Surprizë e orës së fundit, Totenhemi…

0
166

Shqipëria ka lojtarë të mirë që luajnë në nivele të larta në kampionatet elitare europiane, ku padyshim diferencën e bën mbrojtësi i Napolit Elseid Hysaj, i cili është njëkohësisht dhe lojtari më i shtrenjtë i përfaqësueses së Shqipërisë, klauzola e lirimit të të cilit nga Napoli është çmuar 50 mln euro. Padyshim që Hysaj kërkohet nga disa klube elitare në Europë, si në Spanjë, në Gjermani dhe sidomos në Premier League, ku disa prej klubeve kryesore angleze kanë nisur bisedimet me menaxherin e tij dhe vetë klubin e Napolit për të marrë shërbimet e shqiptarit. Mësohet së fundmi se Hysaj është në fokusin e klubit të Totenhemit, ku sipas mediave italiane ka qenë vetë trajneri Mauricio Poçetino që ka shprehur interes për shqiptarin dhe ka kërkuar të nisin bisedimet. Totenhemi sezonin e fundit vuajti shumë në një pozicion, atë të mbrojtësit të djathtë. Kalimi i Kyle Uollker tek Mançester Siti krijoi një vakum që nuk u plotësua dot as nga Tripier dhe as nga Serge Aurier, për këtë arsye drejtuesit londinez kanë shënjestruar mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare, Elseid Hysajn. Duke iu referuar mediave britanike shkodrani shihet si një hipotezë mjaft e vlefshme dhe trajneri Mauricio Poçetino ka dhënë “ok” e tij për startin e negociatave. Përfaqësuesi i 24-vjeçarit, Mario Xhiufredi, gjatë muajit prill ndodhej në Angli për të diskutuar një transferim të mundshëm tek Çelsi ose Liverpuli, megjithatë Totenhemi duket më i interesuar për shërbimet e Hysajt. Futbollisti i kombëtares kuqezi ka një klauzolë prej 50 milion eurosh në kontratën e tij aktuale me Napolin e cila përfundon në vitin 2021. Shkarkimi i Mauricio Sarrit, i cili ishte njeriu që e afroi Hysajn tek klubi i kaltër, ka bërë që mbrojtësi të vendosë në diskutim të ardhmen e tij tek Napoli dhe Premier League ka qenë gjithnjë një objektiv për shkodranin. Nëse Sarri emërohet trajner i Çelsit atëherë blutë do të kishin avantazh në preferencat e Elseid Hysajt.

Menaxheri

Xhiufredi refuzon, pa Sarrin nuk e lëviz Hysajn nga Napoli Ndërsa mediat italiane dhe ato angleze flasin për bisedime ndërmjet Totenhemit dhe Napolit për mundësinë e transferimit të Elseid Hysajt, është dikush që del kundër dhe ai është hiç më pak se menaxheri i shkodranit, Mario Xhiufredi, i cili beson se Hysaj mund të kalojë në Premier League vetëm në rastin nëse klubet që e kërkojnë zgjedhin si trajner Mauricio Sarrin. Ky kushtëzim sipas tij ka arsyet e veta, që lidhen me raportin që ka lojtari me trajnerin e tij të preferuar. Harrojini të gjitha zërat e merkatos për Elseid Hysajn. Për sa kohë që Mauricio Sarri nuk do të gjejë klub tjetër, duket se nuk ekzistojnë shanse që mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare të lëvizë nga radhët e Napolit. Këtë e konfirmon edhe menaxheri i tij, Mario Xhiufredi, në një intervistë të dhënë për “Radio Crc”. “Napoli është një shoqëri aq e zotë sa të gjithë kanë besim te ata. Por pastaj do të fillojë të rrotullohet topi dhe do të  kuptohet nëse zgjedhjet që janë bërë kanë qenë ato të duhurat. Hysaj? Të largosh Elseidin nga këtu nuk do të jetë e lehtë pasi ka një klauzolë prej 50 milionë eurosh dhe vetëm klubet në Premier Ligë mund të paguajnë shifra të kësaj natyre. Nëse Sarri do të shkojë te Çelsi apo ndonjë klub tjetër të madh, nuk e përjashtoj që mund ta kërkojë, por nëse misteri nuk gjen skuadër, vështirë se do të arrijnë propozime nga klube të gatshme për të paguar klauzolën e Hysajt”, shpjegoi menaxheri. E thënë më qartë, Hysaj duhet të përgatitet për vitin e tij të parë nën drejtimin e Karlo Ançelotit. Megjithatë, merkato është e gjatë dhe besohet se Hysaj është duke shqyrtuar ofertat financiare. Kuptohet, Premier League është e lakmuar, pasi atje paguajnë më mirë dhe është kampionati më i fortë momentalisht në Europë./Adriatik BALLA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here