RAMA në ‘depresion’: Pas gjermanit të Merkelit, sulmon ashpër deputetin hollandez…

0
448

U desh që në Shqipëri të vijë një grup deputetësh nga Holanda, që kryeministri shqiptar të dalë hapur dhe të sulmojë delegacionet e BE, që janë skeptike për hapjen e negociatave. Rasti shkon paralel me atë të gjermanit Krichbaum, i cili u sulmua nga portalet pranë qeverisë si njeri i paguar nga Rusia apo Lulzim Basha, me anë të disa shkrimeve nga të cilat Rama u distancua në Gjermani.

Njësoj si Krichbaum, holandezët nuk e fshehën mendimin kundër hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Çështjet e korrupsionit, të krimit të organizuar, mosndëshkimi i zyrtarëve të korruptuar, dyfishimi i të arrestuarve shqiptarë për krime serioze në vendin e tyre, i bënë të mendojnë se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave, një qëndrim që e shprehën hapur në media.

Një ditë pasi holandezët u larguan, Edi Rama reagoi me tallje dhe ironi. Jo më i fshehur pas shkrimeve denigruese, por me zë dhe figurë, ai sulmoi holandezët, kur tha se vizita të tilla e bëjnë për të qeshur.

“Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione me “fact-finding” (faktmbledhëse). Vijnë në mëngjes dhe ikin pasdite për të mbledhur fakte. Më takojnë mua, takojnë ca deputetë. Takojnë edhe mikun tim të shtrenjtë, me të cilin na bashkon, sigurisht në mënyra të ndryshme dashuria për Holandën, Lulzim Bashën dhe largohen. Dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen brenda gjysëm dite? Ndërkohë që Komisioni Europian është një ushtri ekspertësh të panumërt që hane fakte, pinë fakte, flasin fakte dhe dëgjojnë vetëm fakte. Si mund të kontestohet apo të thellohet raporti i kësaj ushtrie që është në terren çdo ditë me fluturime gjysëm-ditore, me takimet e 5 politikanëve?” u shpreh Rama, që për ironi sulmin e bëri në një aktivitet të Ditës së Europës.

Image

Akoma më nervoz u shfaq Gramoz Ruçi, që nuk ngurroi të flasë për të mirat e diktaturës, kohë kur nuk kishte as kriminalitet, as drogë, dhe as korrupsion. Ruçi shkoi më tej kur e bëri bashkëfajtore Holandën për kanabisin që kultivohet dhe trafikohet nga Shqipëria.

“Ndonjëri mund të më quajë nostalgjik mua, meqë vij nga sistemi i kaluar. Në atë sistem nuk kishte as drogë, as korrupsion, as prostitucion dhe as kriminalitet. Ne bëmë zgjedhjen tonë, ose të rrëzonim diktaturën dhe Shqipërinë ta hapnim, siç u hap ose duhet të mbanim diktaturën dhe të qëndronim mbyllur pa këto fenomene.

Dhe të gjitha këto fenomene nuk i çuan shqiptarët në Europë, por i gjetën mes europianëve. Dhe gjithë kjo betejë ose kjo luftë duhet fituar bashkërisht. Se do të vazhdoja t’i thoja kolegut holandez që nëse është njollë e zezë mbjellja e hashashit, e vetmja në Shqipëri, fara vjen nga Holanda, teknologjia është në Holandë, tregu është në Holandë se është e ligjëruar dhe unë nuk akuzoj Holandën që është vendi i BE, por kam të drejtën të mos më identifikojnë mua si vend me këto, por të më vlerësojë për përpjekjet që unë bëj dhe rezultatet e arritura si rezultat i zbatimit të ligjit deri tek vetingu për ta përvëluar këtë fenomen negativ për vendin tone”.

Shkrimet kundër deputetit gjerman Gynther Krichbaum u bënë shkak i refuzimit të paprecedent të darkës që Edi Rama organizoi në Berlin me deputetët gjermanë. Gjermanët anuluan edhe vizitën në Tiranë, sepse e konsideruan denigrimin e Krichbaum, një vendim politik të qeverisë shqiptare, për hir të qëndrimit të tij kundër hapjes së negociatave të BE me Shqipërinë.

Image

Pavarësisht se gjermanët ishin të informuar në detaje për portalet dhe njerëzit pranë Ramës që i financonin ato, kryeministri shqiptar i mohoi kategorikisht lidhjet mes tij dhe shkrimeve kundër Krichbaum.

Madje Rama kërkoi ndjesë në Berlin për shkrimet, duke i konsideruar reagime spontane të mediave të lira dhe duke mos pranuar asnjë nga akuzat, se ishte ai vetë që fshihej pas tyre. Gjuha që përdorin Rama dhe e Ruçi janë shprehje e nervozizmit dhe pasigurisë që shkaktojnë deklaratat e europianëve, por kësaj radhe tregojnë edhe se kush e nxiti baltosjen e deputetit Krichbaum. Sepse sot që Rama dhe Ruçi shfrynë publikisht kundër holandezëve, nuk pati asnjë nevojë që portalet pranë qeverisë të përdoren me shkrime kundër holandezëve. Mjafton të raportonin çfarë thanë Rama dhe Ruçi. /Lapsi/

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here