Presidenti i Republikës, Ilir Meta është takuar në Prishtinë me kryeministrin e dorëhequr të Kosovës, Ramush Haradinaj. Lajmi bëhet i ditur nga vetë Haradinaj përmes një postimi në Facebook, të cilin e shoqëron edhe me foto nga takimi.
“Kënaqësi e veçantë të takoj sonte në Prishtinë Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, bashkë me vajzën Borën. Rast i mirë për të këmbyer mendime rreth aktualitetit politik në Kosovë, Shqipëri dhe rajon. Në proceset që po kalon Kosova, angazhimi i përbashkët përballë sfidave e fuqizon faktorin shqiptar”, – shkruan Haradinaj.
Siç duket edhe nga fotot, takimi është bërë në një nga restorantet e Prishtinës. Vetë Presidenti Meta nuk ka bërë ende një koment për takimin, që vjen dy ditë pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit për shkak të thirrjes për të dëshmuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij! Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit! Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen europiane”, ka shkruar Meta.