Paloka: A është Taulant Balla, ai që e mbron dhe bën biznes me trafikantin e drogës?!

0
243

Nënkryetari i PD-së Edi Paloka ka deklaruar sot nga selia blu se rast pas rasti po provohet se Shqipëria është kthyer në parajsën e trafikantëve të drogës falë qeverisë së Edi Ramës dhe se ata jo vetëm nuk arrestohen, por edhe bëjnë biznes me politikanët. Dëshmia më e freskët është e arrestimit në Greqi të Edmond Begos, një biznesmeni në Shqipëri, që ishte i dënuar në Itali për trafik droge me 21 vjet burg

Paloka ngriti pyetjen se pse ky trafikant i dënuar në Itali, arrestohet në Greqi dhe jo në vendin e tij dhe, a është deputeti socialist Taulant Balla, politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?!

“Prej kohësh është e provuar se gjatë qeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria është kthyer në parajsën e krimit të organizuar dhe strehën e sigurt të çdo trafikanti dhe krimineli të dënuar jashtë vendit. Falë bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin, trafikantë të rrezikshëm droge, vrasës të njohur dhe të dënuar jashtë vendit jo vetëm ndihmohen që të mos vuajnë dënimin, por janë shndërruar në biznesmenë të fuqishëm, që pastrojnë paratë e pista edhe nëpërmjet liçensave dhe tenderave publike.

Mbrëmë vonë u mësua se policia greke ka arrestuar një prej eksponentëve të krimit të organizuar, anëtarin e bandës së Aldo Bares, i dënuar në Itali me 21 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge, biznesmenin e lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës, Edmond Bego.

Pavarësisht se ka qenë i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, trafikanti ndërkombëtar i drogës, anëtari i bandës së Aldo Bares, jetonte i lirë në Shqipëri, ku drejtonte edhe një biznes ndërtimi, nën mbrojtjen politike të kësaj qeverie.

Nëse Edmond Bego nuk do ishte nisur me pushime në Greqi, sot shqiptarët nuk do të dinin se një kriminel i rrezikshëm, ka vazhduar të pasurohet lirisht duke u lidhur direkt me disa nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, edhe pse ishte i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali.

Çdo shqiptar pyet sot, Edi Ramën, Fatmir Xhafajn dhe Policinë e Shtetit:

Si është e mundur që një trafikant ndërkombëtar droge, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane arrestohet nga Policia greke, por jo nga Policia shqiptare?

Si është e mundur që një trafikant i dënuar droge, jo vetëm nuk arrestohet, por bën i qetë biznes në Shqipëri?

Çfarë lidhjesh me njerëz të pushtetshëm kanë detyruar Policinë e Shtetit të mbylli sytë dhe të mos shohë një trafikant ndërkombëtar droge që shëtit i lirë nëpër Shqipëri?

A është Taulant Balla politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?

Partia Demokratike në ditët në vijim do të bëjë transparencë për shqiptarët mbi arsyet se përse ligji nuk ka vepruar ndaj Edmond Begon, i cili njihet me emër tjetër për Italinë, me emër tjetër për drejtësinë, me emër tjetër për biznesin. Sot kërkojmë edhe nga prokuroria të nisë menjëherë hetimet për të zbardhur arsyet e moszbatimit të ligjit dhe mosveprimit të Policisë së Shtetit ndaj këtij trafikanti ndërkombëtar droge. Heshtja e prokurorisë do të jetë një tjetër e dhënë që edhe ky organ tashmë është tërësisht në mbështetje të krimit të organizuar dhe jo në luftë me të”, përfundoi nënkryetari i PD-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here