vërtetohet nga komunikimet me e-mail dhe sms midis shoqërisë “Cetis” d.d. dhe KQZ-së, nga dokumentet e publikuar me datë 14.07.2019 nga njëri prej anëtarëve të KQZ. Kjo është një shkelje e rëndë e legjislacionit të prokurimit publik dhe Kodit Zgjedhor dhe përbën shpërdorim të rëndë të detyrës, të shoqëruar me disa vepra penale të tjera. Le të presim Prokurorinë!

Po ashtu, skandali thellohet për faktin që ndërsa KQZ pretendon që fletët të jenë transpotuar rregullisht nga Sllovenia, ka të tjera fakte që informojnë se automjeti me targë CE TM 580, në doganën e Malit të Zi, ka kaluar në orën 01:53 dhe është deklaruar bosh, me peshe boshe 2230 kg. Po ashtu, sipas këtyre informacioneve, automjeti në fjalë ka kaluar me dy pasagjerë, në orën 01:53, të datës 30 qershor 2019 dhe jo me 29 qershor sikurse deklaroi anëtari i KQZ. Gjithashtu, rezulton që edhe në doganën e Kroacisë me Malin e Zi, automjeti në fjalë është deklaruar bosh dhe ka kaluar në orën 22:55 të datës 29 qershor 2019. Këto fakte nuk i ka shpjeguar ende KQZ ose nuk ka guximin t’i shpjegojë sepse është në dijeni të asaj cfarë ka ndodhur.

Por Prokuroria nuk është palë në proces dhe duhet të bëjë hetimin e detajuar për të marrë para përgjegjësisë personat konkretë.  Sipas dokumentacionit të publikuar nga anëtari i KQZ, rezulton që transporti do të bëhej me Peugeot BOXER, me Targë CE TM 580, me drejtues mjeti shtetasin Krumpak Gregor dhe shoqërues shtetasin Stropnik Joze. Sipas të dhënave alternative  këto dy shtetas nuk kanë kaluar kufirin në Hanin e Hotit. Gjithashtu, automjeti nuk është i llojit Mercedez Vito sikurse përshkruhej në sms, por Peugeot Boxer.

KQZ-ja merr me shumicë guximin duke injoruar faktin që sipas deklaratës doganore, me Nr. Serial 19AL020000015473R5, me Nr. Reference 15473, datë 30.06.2019, koha e urdhër çlirimit të këtyre fletëve të votimit, është ora 07:58:41, e datës 30 qershor 2019. Kjo do të thotë që nxjerrja e këtyre fletëve nga Dogana përpara kësaj kohe, sikurse është shpjeguar nga KQZ, përbën konsumim të plotë të veprave penale “Kontrabandës me mallra të tjera”, e parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal e kryer në bashkëpunim, “Largimi i mallrave nga zonat doganore pa paguar detyrimet”, e parashikuar nga neni 179/a + 25 të Kodit Penal, e kryer në bashkëpunim, “Falsifikimit të dokumenteve”, e parashikuar nga nenet 186 + 25 të Kodit Penal, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e parashikuar nga nenet 248 + 25 të Kodit Penal e kryer në bashkëpunim. Ndoshta KQZ harron faktin që Kodi Penal e ngarkon me përgjegjësi për veprën penale “Të tregtimit dhe transportimi të mallrave që janë kontrabandë”, të parashikuar nga neni 178, cilindo person që ka transportuar materialet kontrabandë, sikurse janë edhe fletët e votimit.

Dhe ky nen parashikon një dënim nga 5-10 vjet burgim për këdo që ka transportur fletët e votimit përpara orës së clirimit doganor, pasi fletët e votimit janë mall i kufizuar dhe këto veprime përbëjnë elementë të veprës penale të parashikuar në paragrafin 3 të nenit 178 të Kodit Penal. KQZ-ja, KZAZ dhe cilido tjetër që ka mbajtur materialet kontrabandë sikurse janë fletët e votimit, ka konsumuar edhe veprën penale të “Ruajtjes ose depozitimit të mallrave kontrabandë”, të parashikuar nga neni 179 i Kodit Penal, vepër për të cilën parashikohet, dënim me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Është e qartë për cilindo që votimet në këtë bashki janë bërë me produkte të krimit.” Gjithnjë në pritje të Prokurorisë nëse ka kryer apo po kryen veprime, përpara se gjurmët e lëna nga konsumatorët e veprës penale të zhduken nga urdhëruesit e pushtetit…

“Dosja e zezë e Vaut të Dejës”/ Manipulimi, si mbinë fletët e votimit në Doganë ndërsa votohej. Harresat e KQZ dhe përtesat e Prokurorisë’

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here