Erisa Xhixho: Zgjedhje farsë pa opozitën nuk mund të ketë

0
108

 

Prononcimi i nënkryetares së LSI-së, Erisa Xhixho për ‘Ora News’

Sot kemi një përshkallëzim të aksionit opozitar në të 12 qarqet, ka pasur bllokim të rrugëve nga qytetarët dhe ju e shihni shumë mirë që ne jemi në mbështetje të tyre. Këtu janë banorët e Unazës së Re, Bregut të Lumit dhe gjithë Tiranës. Sot më shumë se kurrë duhet të kuptojmë që kemi një krizë institucionale, kushtetuese. Kemi një mungesë të funksionimit të dy pushteteve. Nga njëra anë kemi një parlament ilegjitim i dalë nga vota të blera me përgjime që janë të publikuara tashmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Dhe nga ana tjetër kemi një pushtet gjyqësor jo funksional pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, një gjendje alarmi kjo. Kemi një sistem Vettingu të raportuar tashmë edhe nga Brukseli me shumë problematika. Mendoj që qytetarët tashmë kanë marrë vendimin e tyre që e vetmja zgjidhje ne këtë situatë ku ndodhemi dhe në një situatë tepër të rëndë ekonomike, është një qeveri transitore pa kryeministër Edi Ramën si ideatori i gjithë blerjes së votës së vitit 2017.
Opozita ka gati edhe zgjedhjen, ku ka gati platformën që është prezantuar në herët nga z. Basha dhe znj. Kryemadhi, por si e shihni reagimin e qeverisë, pasi kreu i qeverisë shprehet i vendosur që vendi do të shkojë në zgjedhje, me ose pa opozitën?
Sot ne zhvilluam atë tryezë që ju sapo përmendët, ku padyshim kriteret kryesore ishin rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për blerjen e votës që është rekomandimi numër 1 i tyre, presioni i administratës publike, shfrytëzimi i policisë dhe institucioneve të tjera të shtetit e kështu me radhë. Ajo platformë e prezantuar ishte një propozim konkret i parimeve se ku duhet të funksionojë qeveria transitore, pra të krijojmë një klimë neutraliteti, besimi për të pasur një qeveri transitore e në këtë mënyrë për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Flasim sot pas Samitit të Berlinit ku ne morën një lajm shumë të keq për moshapjen e negociatave në qershor dhe ku padyshim u artikulua fakti që ne duhet të arrijmë disa standarde për t’u përfshirë në Bashkimin Evropian. Dhe kjo është ajo që po kërkon opozita sot, standarde evropiane të zgjedhjeve në Shqipëri për të mos qenë ato pre e bandave apo krimit të organizuar por që qytetarët shqiptarë të votojnë sa më të lirë e në normalitet. Kjo është e gjitha panorama e asaj që ofrojmë ne sot. Qëndrimi i z. Rama nuk është aspak realist, pasi ai nuk e kupton gjendjen në të cilën gjendet sot vendi, por besoj që do të jetë i detyruar për shkak të gjithë presionit popullor për të shkuar në atë zgjidhje që ka dhënë opozita. Padyshim që kjo nuk është një zgjidhje për të marrë pushtetin në tavolinë por për të krijuar një normalitet dhe një klimë besimi që qytetarët të votojnë të lirë.
Ndërkohë kreu i shtetit, z. Meta tha që të dyja palët duhet të heqin dorë nga pozitat e të fortit. Në këto kushte opozita mund të tërhiqet nga kërkesat e saj, duke qenë se qeveria është e vendosur që do të shkojë në zgjedhje?
Duhet të keni diçka të qartë: Zgjedhje farsë dhe pa opozitën nuk mund të ketë. Ne jemi në këtë vendimmarrje të paprecedentë sepse vetë situata ku ndodhet vendi është e paprecedent. Shumica e qytetarëve që vijnë aty me opozitën vijnë për hallet e tyre dhe jo për opozitën. Dhe në këto kushte ku ndodhet vendi, zgjidhja që ofron opozita për qeveri transitore është më e mira dhe e duhura. Ne mund të negociojmë, por padyshim pa këtë kryeministër që është ideatori i gjithë kësaj krize.
Pse thoni që ky është kusht i panegociueshëm?
Sepse ky kryeministër shansin e pati në 2017-n për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Faktet dhe historia e tregoi që nuk ishin të tilla pasi kemi pasur deformim të vullnetit qytetar në shumë qarqe të vendit, gjë që padyshim solli atë vendim radikal nga opozita për djegin e mandateve dhe për daljen nga Parlamenti. Në një kohë kur nga tre pushtete dy prej nuk funksionojnë, absolutisht që rrugëzgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e parakohshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here