Braimllari: Rama po e drejton vendin si pronë private. Fati i tij do të jetë tipik si i një diktatori

0
184

Deputeti i LSI Endrit Braimllari ne nje insterviste per Report Tv deklaroi se kryeministri i vendit Edi Rama po e drejton vendin si prone private dhe  qe fati i tij do jete si i nje diktatori. Gjithashtu Braimllari shtoi se qytetarte do mashtrojne mbi kete kryeminister i cili mbolli krim dhe varfëri në këtë vend.

Intervista e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së Endrit Braimllari

Qytetarët do marshojnë mbi këtë Kryeministër, i cili mbolli krim dhe varfëri në këtë vend

 

Cili është qëndrimi i LSI-së për sa i takon çështjes ‘Babale’?

LSI është e qartë për sa i takon qëndrimit të saj për dosjen ‘Babale’. Qartësia e saj buron edhe nga faktet që kanë dalë së fundmi për këtë çështje. Në fillim e kemi denoncuar një rast të tillë, që e kemi quajtur ‘kapje të shtetit nga Edi Rama’, por kjo që po ndodh në këtë vend është e turpshme. Pasi nuk përbën më lajm një ngjarje kaq e rëndë për mazhorancën, sepse kësaj mazhorancae ditë pas dite i dalin në dritë skandale të rënda të lidhura me të, ku përfshihen edhe vetë eksponentët e lartë të Partisë Socialiste si: Taulant Balla apo edhe vetë Edi Rama. Ngjarja është tejet e rëndë dhe faktet e fundit tregojnë edhe njëherë se si Rama ka kapur dhe uzurpuar një shtet të tërë. Edi Rama ka kapur çdo institucion. Prokuroria e Përgjithshme sillet si zëdhënëse e Partisë Socialiste. Po ashtu edhe Policia e Shtetit dhe gjithë institucionet e tjera të shtetit janë nën varësi të tij, dhe nuk mbrojnë interesin e qytetarëve, pra nuk janë në mbrojtje të së vërtetës. Kjo është kthyer në një situatë shqetësuese për vendin. Përpara se çështja ‘Babale’ të dilte në dritë, ne kemi paralajmëruar ardhjen e kësaj situate që me emërimin e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, e cila vetëm e —përkohshme që nuk është më, kur e zgjodhën me 69 vota. Në atë kohë ne kemi pasur shumë debate në Parlament për këtë çështje. Por, mazhoranca duke përdorur mediat e kapura prej tij, na akuzonte ne si opozitë se kemi frikë nga prokuroria, nga sistemi i drejtësisë. Ndërkohë që ishim ne që atë kohë denoncuam të njëjtën gjë, që Prokurorja e Përgjithshme, e zgjedhur në kundërshtim me ligjin, do të na sillte pikërisht në këtë situatë ku jemi sot. Prokurorja është zëdhënëse e drejtpërdrejtë e Edi Ramës. Dhe çështja ‘Babale’ e vërtetoi këtë gjë.

Ju a keni besim tek hetimi zyrtar i Prokurorisë, e cila thotë se është një person, i quajtur Fredi Alizoti, i cili pretendon se ka imituar zërin e Agron Xhafës në video, në këmbim të një shume të madhe monetare nga Partia Demokratike?

Besimi tek institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme dhe tek Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rënë që në momentin që prokurorja e përgjithshme e përkohshme u zgjodh me 69 vota. Kur ne e thamë në Parlament që një prokurore e tillë e zgjedhur me 69 vota nuk mund të jetë një prokurore e paanshme, që do i besohej sistemi i drejtësisë dhe do të drejtonte në mënyrë të pavarur dhe se prokurorja do të ishte një zëdhënëse e partisë në pushtet dhe kryeministrit, nuk na besuan. Me çështjet aktuale, qytetarët dhe të gjithë ne po kuptojmë që ky sistem drejtësie i ngritur nga kjo prokurore, janë në varësi të drejtpërdrejtë të Edi Ramës. Besoj i mbani mend deklaratat e ambasadorit amerikan në atë kohë, i cili ushtronte një presion maksimal për arrestimin e peshqve të mëdhenj dhe sot nuk ka asnjë të tillë, edhe një vit pasi kjo kryeprokurore është në detyrë.

Dosja hetimore e organit të akuzës, ju bind apo jo?

Mua më bind e vërteta. Nga faktet që ka nxjerrë Partia Demokratike. Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë është se: edhe sikur ato që thuhen të mos jenë të vërteta, çfarë ka ndodhur? Sot ne kemi vëllanë e ministrit të Brendshëm që ndodhet në Itali në burg, pikërisht për këtë çështje, pra ashtu sikurse ka denoncuar opozita. Së dyti, i gjithë procesi hetimor tregon qartazi që Prokurorja e Përgjithshme është zëdhënëse e Ramës dhe vepron me urdhër të vetë kryeministrit, të Taulant Ballës dhe përfaqësuesve të tjerë të Partisë Socialiste. Është tipik sistem komunist. Duke u ndalur pak edhe tek rasti i Fushë-Krujës, kemi dy raste ku dëshmitarët fillimisht japin një dëshmi të caktuar, dhe pastaj pasi u bëhet presion dalin dhe ndryshojnë dëshminë e tyre duke dalë në mbrojtje të përfaqësuesve të akuzuar të partisë në pushtet. Pra, këto raste, si ai i Fushë – Krujës, ashtu edhe rasti ‘Babale’ tregon edhe njëherë që ky vend, ky sistem drejtësie është kapur nga Edi Rama dhe funksionon me urdhër të tij.

Ju aktualisht pavarësisht se thatë që nuk keni bojkot por keni javë që nuk po shkoni në Parlament? Mungesa juaj në Parlament do të vazhdojë deri sa të largohet Edi Rama nga kreu i qeverisë?

Opozita është futur në axhendën e saj jo më politike pra në kuptimin është pro qytetarëve. Eksponentë të opozitës dhe Kryetarja e LSI është çdo ditë në takim me anëtarë dhe simpatizantë të LSI, me qytetarë të këtij vendi. Të jeni të bindur që do përfundojë një tur takimesh për të ndarë opinione dhe mendime mbi situatën. Dhe në fund fare do ketë një kulm final ku do jetë vendim i përbashkët i opozitës, që do kulmojë me largimin e Edi Ramës. Edi Rama në këtë mënyrë sesi po sillet me popullin e tij, me qytetarët e tij, do të ketë fatin që kanë pasur diktatorët.

Ju si opozitë ju shkon ndërmend për këto zgjedhjet lokale apo jeni tiposur te largimi i Ramës?

LSI është e gatshme të hyj në zgjedhje në çdo moment, që nesër po të dojë Edi Rama. Por nuk jemi në fazën për të folur për zgjedhjet lokale. Do i dekretojë njëherë Presidenti pastaj të flasim. Sot jemi në fazën që opozita po punon përditë me njerëz anë e mbanë vendit për të larguar Edi Ramën nga qeverisja e vendit. Sepse është emergjencë kombëtare.

Ju kërkoni largimin e Ramës për të kaluar më pas në zgjedhje të parakohshme apo mjafton largimi i Ramës dhe kjo shumicë mund ta çojë mandatin deri në 2021?

Rama dhe ato ministra që ka në qeveri, sepse nuk është vetëm ai. Është strukturë e mirëfilltë që është e lidhur me krimin e organizuar. Nuk është çështja pushtet për opozitën. Ne nuk po themi të largojmë Edi Ramën dhe të vijmë ne. Kush nga ministrat e Edi Ramës del sot në televizor dhe të mbrojë punën e vet? Nuk flet njeri.

Të kthehemi të qëllimi i aksionit tuaj opozitar. Ju thatë se qëllimi është rrëzimi i kryeministrit Rama qoftë dhe duke i ngjarë fatit të diktatorëve. Do të nisi ndonjë valë protestash nga opozita?

Opozita është e përgatitur për të nisur protestat. Ju po e shikoni çpo ndodh përditë me materiale pafund sesi po demaskohet roli i Edi Ramës në kapjen e çdo institucioni, në kapjen e sistemit të drejtësisë. Pra gjithë këto e kanë ngarkuar opinionin publik në atë masë të jashtëzakonshme që janë gati të shpërthejnë protesta anë e mbanë vendit. Protestë ishte dhe ajo që u bë në Korçë kur Edi Rama mblodhi qeverinë. Kjo opozitë kaq e bashkuar sa është, front i bashkuar opozitar, janë të gjithë kundër Edi Ramës, janë të gjithë bashkë kundër Edi Ramës. Kjo e ka çorientuar atë që del e bën 3-4 tweet-e në ditë dhe presione lart e poshtë. Sepse i ka të gjithë kundër atij dhe jo pa qëllim sepse vetë shkoi në këtë histori. Dhe nuk ka një partner real në krahë që të ndajë përgjegjësitë. Nuk ka një partner në krahë që të ndajë qeverisjen.

Po thua që Ramës i mungon LSI?

I mungon një aleat nuk po them LSI-në. LSI ka luajtur një rol konstruktiv në qeverisje me Edi Ramën dhe ka qenë shumë parimore. Ka luftuar jo vetëm me sfidat për të menaxhuar dhe qeverisur vendin. Me sfidat evropiane pikësëpari të vendit, integrimin e vendit në BE, për proceset integruese. Për sfidën e Reformës në Drejtësi që ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm. Në atë kohë Kryetari i LSI dhe i Kuvendit, e mbani mend shumë mirë lotimin që bëri për të kaluar me 140 vota. Dhe ishte fryt i atij Kryetari Parlamenti që u ulën të gjithë palët bashkë dhe e kaluan me 140 vota. Sigurisht duhet vlerësuar dhe opozita sepse erdhi dhe bashkëpunoi. Dhe ka luftuar duke pasur kundër një kryeministër skuth. LSI ka një aftësi të saj që po e provon, se tha kryeministri që do kalojë LSI në opozitë dhe do e shkrijmë. Ku e ka? Sepse ky mendon që LSI si parti politike është e rrethuar ashtu siç është e rrethuar sot Rilindja e tij. Sot LSI është më e fortë se kurrë. Sepse LSI gjithmonë beson te vlerat që janë besnikëria, shërbimi ndaj qytetarëve dhe qenia korrekt me parimin e saj. Fatkeqësisht këto nuk i ka ky kryeministër dhe as kjo Rilindje!

Mund të shohim nesër një çudi që të afroheni nesër me Ramën?

Me Edi Ramën nuk ka asnjë bashkëpunim. Dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë si Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së.

Pse mendoni se duhet larguar Edi Rama? Cilat janë arsyet se përse duhet të largohet?

Pasigurisë, kapjes së sistemit të drejtësisë, krimi i organizuar dominon kudo, varfërisë, largimit të të rinjve. Populli dhe qytetarët kanë të drejtën e tyre legjitime të marshojnë mbi këtë kryeministër. Dhe të jeni të bindur që largimi i Edi Ramës si kryeministër, dhe këtë nuk po e them as në notat e emocioneve, do të jetë jashtëzakonisht shumë i dhimbshëm për të. Sepse i ka prekur qytetarët e këtij vendi në palcë. Sepse ka shkatërruar komplet të ardhmen e këtij vendi. Sepse nuk mund të durojnë më qytetarët e këtij vendi, nënat e këtij vendi, që vajtojnë përditë për fëmijët e tyre që largohen nga Shqipëria për shkak të një kryeministri të papërgjegjshëm, për shkak të një kryeministri arrogant, për shkak të një kryeministri të lidhur drejtpërdrejtë me krimin e organizuar dhe për shkak të një kryeministri që kërkon të vjedhë çdo centimetër të pronës publike për interesin e tij privat.

Po çfarë do të thotë një largim i dhimbshëm? Në kuptimin që do ta largoni me dhunë?

Siç largohet çdo diktator që rëndon mbi kombin e tij. Kështu do të largohet.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here