Bekimi i OSBE për blerjen e votave

0
146
Robert Wilton, nuk do të kishte fituar protagonizmin e dy ditëve të fundit kurrë me një deklaratë serioze, diplomatike, sic i takon një zyrtari të OSBE. 
ENTON ABILEKAJ/
Përtej fantazive të natyrshme, deklaratat e Wilton, me siguri vënë në pikëpyetje, jo vetëm Prezencën e OSBE -së, në Shqipëri, por edhe shpenzimet e mëdha për vëzhdimin e zgjedhjeve, rolin e ODIHR

Robert Wilton, nuk do të kishte fituar protagonizmin e dy ditëve të fundit kurrë me një deklaratë serioze, diplomatike, sic i takon një zyrtari të OSBE. Me sportivitetin që iu vetëofrua debatit politik, duke hequr kostumin e diplomatit, duke kaluar gardhin e mosndërhyrjes që me shumë fanatizëm e kanë ndërtuar kolegët dhe paraardhësit e tij, është futur në të gjitha gojët, edhe të shqiptarëve edhe të ndërkombëtarëve. Me siguri banda e Shijakut do të reagonte e para, po të kishtë një zyrë shtypi.
Në kushtet e mungesës së një zyre, duhet të kenë përdorur një mjet të papërgjueshëm për të përgënjeshtruar Wiltonin tek eksponentët e maxhorancës. Fundja ata e kanë me prova në prokurori punën kolosale që kanë bërë në Qarkun e Durrësit. Këtë nuk mund t’jua mohojë Wilton, duke thënë se nuk kanë ndikuar në rezultat. Rezultati flet vet.

Pas atyre të Shijakut, ka shumë në radhë, por më të shpejtë duhet të jenë ata që kanë administruar blerjen e votës dhe që nuk mund të mos i justifikojnë milionat e eurove që u hodhën. Me siguri kanë nxjerrë tabelat e rezultateve të 2013 -ës kur PS, në kulmin e vet mori 65 deputetë, për t’i krahasuar me ato të 2017 -ës kur PS e konsumuar nga pushteti, jo vetëm që nuk ra, po mori 9 deputetë më shumë. Këto tabela krahasuese, nuk e lejojnë Wilton të mohojë arritjen e tyre në administrimin eficent të parave që u hodhën.
Trupi diplomatik me siguri që ka nxituar të telefonojë shefin e Wilton, Borchard, për te sqaruar shpërthimin e papritur të zëvendesit të tij, që i vë në pozitë të vështirë të gjithë. Jo vetëm kaq, por edhe për të shpjeguar raportin e OSBE- ODIHR, që flet për ndikim në rezultat nga blerja masive e votës. Me siguri dikush e ka marrë këtë si një tentativë të Wilton për të patur një hop cilësor në karrierë gjatë vitit 2020, kur Shqipëria të marrë Presidencën.

Përtej fantazive të natyrshme, deklaratat e Wilton, me siguri vënë në pikëpyetje, jo vetëm Prezencën e OSBE -së, në Shqipëri, por edhe shpenzimet e mëdha për vëzhdimin e zgjedhjeve, rolin e ODIHR. Wilton, me pak fjalë tha se çmimi i lartë që paguhet për zgjedhjet, nuk ka asnjë vlerë. Sepse, sipas tij, parregullsitë në zgjedhje, në fund fare çojnë tek i njëjti rezultat. Sipas Wilton, arbitri ka lejuar gola të parregullt nga të dyja palët dhe rezultati i ndeshjes është i drejtë. Në këtë rast, për cfarë duhet Arbitri? Do të duhej një dalje tjetër e diplomatit për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje dhe jo vetë kësaj. Pyetjet që lindin pas fjalës së tij në Shkodër janë të shumta: A quhet i rregullt rezultati kur të gjithë bëjnë me hile? A ka detyrë OSBE të vëzhgojë dhe të asistojë zgjedhje të lira dhe të drejta, apo zgjedhje ku hilet të jenë të barabarta? A ka përgjegjësi qeveria kur zgjedhjet bëhen pazar votash dhe komisionerësh? Pse partitë shpenzojnë miliona euro për të blerë vota kur nuk ndikojnë në rezultat? A ka ndonjë precedent të tillë, kur OSBE të ketë certifikuar zgjedhje të drejta meqënëse janë blerë apo vjedhur vota nga të gjitha palët? Po partitë që nuk kishin financa dhe nuk blenë vota kush i kompenson? A përfaqësohet vullneti i popullit kështu?

Është e pazakontë që këto pyetje t’i bëhen një diplomati perëndimor, sepse është e pazakontë që një diplomat perëndimor ta shohë rregullsinë apo parregullsinë e zgjedhjeve si ndarje vendesh në parlament mes 3 forcave politike. Në Shqipëri ka një shumicë njerezish me orientim perëndimor që i shohin zgjedhjet si mundësi për përfaqësimin e publikut, si delegim besnik të pushtetit. Janë të paktën 3 parti, Libra, PDIU dhe Sfida për Shqipërinë që deklaruan se u dëmtuan nga blerja dhe manipulimi i votave, duke humbur, të treja bashkë, të paktën 5 deputetë. Aq do të mjaftonin që PS të mos e kishte e vetme machorancën apo mos ta bënte dot qeverinë.
Përtej llogarisë partiake, ajo që mbetet është se një diplomat i organizatës më të madhe perëndimore, që merret me sigurinë dhe të drejtat e njeriut, në vend të shqetësohet për deformimin e vullnetit të votuesve, e inkurajon batërdinë e hajdutëve. Pas kësaj,ka edhe një pyetje tjetër: A beson Wilton në vlerat perëndimore?!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here