Reagon Rrokaj: Shoqëria shqiptare në krizë, kapitali i qeverisë jo në…

0
112
Kryetari i LSI i Tiranes Shezai Rrokaj, duke folur gjate nje takimi me te rinj te LRI, ku kryetari i LSI Ilir Meta ka deklaruar se kontributi i tyre ka qene i madh pergjat rruges se integrimit.

Shoqëria shqiptare e dijes ose ndryshe bota shqiptare inteligjente është një aset i vyer i gjithë arealit shqipfolës, e përqendruar kryesisht në të dyja shtetet politike, por po ashtu edhe në troje të tjera shqipfolëse e sidomos në diasporë. Mirëpo, megjithë përpjekjet e herëpashershme të politikave qeverisëse apo të strategjive të ngritura ad hoc, ky kapital i çmuar njerëzor nuk është vënë në punë sa dhe si duhet për të rritur nivelin e jetesës dhe prestigjin e shqiptarëve përkundër popujve të tjerë fqinjë e më gjerë. Jo vetëm kaq. Bashkë me bjerrjen masive të popullsisë në fazë të ethshme migrimi, po largohen kryesisht edhe burimet njerëzore inteligjente, të cilat po ulin vazhdimisht ritmin e zhvillimit dhe cilësinë e jetës në vend. Disa statistika zyrtare tregojnë se sot gati 50% e popullsisë së punësuar ka arsim 8-vjeçar (sot 9-vjeçar). Ky tregues, që e rendit Shqipërinë në një pozicion subinteligjent, shumë poshtë edhe vendeve të Rajonit, vjen sidomos prej ikjes masive të të diplomuarve jashtë vendit.

Trashëgimia e varfër politike, ekonomike e sociale i ka detyruar qeverisjet e radhës që të merreshin me zgjidhjet e ditës për mbijetesë, të tipit ‘sot për nesër’, pa mundur të kuptonin në thelb se investimi më dobiprurës dhe më afatgjatë i çdo shoqërie është ai që lidhet me ruajtjen dhe ngritjen e cilësisë së burimeve njerëzore, të cilat e kthejnë këtë ‘kosto’ shoqërore në një përfitim të pakrahasueshëm me çdo investim tjetër në sektorë të tjerë.

Në gjendjen e sotme kemi një shoqëri shqiptare inteligjente në diasporë me një kapital njerëzor shumë të madh (në përllogaritje numerike 30%, por me aftësi produktive shumë më të lartë)  dhe pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare të dijes (rreth 70%, por me efekt produkti më të ulët) brenda kufijve politikë dhe shteteve në troje. Por sa dhe si ky “knoë hoë” krijon një sinergji zhvillimi drejt një konvergjence kombëtare shqiptare? Këtu lindin edhe pyetjet dhe pikëpyetjet e mëdha. Fakt është se përveç konvergjencave natyrore që lidhen me njohjet individuale, miqësitë apo edhe ndonjë idealizëm patriotik spontan, pse jo edhe ndonjë shfaqje politike në ekrane me strategji në letër, ky netëork i dijes nuk ka gjasa se po ngjizet për të qenë një shtysë zhvillimi, emancipimi e përbashkimi për trojet shqiptare.

Le të ndalemi shkurtimisht në analizën e këtyre fakteve.

Është i njohur fakti se diaspora e kualifikuar e hershme dhe e re është krijuar si rezultat i emigracionit të familjeve shqiptare, fëmijët e të cilave kanë kryer studimet në vendet pritëse, si edhe si rezultat i asaj mase të kualifikuar si: inxhinierë, ekonomistë, mjekë, artistë, të cilët për shumë arsye shkuan dhe shkojnë në vendet e Perëndimit për një të ardhme më të mirë. Nga ana tjetër, familjet shqiptare dërgojnë fëmijët e tyre për një shkollim më të kualifikuar që lidhet në thelb me shpresën për një të ardhme më të mirë në këto vende. Sot familjet shqiptare shpenzojnë brenda kufirit politik rreth 300 milionë euro në vit për afërsisht 30 mijë studentë që studiojnë jashtë vendit. Prej tyre ka të rinj që kanë studiuar dhe kanë fituar një diplomë në universitetet evropiane dhe amerikane (master, doktoratë) dhe janë kthyer në Shqipëri, për të punuar në universitete publike e private, institucione kërkimore dhe në sektorin e sipërmarrjes private, në administratë publike dhe shoqëri civile. Por, numri i tyre është shumë i vogël. Sipas të dhënave të një ankete, vetëm 17,1% e atyre që ndjekin studimet jashtë duan të kthehen, 49,7 % thonë se nuk kanë vendosur ende, kurse 33,2% thonë se nuk do të kthehen në vendin tonë. Në rast të kthimit ata shprehen se dëshirojnë të punojnë: 87% në universitete publike, 77% institucione kërkimore, 74% në organizata ndërkombëtare dhe 62% universitete private. Vitet e fundit largimi i tyre është rritur jo vetëm për një shkollim cilësor, që duket se është pak a shumë i njëjti numër si dhe vitet e tjera, por prej humbjes së shpresës, e cila lidhet me faktorë, si:  papunësia, reformat e ashpra dhe politizimi i skajshëm, pasiguria dhe korrupsioni, krimi i organizuar dhe humbja e besimit tek institucionet. Vetëm tri-katër vitet e fundit kanë ikur në Gjermani rreth 30% e mjekëve dhe infermierëve, për formimin e të cilëve shteti ka bërë shpenzime kolosale. Shtetet perëndimore po i shfrytëzojnë vende si Shqipëria, duke e marrë të gatshëm produktin inteligjent për të cilin vendi ka investuar shumë. Dhe ky erozion i burimeve të kualifikuara ka pasur pasoja të rënda në jetën ekonomike, shoqërore dhe në përkeqësimin e cilësisë së shërbimeve (arsim, shëndetësi, administratë, infrastrukturë etj.). Brenda Shqipërisë politike këto dy dekadat e fundit janë ndërmarrë nga qeverisjet e radhës dy reforma për arsimin e lartë, institucionet akademike dhe kërkimin shkencor. Këto dy reforma të rëndësishme janë ajo e përafrimit të sistemit akademik universitar me Procesin e Bolonjës dhe ajo e përfshirjes së instituteve të Akademisë së Shkencave në universitete me qëllim integrimin e shkencës me mësimdhënien. Mirëpo, siç ndodh shpesh në Shqipëri me reformat ndjellamira, që trumpetohen me rrahagjoks prej politikës së radhës, po nën efektin e pragmatizmit politik të “inatit” me kundërshtarin politik, këto nisma kurajoze janë transformuar në kinsereforma me ndërhyrje dhe spërdredhje, në gati një ligj ose amendim për çdo mandat qeverisës. Kjo gjë ka shkaktuar një mungesë stabiliteti në funksionimin e institucioneve akademike, duke krijuar një kakografi ligjore, ku pa iu tharë ende boja një akti zyrtar vjen akti tjetër që e ndryshon. Sakaq, nga përvoja e shumë vendeve perëndimore në sektorë si arsimi, shëndetësia, bujqësia etj., përfshirë edhe aktet ligjore rregulluese, këto reforma bëhen për periudha relativisht të gjata 20–30-vjeçare, sepse i shtrijnë dhe i japin efektet për një periudhë afatgjatë.

Në këtë mënyrë, duke u orientuar kinse drejt modelit anglosakson, Ligji i Arsimit të Lartë (LAL) aktual shënoi shkëputje nga Procesi i Bolonjës, për të cilin ishte investuar gjithë këto vite dhe që edhe sot është një sistem i gjithëpranuar, megjithë diskutimet që bëhen në rangje të larta reformatorësh. Rasti më tipik është ai i krijimit të masterit administrativ pas masterit normal, duke e shkëputur ciklin e tretë të studimeve dhe kërkimin nga formimi teorik si pjesë e doktoratës. Gjithashtu kreu i 12-të i LAL, që u referohet ‘Universiteteve Publike të Pavarura’, është një stisje ndjellakeqe nën presionin e lobimeve të caktuara, ku synohet subvencionimi me fonde buxhetore të universiteteve private, në një kohë kur pjesa e fondit të pakushtëzuar që u jepet universiteteve publike mbulon vetëm 10 paga mujore dhe thuajse nuk ka aspak ose shumë pak fonde buxhetore për shpenzime operative dhe investime, ndërsa fondet për kërkim bazë në universitet prej vitesh mungojnë. Nën efektin e këtij ndryshimi të modelit, Ligji ka disa nene që kanë krijuar paqartësi në funksionimin e IAL-ve, sepse ka një dualizëm në marrëdhëniet rektor/administrator, senat/bord administrimi, duke e lënë pezull faktin e njohur dhe të gjithëpranuar prej shekujsh se universitetet janë krijuar dhe ekzistojnë prej akademizmit, falë vizionit dhe hapjes ndaj dijes dhe botës dhe jo për shkak të menaxherëve të fondeve, që duhet të mbështesin këtë vizion. Nga ana tjetër, Ligji është ‘mbytur’ prej detyrimit për nxjerrjen e shumë akteve nënligjore, si: VKM, Urdhra e Udhëzime të cilët, edhe pse kanë kaluar tri vite nga miratimi i tij, ende nuk janë nxjerrë plotësisht.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here