LE MONDE diplomatique: Mafia ndërtuese në Himarë dhe rasti Beleri

0
64

Si lidhet burgosja e një politikani në Shqipërinë e Jugut me mafian shqiptare ndërtimit? Botimi gjerman i LE MONDE diplomatique ofron shpjegimet e veta.

Për “rastin Beleri” shkruan hollësisht botimi gjerman i LE MONDE diplomatique, duke iu referuar si minoritetit grek dhe interesave konfliktuale në Himarë, ashtu edhe rolit të Fredi Belerit. Në zgjedhjet vendore shqiptare të vitit 2023 “Beleri nuk ishte i vetmi që ndodhej në burg. Gjatë fundjavës së zgjedhjeve u arrestuan edhe qytetarë të tjerë të shquar nga Himara, […] me mënyrën e veprimit të pushtetit ekzekutiv që ishte qartazi e orkestruar nga Tirana”.

Himara dhe Riviera Shqiptare janë me rëndësi të madhe për dy arsye. E para ka të bëjë me potencialin turistik të zonës, “i cili ishte i njohur prej kohësh dhe tashmë po merreshin masa për shfrytëzimin e tij […] Përveç kësaj, Himara është me rëndësi të madhe për turizmin – por edhe një minierë ari për investitorët.

Arsyeja e dytë është gjeografike dhe etnografike. Himara dhe Riviera janë më afër Korfuzit sesa Tiranës. Dhe elementi grek është shumë i fuqishëm në të gjithë zonën bregdetare. Shumë kisha dhe kishëza janë ortodokse dhe në kontrast me brendësinë e vendit nuk ka asnjë xhami […] Shumë familje flasin greqisht, shumë njerëz janë dygjuhësh, ashtu si edhe me shtetësi të dyfishtë […] Interesat e minoritetit grek përfaqësohen nga organizata Omonia, të cilën në Himarë e përfaqëson Beleri”.

Lidhur me vetë Belerin, LE MONDE diplomatique shkruan: “Në vitet 1990 nacionalisti i zjarrtë ishte afër Frontit për Çlirimin e Himarës dhe në vitin 1995 u arrestua nga policia greke si anëtar i një grupi të armatosur që donte të sulmonte një kazerma në Shqipërinë e Jugut. Deri më sot, e gjithë pjesa jugore e vendit karakterizohet nga nacionalistët grekë si “Himara e Veriut”, e cila duhet të bashkohet me Epirin grek.

[…] Tani rëndësia e minoritetit grek është zvogëluar ndjeshëm, pasi një pjesë e madhe e tij ka emigruar në Greqi. Kryeministri shqiptar Rama e di mirë se çfarë ndjenja indinjate ushqen kur paralajmëron në rrjetet sociale për autonomistë grekë që kundërshtojnë zhvillimin e zonës bregdetare.

Opozita shqiptare dhe qeveria e Athinës besojnë se burgosja e Belerit ka motive etniko-politike. Për këtë çështje, Greqia kërcënoi madje se do të pengonte anëtarësimin e vendit fqinj në BE. Dhe kryeministri Mitsotakis e propozoi personalisht Belerin si kandidat për zgjedhjet europiane”.

“Zgjedhja e Belerit duhej parandaluar”

Por pse duhej patjetër të parandalohej zgjedhja e Belerit në bashki? Zona e Himarës është një “minierë ari për spekulantët, të cilët nga banorët lokalë përshkruhen si “mafia e ndërtimit” – një klikë deputetësh, zyrtarësh qeveritarë, ministrash dhe oligarkësh”. Nuk ka transparencë në lidhje me planet investuese dhe lejet e ndërtimit, ndërsa “që nga mandati i parë i Ramës janë miratuar rregullore që dobësojnë institucionet lokale dhe vetëqeverisjen.

[…] Të gjitha këto shpjegojnë pse ishte e pamundur që një kryetar bashkie i pavarur të zgjidhej në zonë nga rrethet e biznesit që i afrohen qeverisë. […] Duhej parandaluar mundësia që dikush të zbulonte punët e brendshme dhe marrëveshjet e fshehta.

Prandaj, duhej të parandalohej edhe zgjedhja e Belerit në bashki. Dhe meqenëse referencat për të kaluarën e tij ekstremiste në fushatën parazgjedhore nuk sollën asnjë rezultat, duhej ta ndalnin në një mënyrë tjetër. Burgosja e tij pak para zgjedhjeve ndaloi ndoshta disa banorë për të votuar për të – por nuk arriti të pengonte fitoren e tij të ngushtë. Që nga ajo pikë filloi një betejë ligjore në rritje, e cila ndoshta do të përfundojë edhe në GJEDNJ, pasi të përfundojë procesi përpara drejtësisë shqiptare”.

Në fund, siç thekson botimi gjerman i gazetës franceze, përveç minoritetit grek ka edhe shumë shqiptarë të tjerë që emigrojnë jashtë vendit. Megjithatë, “qeveria Rama nuk ka publikuar të dhënat e sakta nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2023, duke dashur qartazi të shmangë konfirmimin zyrtar se populli shqiptar ndoshta është pakësuar që nga viti 2011 me rreth një milion banorë.

Dhe diçka tjetër: Duke u bazuar në numrin aktual të banorëve, mund të vihej në dyshim numri i votave në zgjedhjet e fundit vendore dhe parlamentare të vitit 2021. Dhe nëse në to “votuan” edhe njerëz që në realitet kanë vdekur, kjo mund të dëmtonte legjitimitetin e qeverisë së tretë Rama”, përfundon LE MONDE diplomatique.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here